VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DITËT
Nga GJIN GJONPALI

E Djelë, 01.04.2015, 06:12pm (GMT1)



Ne iu kërkojmë ditëve lumturi,
Ato na e falin sipas mënyrës së tyre,
E ne lumturohemi deri në shtat qiej.

Por ditët nuk janë tonat...

Ne ju kërkojmë ditëve gëzime,
Po ato ngatërrohen e na japin edhe brenga,
E ne i fajsojmë e nxihemi sterrë.

Por ditët nuk janë tonat...

Ne iu kërkojmë ditëve dashuri,
Ato na e shpërfaqin sipas mënyrës së tyre,
E ne digjemi flakë ndjesive të kaltra.

Por ditët nuk janë tonat...

Ne iu kërkojmë ditëve, rini të përjetshme,
Po ato na zbulojnë thinja me imazhe vjeshte,
E ne zhgënjehemi në pafuqinë e tyre.

Por ditët nuk janë tonat...

Ne iu kërkojmë ditëve të tjera ditë,
Po ato sosen për ne e shtohen për të tjerët,
E ne iluziojmë për tjetër jetë.

Pa e mësuar kurrë se ditët nuk janë tonat.
GJIN GJONPALI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.