VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Lamtumirë shkrimtarit amerikan Xhon Apdajk
E Mërkurë, 01.28.2009, 07:31am (GMT1)

Voal-online - Ka vdekur nga kanceri në mushkëri shkrimtari amerikan John Hoyer Updike. Lindi më 18 mars 1932 në Shillington të Pensilvanisë. Mësoi në Universitetin e Harvardit.

E filloi krijimtarinë në vitet pesëdhjetë dhe botoi mbi 50 vepra, si romane, poezi, përmbledhje tregimesh e novelash, esè. I kishte fituar pothuaj të gjitha çmimet kryesore amerikane, përfshirë dy Pulitzer për prozën, kishte qenë disa herë kandidat për çmimin Nobel të Letërsisë dhe shpesh veprat e tij ishin përfshirë në listën e bestsellerëve.

Updike e kishte arritur suksesin, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me serinë popullore të "lepujve", tetralogji e filluar në vitet 1960 me ronanin Rabbit Run (Lepuri që rend) e vijuar me Rabbit Redux (Lepuri rikthehet), Rabit Is Rich (Lepuri është i pasur) dhe Rabbit at Rest (Lepuri pushon). « Lepuri » është një kampion basketbolli që vendos të shkruajë krejtësisht jetën e tij, duke ripërtërirë "shqisën e së mrekullueshmes" të fëmijërisë dhe pavarësinë djaloshare.

Në vitin 1968 kishte analizuar me librin Couples (Çiftet) temën e jetës seksuale midis çifteve amerikane të pasura të rrethinave, duke u përballur me dukurinë e shkëmbimit të çifteve. Temë e parapëlqyer e shkrimtarit ishte klasa e mesme e shikuar në mjediset e qyteteve të vogla të provincës amerikane, trajtuar në mënyrë satirike dhe duke pasur gjithnjë në shenjë martesën dhe jetën familjare tradicionale.


Libra të tjerë të Updike janë The Centaur (Centauri), Of the Farm (Nga ferma), The Witches of Eastwick (Shtrigat e Istuikut), In the Beauty of the Lilies (Në bukurinë e zambakëve).
Romanet e tij të fundit janë Villages (Fshatrat 2004) e Terrorist (Terroristi, 2006).

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.