VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BABAI SHTRIU KRAHUN
Nga SINAN KËRPAÇI

E Shtunë, 01.10.2015, 10:48am (GMT1)


Detin Jon kur ma tregoi
e shtriu krahun pa pëllëmbën e tij
dorën që ia mori e Dyta,
dorën edhe djalërinë
dhe e la me një mungesë,
një mungesë me pesë gishta.

S`e pati mundësinë ta përdorte kurrë
as në aritmetikën time të fillores
as të mbante të voglën time mbi shkronja.
Unë gjithnjë e pashë mungesën dhe dridhesha:
dridhem nga mungesa e madhe akoma.

Tutje pa nga shtrihej Joni. Tutje pa!
Edhe krahun, edhe fjalën bashkë i la
të më bëheshin Atdhe.

Pashë si e tundi jelenë ai mal
kur na mbajti ne të dyve në samar
me një Shqipëri në sy tej e tej
ditën që iu bëra dorë, ditën që iu bëra gishta,
ditën që iu bëra krah:

bashkë numëruam yjet
e një herë s`më la pa qiell si baba.

Lokal "MATEO", 2014 - 2015
SINAN KËRPAÇI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.