VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VITI I RI NA JEP SHPRESË
Nga KUJTIM MATELI

E Mërkurë, 12.31.2014, 01:46pm (GMT1)



Ja dhe dita e fundit
Fill mbas saj,
Një fjogo e kaltër ditët e vitit mbështjell,
Ditë të mbushura me shqetësime njerëzish,
Mbushur me shira, me fruta, me diell.
Ndihet një parfum vjeshte në tavolinat tona,
Është tretur në ajër një zënkë e pak çasteve më parë,
Një trishtim që na vinte rrotull është tulatur diku,
Një gëzim i porsa lindur qoshen e bisedës ka marrë.
Ndjejmë nevojën për të folur më shumë,
Diçka e pathënë merr udhë dhe bëhet temë e bisedës.
Është çasti kur e duam më pranë njëri-tjerin,
Pyesim më shumë për njëri-tjetrin,
Gëzohemi më shumë për njëri-tjetrin.
Ato që s`mundëm t`i bëjmë nuk janë pak,
Njeriu gjithmonë është i penduar,
Gjithmonë e ka patur një shteg që s`e ka gjetur dot,
Ka patur një ftesë që s`e ka vlerësuar,
Në të njënjtin vend është rrotulluar kot.
Njeriu pendohet për çfarë nuk bëri mirë,
Po Viti i Ri na jep shpresë,
Na ndan nga e djeshmja si fëmijën nga nëna dhe na thotë:
Është një yll që njeriut duhet t`i prij,
Gotat ngrejmë dhe vështrojmë njëri-tjetrin:
A e ka gjetur secili yllin e tij?


KUJTIM MATELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.