VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JO DASHURIA NUK KA VDEKUR
Nga ROBERT DESNOS

E Premte, 12.13.2013, 04:55pm (GMT1)


Jo dashuria nuk ka vdekur në sytë e në gojën që shpallte fillimin e funeralit të saj.
Kam dëgjuar shumë për pamjen piktoreske dhe ngjyrën dhe hijeshinë.
E dua dashurinë, me dlirësinë dhe mizorinë e saj.
Dashuria ime nuk ka vetëm një emër, vetëm një formë.
E gjitha kalon. Gojët mbërthehen në këtë gojë.
Dashuria ime ka vetëm një emër, vetëm një formë.
E nëse një ditë do të kujtosh
Oh ti, formë e emrit të emrit tim,
Një ditë në detin mes Amerikës dhe Evropës.
Në orën kur duke dhënë shpirt rrezja e diellit drithërohet në pasqyrën e vrazhdë të valëve, apo në një natë vetëtimash e bubullimash nën një pemë në fshat, apo në një automobil të shpejtë,
Një mëngjes pranvere në bulevardin Malesherbes,
Një ditë me shi,
Në agim para se të shtrihesh,
Thuaja vetes, rendin mbi fantazmën tënde familjare, se isha unë i vetmi që të desha më shumë, se është mëkat që unë nuk e kam ditur.
Thuaja vetes se nuk ka nevojë për pendesa: para meje Ronsard e Baudelaire kanë kënduar pendesën e plakave dhe të vdekurave që e përçmomin dashurinë e kulluar.
Ti kur të jesh e vdekur
Do të jesh e bukur dhe prapë e dëshirueshme.
Unë do të kem vdekur tashmë, i mbyllur krejt në trupin tënd të pavdekshëm, në përfytyrimin tënd të hatashëm gjithnjë mes përfytyrimeve tua të pavdekshme të jetës dhe të përjetësisë, por nëse unë jetoj
Zëri yt dhe akcenti yt, shikimi yt dhe rrezet e tua, aroma jote e ajo e flokëve të tua e shumë gjëra të tjera do të jetojnë në mua,
Në mua që nuk jam as Ronsard as Baudelaire,
Por që jam Robert Desnos e që të kam njohur dhe dashur,
Ia vlej;
Unë që jam Robert Desnos, të të dua
Dhe që nuk dua në kujtesën time ta lidh këtë nam tjetër me tokën e pamatë.

Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.