VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Gjiganti Niçe, filozofi që i sundoi dy shekuj E Enjte, 10.15.2009, 01:57pm (GMT1) Figura gjiganteske e mendimtarit që e ka kushtëzuar rrjedhën e pjesës më të madhe të Shekullit të Nëntëmbëdhjet dhe, sigurisht, pjesës më të madhe të të gjithë Shekullit të Njëzetë, Friedrich Wilhelm Nietzsche, lindi më 15 tetor 1844 në Röcken, një fshat të vogël të Saksonisë prusiane. Bir i një prifti protestant, Karl Ludwig, dhe i Franciska Oehler, edhe ajo bijë prifti protestant, Friedrich-u i vogël do të rritej në një atmosferë të ngarkuar me ndjenja religjioze, ndonëse e prekur aty këtu nga butësia tipike e sjelljes së reformuar. Në Profta kishin studiuar Klopstock, Fichte dhe Ranke. Në këtë shkollë ai krijon miqësi të ngushtë me Paul Deussen dhe Carl Gersdorff. I dalldisur prej zbulimeve të reja kulturore, shkruan poezi dhe kompozon muzikë, ndërsa familja e tij, pa gjetur kurrë paqe, zhvendoset në një shtëpit tjetër të Naumburgut. Më 1864 Nietsche shkon në Bon me Paul Deussen për ta vazhduar universitetin. Regjistrohet në shoqatën studentore « Franconia » ndonëse natyra e tij vetmitare nuk e pëlqen jetën studentore. Një kapitull më vete e përbën periudha kur ishte profesor në Bazel (1869-1879), ku dha filologjinë klasike. Ishte vetëm 24 vjeç, pa përfunduar ende, kur filloi punën. Edhe sot e kësaj dite mbetet një nga profesorët më të rinj në moshë. Para se të shkonte në Bazel ai hoqi dorë nga shtetësia prusiane. Për gjithë jetën mbeti pa shtetësi. Megjithëkëtë ai mori pjesë në Luftën Franko-Prusiane në vitet 1870-1871. Ishte dëshmitar i mbresave më traumatike të jetës. Mori atje një mori sëmundjesh. Nietzsche kishte njohur Richard Wagner në Leipzig më 1868, dhe pak më vonë të shoqen e Wagnerit, Cosima. Nietzsche gjatë kohës së Bazelit ishte vazhdimisht në lidhje me Wagnerët të cilët jetonin afër Lucernës. Ata e futën filozofin në sferën e shoqërisë së lartë. Bërë i famshëm me veprat e para "Lindja e tragjedisë nga shpirti i muzikës" ("Die Geburt der Tragödie aus dem Geiste der Musik" - 1872), ku ndihen ndikimet e Schopenhauer dhe të kompozitorit atëherë aq të brohoritur Richard Wagner, i jep dritë një vargu veprash me përmbajtje të fuqishme teorike: "Konsiderata joaktuale" (shkruar mes viteve 1873 e 1876 ku vepra e katërt i kushtohet pikërisht kompozitorit Wagner) dhe "Njerëzore tepër njerëzore. Një libër për shpirtin e lirë" ("Menschliches Allzumenschliches. Ein Buch für freie Geister" -1878).
Vitet 1879-1888 përbëjnë periudhën më të pasur e vendimtare të jetës së tij, tashmë si filozof i pavarur. Ai udhëton në Zvicër, Francë e Itali. Ndonjëherë kthehej në vendlindje. Jep leksione në universitete të ndryshme, merr tituj e grada shkencore, nderime të ndryshme. Është në kontakt të vazhdueshëm me botuesit dhe me mendimin kritik të kohës. Mendimi i Nietzsche-s karakterizohet për natyrën demistifikuese dhe destruktive, nganjëherë edhe rrënuese. Nietzsche në fakt i kundërshton ashpërsisht idealet pozitiviste e borgjeze tipike të kohës së tij (është një "joaktual" dhe për këtë ndjehet plotësisht i vetëdijshëm), ashtu si kundërshton edhe besimin në progresin e një shoqërie të iluminuar nga i ashtuquajturi mendim shkencor. Në shenjestrën e tij janë edhe ideja e mirëqenies së përhapur dhe të çdo të vërtetë e të çdo moraliteti të sajuar, të cilat mendimtari i koncepton si të prejardhur nga burime materiale dhe gjithnjë ngushtësisht të lidhura me kushte psikologjike e sociale, me fjalë të tjera nga raportet e forcave që shpjegojnë veten në intimen e vetë Unit si në shoqëri.
Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |