NGADALNGADALË VDES Nga MARTHA MEDEIROS
E Shtunë, 07.26.2014, 08:59am (GMT+1)
Ngadalngadalë vdes kush bëhet skllav i zakonit, duke përsëritur çdo ditë të njëjtët hapa, kush nuk e ndërron mënyrën, kush nuk rrezikon dhe s'e ndërron ngjyrën e veshjeve, kush nuk iu flet atyre që s'i njeh.
Vdes ngadalngadalë kush e shmang një pasion, kush parapëlqen të zezën në të bardhë dhe pikat mbi "i" në vend të një larmie emocionesh, pikërisht asosh që i bëjnë sytë të llamburitin, asosh që e shndërrojnë një ngërdheshje në një qeshe, asosh që i bëjnë zemrat të rrahin përballë gabimit dhe përballë ndjenjave.
Ngadalngadalë vdes kush nuk e përmbys tavolinë, kush është i palumtur në punën që ka, kush nuk rrezikon sigurinë për hir të pasigurisë, për të ndjekur një ëndërr, kush nuk lejon të paktën një herë në jetë t'iu ikë këshillave të urta. Ngadalngadalë vdes kush nuk udhëton, kush nuk lexon, kush nuk dëgjon muzikë, kush nuk gjen hire tek vetja. Vdes ngadalngadalë kush shkatërron dashurinë e vet, kush nuk lë për ta ndhmuar; kush i kalon ditët duke u qarë për fatkeqësinë e vet apo për shirat që s'prajnë.
Ngadalngadalë vdes kush braktis një projekt ende pa e filluar, kush nuk bën pyetje për ato gjëra që nuk i di, kush nuk përgjigjet kur e pyesin për diçka që ai e di.
E shmangim vdekjen me doza të vogla, duke kujtuar gjithmonë se për të qenë gjallë kërkohet një stërmundim tej mase më të madhe se fakti i thjeshtë i frymëmarrje. Vetëm durimi i guximshëm do të çojë tek arritja e një lumturie të hatashme.
Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ
|