VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DIELLI I DITËS SIME
Nga SINAN KËRPAÇI

E Martë, 04.15.2014, 05:33pm (GMT1)


Lind atje: larg dhe afër,
në bririn e dhisë së egër,
në syrin që më ndjek pas
nga nxjerr lotin një sorkadhe
e nuk them: lind në male.

Atleti i ditës time
 vesh këpucët në vendlindje,
vrapon në mëngjez,
çlodhet në mbasdite.

Them: ky është i imi,
nuk është i të gjithëve,
se vjen që nga briri,
se vjen që nga syri,
andej nga vjen zëri
dhe bëhet bori,
andej nga vjen loti
që ka gjetur sy
e më sheh nga malli.

Diell i vendlindjes -
sy, o sy sorkadhi,
sy i ditës sime.

Piqet nën saçin e nënës
te një furrë, te një vatër,
lind atje, lind si diell:
larg dhe afër.
SINAN KËRPAÇI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.