VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË LULE E BUKUR DIELLI
Nga ARTUR VREKAJ

E Premte, 08.08.2014, 02:06pm (GMT1)


Më dukesh,
kur kokën kthen në cep të rrugës
të më dërgosh një puthje përkëdhelëse,
atje ku lule e diellit me synë-sini
puth Diellin e mëngjesit,

apo kur më dërgon për mesazh një buzëqeshje
dhe për pikë përdor trupin e një zemre,
të qeshem sa ta shoh,
e vetvetiu të më ndjellë të shkruaj një varg,
se dashurisht jetojmë edhe larg njëri-tjetrit
në kohë.

Imazhi im të ndjek si bletë,
të mos i vështrosh kurrë retë
dhe ti rend të kthesh tek unë,
të mbështetesh në supin tim, në oborr
ku të pres krahëhapur si pemët,
që bashkë i kemi mbjellë për kokrra dhe dekor.

Diell i perëndimit lë shenjën e fundit të hijes
me kurorën e lisit që kemi për kufi
dhe trupat tanë i buzëron me një puthje
ku brenda saj puthja jonë buzë pi.

Kur futem në shtëpi
u gëzohem edhe më syve të tu të përlexuar,
se bebet u qeshin
si një lulediell farëbukëruar.

Nder krahët të hapësh dritaren
të hyjë ajër i freskët
a të dëgjojmë cicërima se si duhen dy zogj
në kupë të lulediellit, njëherësh ?

Oh, po dashuria është ajka e jetës,
më thua nën zë
dhe më përqafon si Gusht i prushtë,
e pastaj, afshi që të duhemi edhe fjalët na rrëmben,
ndërsa muzgu si për natë vajzash në pubin e ri të qytetit
vishet seksi mbi liqen.
ARTUR VREKAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.