VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

XHIXHILÉ
Nga THANI NAQO

E Djelë, 03.01.2015, 04:48pm (GMT1)



Pa rënë muzgu ndezin zjarr,
Hëna tundet porsi dajre.
Ah, cigankat trupllastar,
Përdredhin belin me tinguj gajde.

Ç'm'i thëthin sytë m'e vogla,
Gjoksit varur një gjerdhan.
Tring-tring-tring beli me gogla,
Yjet qeshin, hëna qan.

Dum-dum-dumi fton në valle,
Thikat presin flakn' e zjarrit.
Ah, të kisha un' mustaqe,
E një thikë si të ciganit!

Flak këpucët e çorrapet,
Yjet qeshin, hëna qan.
Si cigan përvesh paçet,
"Xhixhile, aman, aman!"

Ze fryn flladi mbi rakita,
Xhixhilea pëshpërit:
"Që ta dish, kush thur kanistra,
Varr nuk ka, botën shëtit."

Dum-dum-dum e jar-na-na,
Flak' e zjarrit një thëngjill.
"Xhixhile, të keqen nëna,
S'është i yni, aman, mos dil!"

Çapëloj gjoksin e shtrydh zemrën,
Qeshin hënëzat përmbi pellgje.
-Xhixhile mos dëgjo nënën, -
Lotojnë yjet përmbi shelgje.

E gdhij natën si cigan,
Thur kasollen me rakita.
"Xhixhile, të kam xhan..."
"Oh, jam larg, po thurr kanistra..."

1970-2015
THANI NAQO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.