VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DIKUR DHE TANI
Nga XHEVDET BAJRA

E Martë, 10.14.2014, 02:46pm (GMT1)



Flen e lodhur duke ëndërruar ditët kur hanim bukë e shpresë
E mbi qiell përdit kacavarej diell i verbëruar nga drita e vet
Aromë e trëndafilave hynte nëpër dritaren e hapur të bibliotekës së shtëpisë
Derisa shkruaja poezi për ditët që kurrë nuk erdhën
Të prisja me shishe vere mbi tavolinë
Dhe qiri të ndezur
Po
Bota ishte shumëngjyrëshe

Kur dielli binte si mollë e kalbur
Dhe yjet ndizeshin përreth nënës hënë
Çonim dashuri ndërsa gjinkallat këndonin
Një këngë më të vjetër se mosha e njerëzimit

Pastaj lufta na vodhi jetën që e patëm
Zbuluam sa bukur është të humbet puna
Të mbetesh në shtëpi o të del nga ajo
Pa e ditur se ku je nisur dhe çdo të bësh

Zbuluam se të thyehet këmba a dora
Do të thotë se je gjallë
Se jeta është e bukur
E hidhur dhe e bukur përderisa jetohet në liri

Tashti e kemi një bibliotekë pothuaj me të njëjtat libra
por në një gjuhë tjetër
Në një gjuhë tjetër shkruaj vargje për ditët që kurrë nuk do të kthehen
Në një gjuhë tjetër e kërkoj bukën në shitore
Në tjetër gjuhë
tani
dhemb jeta
XHEVDET BAJRAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.