DIBËR Nga VEHBI SKËNDERI
E Shtunë, 12.14.2013, 05:30pm (GMT+1)
Kalldrëmet gur më gur, si shkronjëza në libër. Mure, shtëpi të gurta. Libër me këngë lufte e mendime të urta.
Dibër!
Në mars të ngrohin shirat, që sjell nga deti Drini dhe erërat e buta. Të than acari i dimrit, që fryn plot mllef Radika. Mijëra herë u dogje e u grive me thika.
Dibër! Dibër!
Në Korab vajton një fyell, në Drin cicron një pipëz.
Nuk vdes Elez Isufi, që shkjau e vrau nga prita. Nuk vdes Elez Isufi, se kurrë nuk mposhtet Dibra! E ku janë bunkerët, bedenat e fortesat Që s'i mposht Elezi?
Dibër!
Mbi kalldrëmet e tua unë lexova në libër Për herë të parë legjendat.
Dibër! -- Nga libri "Bëjmë sikur", 1995
VEHBI SKËNDERI
|