VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TË VJELLAT E ERRËSIRËS
Nga ADEM ZAPLLUZHA

E Enjte, 04.24.2014, 05:53pm (GMT1)



Sonte
Do pështyjmë në lumë
Nëse ju mungon guximi
Ju mbyllni sytë
Dhe kaloni urat që iu vardisen ujit

Netët në këtë qytet
Janë mësuar të durojnë etjen
Disa herë janë kallur lisat
Deri në rrënjë

Kanë zbritur zogjtë
Nga krakëllimat e korbave
Dita i kreh
Krifat e kuajve azgan

Kur dolëm tej shtegut
Në anën tjetër të memories
Na pritën daulltarët
Diku larg binte një gërnetë
Ethshëm vajtonte
Serenata e vjeshtës

Kur më kujtohen ditët
Që na rrinin mbi kokë si saç i diellit
Më zë vreri
Qohen peshë rropullitë
O ju lutem më tregoni
Si t'i pastroj
Të vjellat e errësirës
ADEM ZAPLLUZHA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.