VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PAMJE ME KOKRRIZË RËRE
Nga WISLAWA SZYMBORSKA

E Premte, 02.27.2015, 03:41pm (GMT1)


E quajmë kokrrizë rëre.
Por ajo nuk e quan veten as kokrrizë, as rërë.
Bën edhe pa emër
të përgjithshëm, të përveçëm,
të pashquar, të shquar,
të pacaktuar, të caktuar.
Nuk i jep rëndësi shikimit tonë, prekjes.
Nuk ndihet i shikuar, i prekur.
E nëse ka rënë në pezul të dritares
është vetëm një aventurë e jona, jo e saja.
Për të është sikur të ketë rënë mbi një gjë çfarëdo,
pa dashur t'ia dijë nëse ka rënë
apo do të bjerë prapë.
Nga dritarja ka një pamje të bukur mbi liqen,
po në atë pamje ajo nuk shihet.
Pa ngjyrë e pa formë,
pa zë, pa aromë e dhimbje
është mënyra e saj e të qenit.
Pa fund lakimi i fundit të liqenit
e pa breg lakimi i brigjeve.
As i lagur, as i thatë lakimi ujit të tij.
As njëjës, as shumës ai i valëve,
që murmurijnë shurdhe ndaj murmuritjes së tyre
rrotull gurëve jo të vegjël, jo të mëdhenj.
Është e gjitha nën një qiell për natyrë pa qiell,
ku dielli perëndon duke mos perënduar në fakt
e fshihet duke mos u fshehur prapa një reje të pafaj.
Era e pështjellon pa ndonjë arsye tjetër
përveç arsyes që të fryjë.
Kalon një sekondë.
Një sekondë tjetër.
Një sekondë e tretë.
Po janë vetëm tri sekonda tonat.
Koha kaloi si një korrier me një lajm urgjent.
Po është vetëm një paragjykim yni.
Trilluar personazhi, përvjedhur nxitimi
dhe jonjerëzor lajmi.
Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.