VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DHIMBJA E KARL GEGËS
Kushtuar arkitektit me origjinë shqiptare Karl Gega që hapi tunelin e Semeringut në Austri
Nga NAMIK SLEMANI

E Mërkurë, 09.24.2014, 08:10am (GMT1)


1.
Në të gjithë urat e botës
Shoh një sy të pagjumë të shqiptarit të mirë Karl Gega
Një dorë që zgjatet
Për të shënuar vijën e numrat e munguar, qoftë dhe pagjumësisht.
E me të krahët e brigjeve në Triesten diellore
Mund të bashkohen si flatra të patutura nga era.
Vetëm dhimbja e krenia për të
Mund të na sjellë kaq mall e dhimbje mbi tavolinë.

2.
Në tunelet e botës
Me sytë shqiptarë do bashkoj sërish Alpet gurqiklopikë
Në duart e tua
Përrallat përrallojnë të vërtetat e prekshme hyjnore
Një monument tjetër
Do ta vë në gjoksin e poetëve të mençur të kombit tim
E kreninë e pafshehur
Si lule do t'ia jap djemve ndër fjalët dritëshkronjore.

3.
Frynte një erë nga nëntoka
Bridhte qorrëruar cikma alpine, kristalonte sytë e gurtë e shpatet e mprehta
Ti prisje agime Semeringu
Si udhëtar i përjetshëm drejt sirenash e ëndërrave farfuritëse
O udhëtarë,
O ngarendës tunelesh, ulni kokën përpara shqiptarit të mirë Karl Gega
E prekni
Atë që dhjetra jetë të kishit, nuk do ta preknit nëpër vite.

4.
Me dritëhijen e jetës tënde, Mjeshtër,
Futem në kullën e dhimbjes së pabesisë ziliqare
Mbi trupin tënd
Klithmoj drejt qiellit e grushtet dhëmbëzoj i heshtur
Oooo, për ty Mjeshtër
Historia vika e diellëzuar dhe kur të godasin në shtigjet vrastare
E Lulet e kujtesës
Lulërojnë për ty sa për 100 mbretër njëherësh.

5.
Dhimbem me ty, Mjeshtër
Krenohem me ty mendjeartë
E derën krenisë nuk ia mbyll tërë jetën....
NAMIK SELMANI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.