VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SINTAKSA E KUJTESËS
Nga RRUSTEM GECI

E Enjte, 10.16.2014, 09:49am (GMT1)


Po të shkruaj çfarë kam veshur sot
dhe cilat këpucë i kam në këmbë
a kam ble këmishë, rrobat a i kam
të pastërta. Sot jam veshur ngrohtë

Po të shkruaj për të gjitha gjërat
Po të shkruaj sa mall kam për ty
e di s´e je nën një gur të rëndë
ku zëri dhe fjala nuk arrijnë dot

Po të shkruaj se të kam në kujtesë
po të shkruaj se të kam në dhimbje
disa gjëra ende s´ mund t´i them
po ka mjaft metafizikë në këtë jetë

Varret e Prishtinës ku t´i prehesh
janë të lira, të shkruara, me lule
varrin tënd ti s´mund ta shohësh
këtë verë unë e kam rregulluar

Gjithë jetën jetuam për një ëndërr
por atë ëndërr ende nuk e kemi
çastin kur at´e çlirojmë nga burgu
unë kujtoj se do jet festë e madhe

Në këtë vetmi jo dhe aq poetike
fjalët për ty i kam të zgjedhura
kjo botë kurrë s´është pa itaka
po ti qé gruaja e vetme për mua!..

Rrustem Geci, Dortmund, 15 tetor. 2014

RRUSTEM GECI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.