VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"Princesha e Bukur" është e Leonardos, mund të kushtojë më shumë se 100 milionë euro
E Martë, 10.13.2009, 02:39pm (GMT1)

 

 

 

Voal-online Mendohej se i përkiste shkollës gjermane të Shekullit XIX, por një gjurmë gishtash, zbuluar në pjesën e sipërme të telajos, ka shpalosur një befasi të pabesueshme: portreti me titull "Princesha e Bukur" është pikturuar jo nga kush tjetër veçse Leonardo Da Vinci.

 

Piktura (33cm x 23cm) u ble në ankand të Christie's për 19 000 dollarë më 1998. Para dy vjetësh u ble nga kanadezi Peter Silverman, i cili ka dashur të dijë më shumë dhe e ka nënshtruar pikturën ndaj teknikave më moderne të ekspertizës. Studimet e një laboratori të Parisit dhe pamjet e shkrepura nga makinë superteknologjike në gjendje të nxjerrë në pah shtresat më të ndryshme të ngjyrave ka nxjerrë se një nga gjurmët e gishtave të pranishme në portret janë shumë të ngjashme me të tjera të mjeshtrit të madh, gjetur në pikturën "Shën Jeronimi" dhe ruajtur në Muzetë e Vatikanit. Kjo e fundit ishte vepër e Leonardos e fillimeve të tij kur nuk kishte ende ndihmësa.

 

Sipas së përditshmes britanike Times, nëse konfirmohet kjo autorësi, atëherë çmimi i pikturës do të shkonte në yje e mund të vlerësohej me 100 milionë stërlina (pak më shumë se 106 milionë euro). Edhe analizat me rreze infra të kuqe kanë përcaktuar se piktura nuk vjen më këndej se fundi i Shekullit XV. Po ashtu është zbuluar se në pikturë është punuar nga një dorë e majtë dhe mjeshtri dihet se ishte sollak.

 

Piktura do të ekspozohet vitin e ardhshëm në Suedi. Martin Kemp, profesor i shquar i Historisë së Arteve në Oksford dhe i njohur si eksperti kryesor i Leonardo da Vinci-t në botë, është orvatur ta përcaktojë  femrën reale në pikturë. Më në fund, ka përcaktuar se është Bianca Sforza, bija e Ludovico Sforza, dukës së Milano dhe i së dashurës së tij Bernardina de Corradis. (http://www.corriere.it)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.