VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PUTHJA
Nga LAURETA PETOSHATI

E Mërkurë, 08.06.2014, 10:43am (GMT1)



Kjo puthja mbi buzën time çdo të jetë?-
pyeti goja kureshtare. -
Nëse është veprim i shenjtë,
unë pastaj nuk do flas fare!

Veshi tha: - Duhma shpirti që s'rrëfehen,
mërmërima, psherëtima,
si refren në timpan ngelen
rrahje zemrash në gulçima!

Syri tha: - Buzët kthehen në petale,
trëndafila të kuq, frymorë,
me ca rremba që nuk ndalen,
prush, me një vegim qiellor!

Hunda tha: - Erëmojnë papushim,
përsosmëri të purpurtë,
trille zogjsh në fluturim,
gjethnajë në hovin e gurtë!

Gishtat thanë: - Ne prekim me mollëza
ç'gjurmë nga puthja do të ketë,
çfarë gdhend fryma apo shkronja,
kur buza është fron i shenjtë.

Dashuria tha: - Mbi buzë unë s'ula dy vetë,
por dy shpirtra në ngazëllim,
bashkë në rrëzëllim të kthjelltë,
e gjithë kjo për hatrin tim!

Buzët e detit, në përjetësi të puthen presin,
Ndaj çdo gjurmë mbi rërë fshin dallga me furi
Shpirtrat e dashuruar mbi buzë njerëzore ecin,
Ndaj dallgë e dashurisë i mbështjell të dy!

Vazhdoi: - Unë nuk fshij gjurmë, gdhend ndjenjë,
Shkëlqej dielladritas me farfuri,
puthja dhe në ëndërr vjen më gjen,
jam një tempull ku shpirti zgjuar rri!

Gjuha tha: - I lëpiva buzët ja, aty,
ku në një puthje dy shpirtra bëhen një,
qiellza mbeti e shushatur në dalldi,
ç'shije të magjishme mbi buzë shpirti lë!

Kur mbi buzë të çlodhej shpirti doli,
goja u dridh nga puthja dhe më s'foli!

© Vlorë qershor 2014
LAURETA PETOSHATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.