VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

POROSI
Nga EZRA POUND

E Premte, 07.25.2014, 03:43pm (GMT1)



Shkoni, këngët e mia, tek vetmitarët dhe tek të pakënaqurit,
Shkoni edhe tek ata që i kanë nervat e rrënuara, tek skllevërit e bestytnive,
Çojuani atyre përbuzjen time për shtypësit e tyre.
Shkoni si një dallgë uji të freskët,
çojuani atyre përbuzjen time për shtypësit e tyre.

Flisni kundër shtypjes mizore,
Flisni kundër tiranisë së atyre që janë shkurtpamës,
Flisni kundër trysnive.
Shkoni tek borgjezia që po vdes prej kotësisë së saj,
Shkoni tej gratë e lagjeve të periferive.
Shkoni tek ato llahtarisht të martuara,
Shkoni tek ata dështimi i të cilëve është ndryrë,
Shkoni tek ata që janë në shoqëri të keqe,
Shkoni tek gruaja e blerë,
Shkoni tek gruaja e trashëguar.

Shkoni tek ata që kanë një lakmi delikate,
Shkoni tek ata dëshirat delikate të të cilëve ndrydhen,
Shkoni si fërkemët mbi trullosjen e botës;
Shkoni kundër atyre që janë si ju,
Forcojini pejzat e imta,
Jepjuni besim algave dhe tentakolave të shpirtit.

Shkoni në mënyrë miqësore,
Shkoni që të flisni hapur,
Jini të përkushtuar të zbuloni ligësi të reja, mirësi të reja,
Jini kundër çdo forme të shtypjes.
Shkoni tek ata që janë trashur nga mesmosha,
Tek ata që kanë humbur çdo lloj interesi.

Shkoni tek adoleshentët frymëzënë nga familjet -
Oh sa e neveritshme
Të shikosh tri brezni të të njëjtës familje nën një çati!
Është sikur një lis i krimbur,
E me degë të thara dhe të kalbura.

Shkoni dhe sfidojeni opinionin publik,
Shkoni edhe kundër skllavërisë vegjetuese të gjakut.
Jini kundër çdo forme të pasurive të patjetërsueshme.
Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.