VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LAGJIA PA DRITË
Nga PABLO NERUDA

E Mërkurë, 04.23.2014, 09:01am (GMT1)



A mundet apo jo poezia e gjërave
jetën pikë për pikë të ma mbledhë?
Dje --- duke parë muzgun e fundit ---
një njollë myshku isha mes ca rrënojash.
Qytetet --- bloza dhe hakmarrje ---,
ndyrësia e hirtë e rrethinave të tyre,
punishtja që kurrizet thyen,
shefi syturbullt.
Shkëlqim i kuq gjaku mbi kodra,
gjak mbi rrugët dhe sheshet,
dhembje zemrash të thyera,
qelb lodhjeje dhe lotësh.
Një lum shkëlqimin e kuq përqafoi
si një dorë e ngrirë që kërkon mes hijesh:
yjet të nxjerrë.
Dhe shtëpitë që dëshirat fshehin
pas dritareve me dritë,
ndërsa era jashtë
nga pak baltë mbart tek çdo trandafil.
Larg ... bryma e harresave
--- tym i trashë, kërcej të thyer ---,
dhe fusha,! fusha e gjelbërt! ku dihasin
buajt dhe burrat e djersitur.
Dhe unë jam këtu, mbirë mes rrenojash,
vetëm gjithë trishtimet përtyp,
sikur vajtimi një farë të ish
dhe unë vazhda e vetme e tokës.
Përktheu: EMIL ASDURIAN


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.