VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
MELODI E KËPUTUN Nga MIGJENI E Djelë, 12.15.2013, 03:57pm (GMT1) Melodi e këputun - lot i kjartë nga syni i një grues së dashun... andje e përplasun, xhevahir i tretun, një andërr e shkelun, buzë e paputhun në melodin e këputun. Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun, verbojnë nga zbardhimi... e ther, ther hidhnimi për çasteet e rrëshqitun, për fatin e ikun, për gëzimin e humbun në melodin e këputun. Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun: Qan grueja e pikllueme me zemër të piskueme (një kitarë e gjymtun, za kange i mbytun në buzë nga dhimb' e puthun në melodin e këputun). Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme... syni i venitet në të loti vërvitet, diçka nxjerr nga xhepi grues ia lë - dhe së shpejti e len gruen e humbun në melodin e këputun. Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet, gjaqet turbullohen, përzihen, përvlohen, çohen peshë, tërbohen ... e vetëm ndëgjohen ahtët e molisun në melodin e grisun. MIGJENI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |