VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË ORË LUMTURIE
Nga ASDRENI

E Martë, 09.02.2014, 04:15pm (GMT1)



Hëna ndrinte porsi argjent
Kur nde kopshtije bashkë vinim
Dhe me dorën mbi krahun tënd
Të ndihnja mbi bar të rrinim.

Ah, sa ëmbëlsirë ndjeva
Kur dorën ma zgjate
Athere fare me s'e msheva
Mirëdashjen zemres sate.

Lulet na çonin një erë
Shumë të ëmbël e të pëlqyer
Edhe zefiret nga herë
Na kujtonin pa kursyer.

Rrezet që na përgëzonin
Kur ishim të përqafuar
Dashurinë na e shtonin
Me një mall të pa rrëfyer.

Sa fjal' t'mbla më thoshe
Kur përkëdheleshim të dy
Dhe me syçkat bukuroshe
Me bënje të mos ndahem nga ty.

Po dyshimi nuk më linte
të të besonj se ti më do
Si hëna që rrezet mshifte
Dhe i çonte ku desh ajo.

Veç atherë kupëtova
Se je zemër plot mëshirë
Dhe veten time e ngrova
Kur me puthe me dëshirë.

ASDRENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.