VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Topi dekoron artistin popullor Ali Mula me Urdhrin e Mjeshtrit të Madh
E Enjte, 02.12.2009, 03:29pm (GMT1)

NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin "Mjeshtër i Madh" artistin popullor Ali Mula me motivacionin: "Mjeshtrit të talentuar, që me pasion dhe dashuri të rrallë ju përkushtua hulumtimit, mbledhjes, studimit dhe transmetimit tek brezat e artistëve, të trashëgimisë folklorike të trevës së Tropojës, Malësisë së Gjakovës, si pjesë e thesarit të vyer të vlerave kombëtare".

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Këshilltari Juridik, Artur Metani, Presidenti Topi i dorëzoi Mula dekoratën duke i shprehur njëkohësisht urimet dhe konsiderata të përzemërta.

Nga ana e tij, Mula falënderoi Presidentin e Republikës për nderin dhe respektin e lartë që i bëri punës së tij shumëvjeçare dhe u shpreh: "Më lejoni, z. President i Shqipërisë, fjalët e para nuk i thotë goja ime sot, por i thotë zemra! Ju falënderoj deri në qiell! Ky nderim i madh që më bëni ju sot, nuk është vetëm i imi, është i gjithë miqve dhe shokëve të mi artistë, me të cilët bashkëpunova në jetë edhe mendoj se do të vazhdoj edhe pak. Ky nderim i përket popullit të Tropojës.

Unë me këtë rast falënderoj të gjitha organizmat, që më vlerësuan duke filluar nga Shoqata të Intelektualëve të Tropojës, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Qendra Kombëtare e Veprimtarisë Folklorike të Shqipërisë, Unioni Artistik Kombëtar, veçanërisht gjithë shokët e miqtë e mi të Tropojës, me të cilët bashkëjetova për një periudhë 70-vjeçare!. Një urim të veçantë i bëj të madhit dhe të voglit të Tropojës, të atij atij populli, që hapi dyert e tij me bujari, të shtëpive dhe të staneve e të bjeshkëve ku unë mblodha nektarin të kulturës së popullit të Tropojës. Edhe ata pa ndrojtje, ma dhanë edhe unë gjithashtu e dorëzova në duart e vëllezërve të muzikës shqiptare, të cilët me kujdes të madh e bënë të njohur në Evropë edhe në botë artin tropojan. Tropoja është një pemë e vogël, por ka superprodhim dhe unë mendoj që frute aq të mira, kurrë nuk i gjen gjë atje. Është kënaqësi e nder i madh, që unë jam bir tropoje.

Urimin e fundit e zgjedh të mirë: ju uroj ju z. President që derisa ta bashkoni Shqipërinë me Evropën, të jeni ju dhe rroftë populli shqiptar trim, bujar e besnik"!

Në ceremoninë e dekorimit të organizuar në mjediset e Pallatit të Brigadave ishin të pranishëm familjarë të rapsodit, deputetë, personalitete të artit dhe të kulturës shqiptare, figura të shquara nga Tropoja si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit.

Në përfundim të kësaj ceremonie, Ansambli "Dardania" i Tropojës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve dhanë një shfaqje artistike të një repertori folkloristik të përzgjedhur, kryesisht krijimtari të artistit popullor Ali Mula./Voal-online.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.