VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BIRIT TË NOMADIT
Nga MAHMOUD DARWISH

E Hënë, 08.11.2014, 10:17am (GMT1)



Mbathi sandalet e tua
dhe udhëto në rërën
që asnjë skllav nuk e ka shkelur ndonjëherë.
Zgjoje shpirtin tënd
dhe pi ujë në burimet
që asnjë flutur nuk i është vardisur ndonjëherë.
Shpërndaji mendimet e tua
drejt yllësive të qumështit
që asnjë i çmendur nuk ka guxuar t'i ëndërrojë ndonjëherë.
Largohu nga shkollat e nga dogmat:
misteret e heshtjes
që era ua sjell veshëve tu
të mjaftojnë.
Largohu nga pazaret dhe njerëzit
dhe përfytyroje panairin e yjeve
ku Orioni zgjat shpatën e tij,
ku buzëqeshin Plejadat
rrotull kandilit të Hënës,
ku madje asnjë fenikas nuk i ka lënë gjurmët e tij.
Mbille tendën tënde në horizontet
ku asnjë struc nuk ka ëndërruar të fshehë vezët e tij.
Nëse ti do që të rizgjohesh i lirë
si një fajkua që shpalon flatrat në qiej.
ekzistencën dhe asgjënë mbaji peshë
në flatrat e tua,
në jetën dhe në vdekjen tënde.
Përktheu: SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.