VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

UNË JAM VERTIKALE
Nga SYLVIA PLATH

E Djelë, 04.20.2014, 08:43am (GMT1)


 

Unë jam vertikale
Por do të parapëlqeja të isha horizontale.
Nuk jam një pemë me rrënjë në dhé
që përthith minerale e dashuri amnore
në mënyrë që të farfurij nga gjethet çdo mars,
nuk jam as hijeshija e një trëndafileje
e larushitur sa të ngjall thirrje habie,
pa e ditur se së shpejti do t'i humbas petalet e mia.
Krahasuar me mua, një pemë është e pavdekshme
e gonxhja e një luleje, jo e lartë, por më e bujshme:
nga e para jeta e gjatë, nga e dyta më mungon guximi.

Sonte, në dritën e paskajme të yjeve,
pemët dhe lulet i kanë përhapur aromat e tyre të ftohta.
Kaloj përmes, por asnjëra sosh s'do t'ia dijë.
Nganjëherë mendoj se teksa fle
ndoshta iu ngjas atyre në mënyrën më të përkryer -
me mendimet e mia të bëra tym.
Sonte shtrirja për mua është më natyrale.
Ashtu qielli dhe unë jemi në bisedë të hapur,
e do të jem e dobishme ditën që do të qëndroj e shtrirë përgjithmonë:
më në fund pemët do të më prekin, lulet do të ma kenë ngenë.

Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.