VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AH KURBET QOFSH I MALLKUEM
(Në frymën popullore)
Nga AGIM GASHI

E Enjte, 02.12.2015, 08:04am (GMT1)


Iku burri, e la gruen,
Gjashtë muaj pas martesës
Dhe ajo punon e vuen
I qëndron grue e besës.

Lindi djali, dhe po rritet,
Nji pas nji kalonin vjetët,
Nusja vyeshkët, vjetërohet,
Nga merzia zen e tretet.

Burri letra i dërgonte:
Punon ditë e punon natë,
Dhe s´pushon e shkreta grue
Tuj rrëmih token me shatë.

Djers e lot t´u i lëshue
Po i rrokullisen në tokë,
Pyet veten t´u vajtue:
-Athue vjen a e pres kot?!

Në mos ardhtë n´këtë pranverë,
Si t´ja baj o unë e mjera?
Do ti mbledh shoqet e ti pres flokët,
Të mbaj zi si grate e tjera.

Kur nji mbramje kthehet n´shpi,
Nga arat e rraskapitun,
Sapo hyni n´shtëpi brenda,
Gjeti vllaznit t´u e pritun.

E i thonë:-Ku je, ec shpejt,
Hypë sipër, shpejto vrap,
Dhe qilimat na i shtro
Se kan ardhë miq në fshat.

Menjiherë u pre e shkreta
U zbeh krejt, i iku nuri,
-Më thoni-tha, sot ka ardh´ posta,
Mos më ka vdekë burri?!

Dhe pa pritë o asnji fjalë
I ra kokes me dy dur´ ,
Të dy bashkë, nanë e djalë,
Nisën vajin pa pushu.

-Un´ e zeza, e unë korba,
Ah, punova natë e ditë,
I stolisa këto dhoma
Prita se do t ´vish nji ditë.

Njizet vjet që ne u ndamë
Tuj vajtue më shkoj jeta,
Nuk pash kurr nji ditë të mire
Tash çka baj unë e shkreta?

Tanë fuqitë mu kan pre
Skam e shkreta ma takat,
O fati im eja e merrëm
N´vorrin tandë aty bashkë.

Eja e merrëm se sdu të mbetem
Pas teje në jetë e gjallë,
Por me Ty aty të tretem,
T´bahem shkrumb si nji gjinkallë.

II
Qante e shkreta e nuk pushonte
Jo nuk ndalej me pushu,
Nanë e shkreta n´qoshe t´dhomes
Po nis djalin me vajtu.

Qyqja nana që pranë stu gjeta,
T´kisha t´vetun e t´kisha shpirt,
N´dhe të huej kur ndrrove jetën
Kush o bir ti mbylli sytë?

Kush të lau e kush të ndrroi,
Kusha ta bani o bir savanë,
E kush atë vorr ty ta mbuloi?
Po a pate njeri pranë?

Ban çka t´bash o biri i nanës,
N´kurbet t´zi ti mos të mbetesh,
Shqelmo vorrin, ngreju e eja,
Në atdhe o bir të tretesh.

III
Në oborr shumë nuse t´reja
Të pa burra grumbullu,
Flokëprishuna e faqeçjerruna,
Po lotonin pa pushu.

Ah kurbet ti na dalsh fare
Paske qenë bushter e ligë,
Ti nga gjitë na i more burrat,
Neve jetën na e nxitë.

Si ti rrisim këta jetima
Prap n´kurbet kan´ me shkue,
Na solle vner edhe verem,
Ah, kurbet, qofsh mallkue!

Dhe kështu jeta vazhdon
Nga fillimi përsëri,
Nuk ndalet dhimbja, derdhet loti,
Prej këtij kurbeti t´zi.

22.03.14

AGIM GASHI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.