VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

I PLAGOSUR NË SHTËPINË E MIQVE
Nga WALT WHITMAN

E Shtunë, 12.07.2013, 02:44pm (GMT1)


''Dhe do ta pyesin atë: Nga i ke ato plagë në duart e tua?
Atëherë ai do t'u përgjigjet: Këto plagë m'i dhanë në
shtëpinë e miqve të mi'' - Zaharia, XIII. 6.


 

Ndë të merret goja, Liri,
Fitoren s'do ta korrë armiku yt hapët,
Po në shtëpi të miqvet do të të plagosin.
Virgjinia, nënë e madhështivet,
Mos u ckuq që je nënë e skllevërve,
Se mund të lindnje skllevër më të liq -
Trupbutë t'ultë, morra të njerëzimit
Këlthasin e po çiren për liri
Aq sa gjaku u del në fytyrë,
Kurse vetë janë gati të bëjnë çdo krim,
Gjithë shpresat e shekujvet i shesin për të pirë,
Si krimbat në plehë duke përlëkurur;
Për ta dollari është më i shtrenjtë se fjala ungjillore;
Dashuri e shpresë kanë mendimin për fitim,
Parajsa, si qefin, mbulon jetën e tyre;
Heroizmat e mëdha t'heronjve të lavdishëm,
Të cilavet mund t'ua kishin zili perënditë,
Thirrja e atyre që po vdesin në luftë, vaji i grave,
Ngazëllimi i popujve të çliruar -
Nuk ua prekin zemrat në kraharor,
Po prekin vetëm xhepin e tyre.
Karolinë gjaknxehtë,
Ti mund të shtrëmbërosh buzët me përçmim
E zhytur në baltë të skllavërisë me gjithatë ji fisnike e fatit,
Që nuk ke fis.
Çohu, o Veri i ri!
Rrjedh në dejt e frikacakëvet gjak i vjetër:
Servil i thinjur, frikacak i zbehtë,
Llafazan i vërtetë, ose i shtënë,
Ata ulërijnë si fëmijët e gjirit -
Përsa kohë akoma do të na përfaqësojnë ata?
Luftoni të bashkuar, me trimëri si ushtarët,
Spartanë trima të pakë,
Mos kini frikë prej egërsirës së tërbuar çamaroke,
Po prej thumbit të ndarë më dysh
Që zgjatet drejt nesh nga bari nënë këmbë.
Përktheu: SKËNDER LUARASI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.