VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VAJI I BYLBYLIT
Nga NDRE MJEDA

E Premte, 08.01.2014, 05:28pm (GMT1)



    Po shkrihet bora,
    Dimri po shkon;
    Bylbyl i vorfën,
    Pse po gjimon?

    Pushoi murrlani
    Me duhi t'vet;
    Bylbyl i vorfën,
    Çou, mos rri shkret.

    Gjith' fushët e malet
    Blerimi i mbëloi;
    Livadhi e pema
    Gjithkah lulzoi.

    Ndër pyje e ograja,
    N'ma t'mirin vend,
    Me rreze dielli
    Po e gëzon gjithkend.

    E tuj gjimue
    Shkon rreth e rreth
    Nji prrue që veret
    Rrjedh nëpër gjeth.

    A çilë kafazi,
    Bylbyl flutro;
    Ndër pyje e ograja,
    Bylbyl, shpejto.

    Kurrkush ma hovin
    Atje s'ta pret;
    Me zeher hajen
    Kurrkush s'ta qet.

    Kafaz ke qiellin,
    Epshin pengim;
    E gjith' ku t'rreshket
    Shkon fluturim.

    Nëpër lamie,
    Ke me gjetë mel;
    Për gjith' prendverën
    Njajo buk' t'del.

    E kur t'zit edi
    Ndër prroje pi;
    Te njato prroje
    Që ti vetë di.

    Tash pa frikë çerdhen
    E mban n'ndo'j lis;
    Nuk je si "˜i nieri
    Që nuk ka fis.

    E kur t'vij' zhegu,
    Kur dielli shkon,
    Ti ke me këndue
    Si ke zakon.

    Rreth e rreth gjindja
    Me t'ndie rri;
    Prej asi vendit
    Ndahen me zi.

    A çilë kafazi,
    Bylbyl, fluturo;
    Ndër pyje e ograja,
    Bylbyl, shpejto.

    Ndër drandofille,
    Ndër zambakë nga;
    Ku qeshet kopshti,
    Idhnim mos mba.

    Po shkrihet bora,
    Dimni po shkon;
    Bylbyl i vorfen,
    Pse po gjimon?



    II



    Por vaj! Se "˜i dimën tjetër
    Paske, o bylbyl i shkreti;
    Pa da ty zemra t'treti
    Mbas vajit që t'rrethon.

    Me lulzim t'vet prendvera
    Ty s'ta përtrin gazmendin:
    Jo kurrë s'e njifke shendin,
    Bylbyl, që po vajton.

    A thue po kjan, se çerdhen
    Ta ka shkatrrue skyfteri?
    A thue po kjan, o i mjeri,
    Se me rrnue gjallë s'ke mel?

    Ndrrojn' edhe stinët e motit,
    E për çdo herë ndron era.
    Mbas dimrit vjen prendvera,
    Mbas borës blerimi del.

    Veç ti me idhnime t'tuja
    N'zemër gjithmonë po pihe,
    E ditë e natë po shkrihe
    Mbas vajit që t'mundon.

    Kur â tuj ardhun drita
    Ndihet tuj këndue shpendi,
    E n'kangë i duket shendi,
    Që zemrën ia gazmon.

    Gjetiu ndër pem, ndër lule
    Shkon e fluturon bylbyli;
    N'at erë që jep zymbyli
    Vjollca e zambaku nget.

    Por ty, n'kafaz t'shtrëngueshëm,
    Ty t'paska ndry mizori,
    E kurrnjiherë nuk t'nxori
    Me t'lëshue ku zemra t'thrret.

    Ti kurr, nji kangë s'ia këndove
    Diellit kur nadje çohet;
    Zemra me vaj t'coptohet
    E me pajtue nuk don.

    Ndoshta kujdesi i t'tujve
    Gjith' ket hidhnim ta qiti,
    E shendin ta shutiti
    E vshtira që i mundon.

    T'burguem i bani gjindja
    Veç përse donë me ndie
    Njat za që lëshojnë me hije
    Që t'knaq e që t'ban rob.

    Çdo krajl i madh ndër shpija
    Ty t'mba m'u thanë i veti;
    Vetë bukuria, o i shkreti,
    Kenka për ju nji kob.

    Përse tu ndeja e t'mëdhajve
    Nji shpend i vogël s'ndalet;
    Shpendit i kande malet,
    Çerdhen e t'parve do.

    Me at zanin tand t'përmallshëm
    Ndoshta ti ankon këto t'vështira;
    Derisa t'kthejn' e mira,
    Bylbyl, papra gjimo.



    III



    Por njaj vaj që je tuj lëshue,
    Bylbyl, zemrën ma copton;
    Ditë e natë rri tuj prigjue,
    Vaj për mue! Kush mund t'ngushëllon?

    Gjama jote a porsi ankimi
    I nji fëmijës që vetun mbet;
    Gjama jote a si shungllimi
    I nji t'zezës që gja s' pre.

    Porsi dnesë me futë në krye
    Nana e shkretë që mbet pa djelm;
    Njashtu tine rri tuj shfrye
    Njat idhnim që t'u ba helm.

    Puna jote, o i mjeri, m'mbyti
    E kurrkund nuk m'len pushim,
    Shkoi nji muej, po shkon i dyti
    T'zezat t'tua s'kanë mbarim.

    Tash ndër arë lulzoi qershia
    E me borë dimni po shkon:
    Kurr s'mbarojn' t'zezat e mia,
    Gjama jote kurr s'mbaron.

    Si t'burguemit n'ishull t'detit,
    Ku tallazi i thekshëm vrret,
    O t'vijë t'ftoftit, o t'vijë t'nxetit,
    Vaji zemrën ia pëlset;

    E papra n'ankime t'veta
    Vajton fisin që larg la;
    E tu fëmija i shkon si zgjeta
    Mendja e shkretë se mbet pa ta;

    Njashtu ti rri tuj vajtue
    N'njat kafaz që shungullon;
    Fisin tand rri tuj mendue
    T'zinë atdhe që s'e harron.

    Për fat tand, për zogj që kishe
    Ndoshta zemra, i mjeri, t'dhemb;
    Me e pat dit' të mjerët ku rrishe
    Kërkue t'kishin gemb mbi gemb.

    Me e pasë ndie njat za që lëshoshe,
    Me e pasë ndie njat vajin tand,
    Kishin ardhë kudo që t'shkoshe,
    T'kishin lypun kand e kand.

    Njat vaj tandin tuj kujtue
    Pa mbyllë syt' kan' shkue sa net;
    Pveshtin hanën tuj gjimue,
    Pvetshin hyjt për prind të vet.

    Por aj kob që hana e diti
    E njaj vaj që ylli pau,
    T'shkretve n'vesh kurr nuk iu mbrriti,
    E kurr zemra nuk ju ndau.

    Me ditë hyjt me bisedue,
    Me pasë sy që me derdhë lot,
    Vajin tand ju kishin prue
    T'kishin kja për jet'e mot.

    Nëpër fush' e nëpër shpija,
    Me kujdes që s'nep afat,
    Rreth e rreth t'kishin ardhun fëmija,
    Kjamun t'kishte i ngriti fat...



    IV



    Por ça ka toka, bylbyl, ndrron moti;
    Ankimi e vaji nuk asht i zoti
    Përgjithmonë zemrën me na coptue;
    Fillo me gëzue.

    Mbas boret t'dimnit çilet prendvera;
    Nji ditë nuk gjindet që s'po ndrron era;
    Sendet që patmë nuk janë tuj mbarue;
    Fillo me gëzue.

    Tuj dnes' i vorfni se e mbluene t'kqijat,
    Me ankime t'veta mbush rrugët e shpijat;
    Lehtsim por s'mbramit gjen tuj punue;
    Fillo me gëzue.

    Kjajnë fëmijn e dekun prindt e shkretnuem
    Me "˜j vaj që duket se s'ka t'pajtuem!
    Por zemrën moti jua ndrron tuj shkue:
    Fillo me gëzue.

    Ndër ishujt t'detit kjan i burguemi
    Për fmij, për grue që s'shef i shuemi,
    Por prap durimi ka me ja prue,
    Fillo me gëzue.

    Shpend tjerë burgosi sa herë mizori,
    E rishtas jashtë dikur i nxori;
    Ndër fushë e male janë tuj fluturue;
    Fillo me gëzue.

    Flutrojnë ndër male, flutrojnë ndër lule,
    Flutrojnë ku çerdhen motit e ngule,
    E kangët e parshme nisin me këndue:
    Fillo me gëzue.

    Ndër zogj që kishe ndonjëherë do t'hasin,
    Ndër pemë, ndër lule bashkë me ta ngasin;
    Për ty t'vorfnuemit rrijnë tuj shpnesue:
    Fillo me gëzue.

    Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:
    Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
    Edhe natyra po don m'u ndrrue:
    Fillo me gëzue.

    Porsi motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
    Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
    Por vaji e ankimi kanë për t'u shue;
    Fillo me gëzue.

    Mbas vajit t'tashëm ka me t'ardhë shendi,
    Ka me ta shëndodhun zemrën gazmendi,
    Për mall, si motit, zanë ke me e lëshue:
    Fillo me gëzue.

    Kur t'shkojsh ndër fush, kur t'shkojsh ndër male,
    Afër shpisë seme hovin tand ndale;
    Mahnit' at zanin tand tuj prigjue
    Kam për t'u gëzue.
NDRE MJEDA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.