VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NËN HIJEN E AKROKERAUNEVE
Nga AGIM MATO

E Mërkurë, 07.30.2014, 01:15pm (GMT1)



Nuk kam bredhur nëpër botë për të kërkuar shpirtin e
humbur
si një Harold. Më ka mjaftuar ky atdhe ku rroj
edhe atëherë kur perënditë e rreme
e kapnin për fyti këngën time
dhe e përplasnin në harrim.

Nuk e shkova ndërmend arratinë nga ky atdhe
prej guri, prej deti, prej telash me gjemba
edhe atëherë kur këto do të bëheshin
vuajtjet e mia, burgimi im.

Nuk doja të ikte Bilal Xhaferi.
Qava kur më la në duar sokëllimën e shpirtit
me jehonën që oshëtiu gjer
në Amerikën e largët
dhe përjetë e humba zërin e tij prej laureshe.

Pse iku Kadareja nuk e kuptova kurrë.

Lëndohem kur shoh se përditë bjeret atdheu.
Përditë pakësohet e pakësohet, pa e ndier,
edhe pse të tjerë përpiqen
ta mbushim zbrazësirën sadopak.

Për sa më sipër,
nuk e dëshirova
fatin e një Çajld Haroldi
të lodhur e të penduar
nga orgjitë londineze,
edhe pse e pat lëvduar karakterin dhe bujarinë time,
edhe pse e pat lëvduar fisin tim, të kapur fort pas
shkëmbinjve dhe ullinjve
nën hijen
e Akrokerauneve.
AGIM MATO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.