VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LOJË
Nga EDUARD FRROKAJ

E Mërkurë, 04.16.2014, 08:36am (GMT1)



Historia është lojë,
dhembjes ia dinë emrin,
emrat tanë kanë përfunduar në lojë,
dheu, njerëzit, fjalët,
luajnë me jetën ping-pong,
kronistët kanë heshtur,
luajtur kanë me fjalën,
e ti ende vrapon pas kronikave, fluturave dhe fjalëve,
në lojë të pafund të historisë vrapon,
Shqipet duke luajtë cic-mic me veten,
e zbuluan lojën, bukën, kripën dhe zemrën.
I lexuan letrat e Shen Palit në kohë të qiririt,
tani luajnë me fjalë nëpër lagjet e botës,
ku fjala peshon sa kripa e detit të vdekur,
në lojë janë ikjet, vdekjet, dashnia për vashën e zemrës dhe atdheun,
arkat, veshjet, këmbanat,
duke luajtë tri dite jemi tallë,
kemi mbajte zi për veten,
thamë përse nuk luajmë edhe pak,
të zbulojmë Amerikën,
lojë është historia, kronistët më së miri kanë shkruar në kronikë të gurit,
tani po luajmë edhe pak,
po tallemi me veten dhe kripën e detit në emra të atdheut e në dashni për vashën e zemrës,
mërguar kush e di se ku,
loja ka me ikë nga ne një ditë,
po jeta jonë është lojë,
ne vetëm luajmë kështu palidhje,
dhe vrapojmë pas fluturave si në kohë të dritës së qiririt deri në çmenduri ...!

Marrë nga vëllimi poetik " Shikim në fytyrë të gjyshit " Gjakovë 2013
EDUARD FRROKAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.