VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHTËPIA ME TULIPANË
Nga SULEJMAN MATO

E Hënë, 11.03.2014, 04:51pm (GMT1)



Është një shtëpi në periferi të Korçës
që ka një kopsht plot me tulipanë.
Aty dimrave erërat fryjnë si një mall i largët,
dhe dëbora ulërin si një harrim i bardhë.

Është një shtëpi e plakur dhe e harruar,
tulipanët në kopsht digjen si zjarre...
Brenda vërtitet një flutur krahëshkruar...
Sa e bukur ishte në prillin e malleve!?

Te ajo shtëpi unë shkoj shpesh, por veç në ëndrra,
dhe pres i shqetsuar të kërcasë një dritare.
Yjet lart heshtin si në një ceremoni mortore,
tulipanët në kopësht digjen si zjarre.

Tani te ajo shtëpi ka rënë dimri i pullazeve,
oxhaku nxjerr shtëllunga të bardha malli...
Ajo zbret çdo mëngjez në kopshtin e vet
të zgjojë rininë me dritë tulipanësh.
SULEJMAN MATO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.