VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BERBERI
Nga DRITËRO AGOLLI

E Shtunë, 08.23.2014, 08:07pm (GMT1)




Shumë njerëz ka qethur berberi në jetën e gjatë
atje në floktoren e kthesës së rrugës NAIMI
shumë vdiqën fatmirë a të ngratë
shumë u vranë, u burgosën dhe jetën u mori mërgimi.

Qethi djaj e fisnikë, e kusarë dhe mjaft deputetë
dijetarë e memurë, kapterë e plot gjeneralë
presidentë të shkuar e të ardhshëm, dramaturgë e poetë
kardiologë e xherahë, e dentistë që shkulin dhëmbë e dhëmballë

Ah, nga gjithë mullarët me koka ç'na mbetën
po të bënte berberi një album nga kokët e qethura
sigurisht do i hapej një nam tërë jetën
si poetit të shquar në librin me vjersha të zgjedhura.

Ja ky flok i takonte filan presidenti
filan presidenti që vdiq a mbaroi i burgosur
këto balluke i mbante kusari më i madh i qytetit
kurse ato me tutje një pusht i brengosur.
DRITËRO AGOLLI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.