VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Guen Stefani, Madona e re ose gruaja që i çmend burrat e të gjitha moshave E Shtunë, 10.03.2009, 01:21pm (GMT1) Provojmë të përfytyrojmë një bjonde yll të filmave muzikorë të viteve Dyzet (1940), riaktivizuar në një grup të muzikës pank (punk), trukuar nga një stilist i new wave të viteve Tetëdhjetë dhe, më në fund, katapultuar në muzikën dance të diskotekave bashkëkohore. Do të kemi kështu një ide rreth personazhit të Gwen Stefani, ambicioze, kryengritëse nazemadhe, artificiale dhe e sajuar si një kukull e modës së fundit, me të gjitha të dhënat e një personazhi të çastit aktual kohor, një ciklon që shumëkujt ia kujton vrullet e shfrenuara të Madonës së hershme. "Ndihem mjaft fatlume që jam unë" thoshte ajo me zë të lartë për suksesin përrallor që po arrinte albumi i saj i parë si soliste "Love Angel Music Baby", katër fjalë që përbëjnë katër tiparet e personazhit: pafajësia, sjelljet prej adoleshenteje (madje është 40 vjeçe), një prirje e harbuar provokatore dhe, mbi të gjitha, një përdorim i sofistikuar i mjetit diskografik, imponuar nga fakti se, pavarësisht se është debutuese si soliste, ka prapa shpinës vite të tëra të karrierës si këngëtare e grupit No Doubt (Pa dyshim) dhe një pasuri të krijuar nga dhjetëra milionë kopje të albumeve të shitura nga ish grupi i saj.
Kemi të bëjmë me një histori të mirëfilltë të përkryer amerikane. Gwendolyn Renee Stefani ka lindur më 3 tetor 1969 (dy muaj pas Woodstock e pas zbritjes së njeriut të parë në Hënë) në Anaheim, në rajonin kalifornian Orange County, në njërin prej atyre parajasave të argëtimit (plazhe, surf, e klimë gjithmonë të mrekullueshme) të cilat bëjnë pjesë në botën e përfytyrimeve të të rinjve amerikanë. Është rritur në një familje me prejardhje irlandezo-italiane e deri kur ishte 30 vjeçe (edhe pse ajo ka pamjen e një vajze harrakate, bad girl) ka jetuar me prindërit e saj. "Kur isha 17 vjeçe," kujton, "isha e dashuruar dhe e dalldisur pas mendimit të të ardhmes që më priste me atë që mendoja se do të ishte burri im dhe me ata që do të ishin fëmijët e mi dhe të atij. Pastaj kam zbuluar se isha në gjendje të shkruaj këngë dhe jeta ime ka ndryshuar rrënjësisht." Ishte vëllai Eric ai që do ta përfshinte motrën si zë të dytë në grupin që po merrte këmbë atëherë, pikërisht grupin No Doubt. Pak muaj më vonë Gwen Stefani do të ishte zë i parë i grupit. Kjo do të vinte falë një fatkeqësie, do të vetëvritej këngëtari i grupit, i famshmi John Spence. Nga ai çast, rreth një vit grupi mezi do ta merrte veten nga humbja tragjike, pastaj do të vinte shpërthimi i pandalshëm i suksesit duke e bërë njërin ndër grupet më të famshme amerikane dhe botërore. Ishte viti 1995 kur grupi No Doubt do të ngjitej vrullshëm në shkallët e klasifikimit të industrisë muzikore me albumin "Tragic Kingdom" (Mbretëria tragjike). Tashmë Gwen stefani është këngëtarja superyll e kërkuar nga industria e shfaqjeve muzikore, show business musical. E jo vetëm aq. Do t'ia frymëzonte në kulm edhe atë që ishte në thelb dëshira e saj ("dua të ngjasoj sikur sapo kam dalë nga një film i të famshmes Jean Harlow" kishte thënë një herë këngëtarja). Por pikëreferimet ndaj së kaluarës janë vetëm sipërfaqësorë. Ajo është një vajzë tipike e ditëve tona, multikulturale, multingjyrëshe, ikonë e modës ekscentrike dhe autoritare (ka madje një markë të modës së saj, të quajtur Lamb), udhëton gjithmonë, edhe kur jep intervista, me katër vajza japoneze të nemitura, të pagojë, pikërisht ato të katra që shikohen në videoklipin e saj, aq herë të dhënë në programet e MTV, të What You Waiting For? (Çfarë po pret?) të këngës single të nxjerrë nga albumi, xhiruar nga këndshikimi i përrallës së famshme të "Lizës në botën e çudirave". "Çdo herë që më duhej të punoja me ndonjërin për albumin," thotë këngëtarja Gwen Stefani, "i thoshja se nuk kisha ditur në të vërtetë asnjëherë të shkruaja këngë. Për këtë ideja e "Lizës në botën e çudirave" është një mënyrë e përkryer për të shprehur gjendjen e ngatërruar, konfuze, ku unë ndodhesha në atë periudhë aq të dalldisur të jetës sime. Çdo pjesë e re, pra çdo këngë e re ishte për mua si të hyja në një dhomë të re, të ndryshme, sikur të gjeja diçka marramendëse, magjike, tamam si në "Liza në botën e çudirave".
Por ajo ia ka dalë që të përmbushë edhe magjinë që gjithçka ta bëjë të pëlqyeshëm për veshët e publikut të sotëm. Muzika e saj iu pëlqen tridhjetëvjeçarëve, nuk qëndrojnë ndaj saj indiferentë dyzetvjeçarët të cilët i kujtojnë mirë udhët që ka ndjekur Gwen Stefani për të ardhur deri këtu, por sidomos nuk i lë indiferentë adoleshentët, djemtë dhe vajzat e rinisë së sotme. Ajo vetë duket se e ka zbuluar suksesin e sfidës ndaj kohës. Është gati tridhjetë e shtatë vjeçe, por sillet jo rrallë si një tetëmbëdhjetëvjeçare. Një grua e të gjitha moshave, ose e asnjërës moshë, çka në botën e muzikës ka saktësisht të njëjtën domethënie dhe është absolutisht e njëjta gjë, e cila tani që posa është bërë nënë po na çmend të gjithëve.
Albumi i dytë solo,The Sweet Escape, i saj doli në dhjetor 2006. Stefani bashkëpunoi prapë me Kanal, Perry, dhe The Neptunes, si dhe Akon dhe Tim Rice-Oxley nga gripi anglez i rokut Keane. Albumi kishte më tepër muzikë kërcimi elektro për klubet se albumet e mëparshme. Dalja e albumit përkoi me daljen e DVD-së së turit të parë të saj, titulluar Harajuku Lovers Live. Albumi nuk pati suksesin e pritur, por disa single të nxjerrë prej tij u bënë hite. Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |