VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ÇFARË U MUNGON KËTYRE RRUGËVE
Nga VEHBI SKËNDERI

E Shtunë, 04.12.2014, 07:36am (GMT1)



Unë nuk po e kuptoja dot, çfarë u mungonte këtyre rrugëve e kësaj Arkitekture
Kaq perfekte.
Kësaj dritëze të butë, që binte mbi vitrina, midis luleve e shkurreve,
fekste e fekste...

Çfarë i mungon këtij iriqi vocrrak, strukur, s'di qyshkur, në këtë ferrë.
Çfarë i mungon kësaj buzëmbrëmjeje të purpurt,
edhe kopsht plot trëndafila, edhe humnerë,
ku befas do të gremisen të tëra xixëllonjat e të tërë yjtë.
Çfarë i mungon këtij lumi, kësaj lëndine, këtij parku që, ndonëse lumturohem e
më kënaqen sytë duke i parë:
ndjej një hon në zemër, një zgavër ujqsh, që frikën më kall.

Çfarë i mungon kësaj hëne të plotë, fshehur, paksa, nën një tyl të bryllët
reje, që duket posi një flutur e djegur.
Çfarë i mungon syrit tim, që bredh gjithandej, si qen i ndjekur!
Çfarë i mungon kësaj nate pa emër, kësaj hijeje
ekzistente e inekzistente, kësaj ujvare hënore kaq transparente,
ujore, nënujore e të përjetëshme....

Bernë, 11 gusht 1996
-
Nga libri "Zvicra Shqipëria ime", Prishtinë 2004

VEHBI SKËNDERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.