VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË PUNIM KOMPLEKS ME VLERA, PËRMASA DHE HAPËSIRA SHUMËDIMENSIONALE

Recension nga Akademik Prof. Dr. NAMIK SHEHU, Sekretar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane, New York


E Mërkurë, 03.17.2010, 09:32pm (GMT1)

 

 


Libri a përmbledhja e studimeve "Guxim shqiptar" e intelektualit, studiuesit dhe shkencëtarit Flori Bruqi konceptohet si një punim kompleks historiko-letraro-shkencorme vlera, përmasa dhe hapësira shumëdimensionale, të përfshira në tetë kapituj, me 45 tematika, dhe me 382 faqe; me materiale mjaft të zgjedhura dhe me interes, të studiuara dhe të përpunuara me kujdes të veçantë dhe të shkruara me vërtetësi reale, historike dhe kombëtare; në të cilën përmblidhet një game e gjerë dhe mjaft e larmishme e shumë fushave të jetës të së kaluarës dhe të së përditshmes, që kërkohen dhe janë të nevojshme të njihen, të mësohen dhe të përvetësohen nga gjithsecili,për t'u bërë pjesë e aktiviteteve të tyre në punë dhe në veprimtari.

Titulli i librit "Guxim shqiptar" përbën në vetvete një vlerësim special dhe një gjetje shumë të goditur të autorit, shprehur në mënyrë simbolike, që i lejon çdo patrioti shqiptar, me ndjenjë atdhedashurie, të zgjojë dhe të ringjallë tek ai: kombin (etnik) shqiptar, popullin e lashtë pellazgjiko-Iliro-shqiptar,legjendat e kahershme martire edhe të Mujës dhe Halilit, traditat zakonore, besën shqiptare, trimëritë heroike, të koduara në kanune dhe të trashëguara brez pas brezi si të shenjta dhe të paprekshme, duke u bërë simbol i vëllazërimit ballkanik, si është treguar gjatë historisë shekullore dhe të propoganduar nga të huajt.

Konsiderata më e veçantë e librit duhet të jetë përfundimi që do të nxjerrë lexuesi nga leximi i librit, i cili mendoj dhe konkludoj se do të përmblidhet në qëllimin që i ka përkushtuar vetes autori: në kontributin, mbështetjen dhe dashurinë që manifeston ai për Mëmëdheun, duke Ju përkushtuar në gjithçka dhe për çdo gjë, që qartazi shprehet dhe duket gati në çdo artikull që lexohet në libër, ku ndihet dhe konceptohet patriotizmi, ndjenja atdhetare, emri ilir, epirotas, arbëresh, shqiptar, që kudo e ndesh. Shkurt, nënkuptohet boshti ideor atdhetar, i pushtuar me brezin e kuq shqiptar mbarëkombëtar.

Ndërsa, vlera e vetë autorit Flori Bruqi duhet çmuar dhe admiruar me korrektësi dhe me modesti, përpara këtij punimi vëllimor, me tematikë të shumëllojshme, të profileve të ndryshme dhe me materiale të bollshme dhe me vështirësi interpretuese; të cilat janë paraqitur me mjeshtëri, me një mori njohjesh teknike, profesionale dhe artistike, të cilat i kanë dashur autorit kohë, mund, sakrifica dhe mjaft durim për t'i përballuar dhe për të arritur suksesin e merituar. Ato duhet ta gjejnë shpjegimin e vet të vlerësimit në përgatitjen e tij të lart profesionale, në njohjen mjaft të mirë të gjuhës shqipe, të pastërtisë dhe rrjedhshmërisë së saj, si dhe të shumë gjuhëve të huaja, të profesionit të vet; të vullnetit dhe durimit të një intelektuali të aftë, mjaft aktive dhe konsekuent për t'ia arritur qëllimit. Bindje për këtë mund të formosh nëse u referohesh punimeve dhe veprimtarisë letrare, artistike dhe shkencore që ka realizuar dhe kryer autori, në një kohë të shkurtër, ku brenda 11 vjetëve ka shkruar 24 vepra madhore të gjinive të ndryshme si dhe mjaft shkrime shkencore, që e kanë detyruar të bëjë "haram" edhe gjumin.

Zbërthimi analitik që mund dhe duhet t'i bëhet librit "Guxim shqiptar"është shpërblimi më adekuat, më i pranueshëm dhe më i zakonshëm që kërkon dhe që duhet t'i jepet me të drejtë autorit, siç e meriton, me gjithë vështirësitë objective dhe subjektive që hasen. Në kapitullin e parë mbi "Lashtësinë e historisë" autori ka meritë se ka ditur të zgjedhë dhe të na përfaqësojë historinë tone në periudha kohe të ndryshme, duke përfshirë tërë territorin iliro-arbëror me tema të denja, historikisht dinjitoze, me mburrje kombëtare dhe me të kaluar heroike.

Shkrimi "Pirrua i Epirit", kontibut i z. Sitky Jahjaj, i qëmtuar me vërtetësi nga autori Bruqi, është mjaft i qëlluar në këtë libër; se na njeh me sundimtarin më të shquar të Epirit, pasardhës i Akilit, i biri i Aiakidit dhe përfaqësues i denjë iliro-epirot dhe strateg i zoti, që diti të fitonte mbretërinë e humbur më 296 p.e.s. dhe që epirotët për trimërinë e tij e thërritnin "˜shqiponjë'dhe ushtarët ai i quante "˜bij të shqipes', duke krijuar më pas traditën shqiptare. Pirrua e rriti autoritetin e tij dhe të epirotasve, pellazgjiko-ilir me aftësi, trimëri dhe zgjuarsi, sa maqedonasit e shëmbëllyen me Aleksandrin e Madh dhe e ftuan për ta udhëhequr.

Pirrua ëndërronte perandori në perëndim. Ai i shkoi në ndihmë Tarantos kundër romakëve, që vërtet fitoi, por në histori ka hyrë me shprehjen " fitore si e Pirros ". Ai, në Sicili, më 278 p.e.s. mundi kartagjenasit; por karriera e tij aq e lavdishme u shemb në muret e Argosit nga goditja e një gruaje.

Artikulli " Beteja e Kosovës 1389 dhe kontributi i shqiptarëve "është një meritë tjetër e autorit, sepse evidencon rëndësinë e betejës së Kosovës si bashkim-unitet i ballkanasve kundër Perandorisë Osmane, si vendi i betejës së Fushë-Kosovës, të pjesëmarrjes së popullsisë masive të krahinës së Kosovës dhe vlerëson Milosh Kopiliqin si trim kosovar, i quajtur edhe princ arbëror, që Car Llazari, mbreti i Serbisë dhe komandanti i betejës së Kosovës, pranoi të zhvillonte një bisedë "kokë më kokë" me të si një komandant ushtrie, me historinë e një trimi që vrau sulltan Muratin II dhe ra si dëshmor, kurse popullsia kosovare e përjetësoi në këngë dhe e ktheu në legjendë të vërtetën e tij.

Në këtë betejë të koalicionit ballkanik, autori ka meritë se e pështjellon ngjarjen me korrektësi. Fakton bashkëpunimin e dhëndurëve të Car Llazarit, Gjergj Ballshajt dhe Vuk Brankoviçit me takimin e tij në 1388 për koalicion, se përmend luftëtarët e shquar shqiptarë, si: Gjergj Ballshaj, Theodhor II Muzakaj i Beratit, i cili u vra në betejë, për të cilët flasin edhe kronikat turke; se Beteja e Kosovës u mbështet nga një koalicion i gjerë, ku morën pjesë serbët, Vuk Brankoviç që drejtonte popullatën e Kosovës, shqiptarët dhe boshnjakët, duke iu kundërvënë historiografisë falsifikuese serbe, që mohon forcat e koalicionit,injoron historinë, ul vlerën e pjesëmarrjes së shqiptarëve dhe të boshnjakëve dhe akoma më keq, Milosh Kopiliqin e bëjnë serb dhe i shtrembërojnë mbiemrin. Këto konfirmohen nga vetë serbët, që u "zgjuan" vonë për ta njohur, besuar dhe për ta propaganduar betejën e Kosovës si mit në favor të tyre, kur etnologu VukKaraxhiç u kujtua dhe mblodhi disa rapsodi nga një i verbër rreth betejës së Kosovës, që më pas i besuan dhe ata vetë. Çudia vazhdoi edhe në ditët tona, shpjegon autori, kur Slobodan Millosheviç, për interesat e veta, të forcimit të pushtetit politik dhe moral, mitin e betejës së Kosovës e ktheu në thirrje për unitet, ku gjente edhe shkakun e humbjes së betejes dhe për jehonë organizoi 600-vjetorin e saj me pretekst për të rindërtuar apo dëbuar shqiptarët dhe për të luftuar kundër pavarësisë së Kosovës me terma të irredentizmit islamik, të terrorizmit, apo krimit të organizuar, të fabrikuar po nga ata vetë.

Mbrojta e Plavës dhe e Gucisë e viteve 1879-1880 është një dukuri tjetër e autorit, që dëshmon për atdhetarizëm, duke dokumentuar heroizmin dhe patriotizmin e pashoq të krahinë së Plavës dhe të Gucisë, të heroit të krahinës, Ali Pash Gucisë me shokë,të Kosovës , të Lidhjes së Prizërenit, të gjithë Shqipërisë, në mbrojtje të së drejtës dhe të tokave shqiptare, me vendosmëri,me luftë të pandërprerë, me gjakderdhje të pashoqe dhe me diplomaci kundër malazezëve, që sulmuan dy here në mënyrë të organizuar dhe me egërsi për të pushtuar Plavën dhe Gucinë në dhjetor 1879 dhe në janar 1880, por u sprapsën me trimëri, me guxim nga forcat e organizuara shqiptare, edhe pse u përdor dredhia dhe përkrahja e Fuqive të Mëdha. Evropa e kuptoj më në fund se vendi atje ka zot shqiptarët.

Dëshmitë dhe faktet angleze mbi konfliktin shqiptaro-malazez rreth Plavës dhe Gucisë të viteve 1879-1880 të përmbledhura në librin e studiuesit Idris Lamaj botuar në Nju-Jork në 1999; konfirmojnë pa ekuivokë shkrimin e autorit Bruqi.

Në vazhdim përmendim artikullin" Skënderbeu dhe rëndësia e infrastrukturës logjistike për të udhëhequr luftën "që autori me të drejtë e paraqet si një aspekt të rëndësishëm dhe tepër të veçantë të epokës luftarake të Gjergj Kastriotit, që historiografia dhe Sesioni Shkencor i Akademisë tonë, kushtuar 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut e kishin mënjanuar atë, duke e kthyer në legjendë strategjinë dhe betejat e tij luftarake, të cilat mbeten si të fundit .Ky shkrim shfaq interes dhe ka vlerë se për herë të parë evidentohet një koncept i ri, një ekspozim i një faze përgatitore dhe një moment vendimtar që duhet t'i jepet rëndësi në arritjen e suksesit të fitores së betejave, të vlerësuara me të drejtë edhe nga vetë Skënderbeu, që del më se qartas në artikull. Sekreti i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që i rezistoi Perandorisë Osman dhe fitoi, i dedikohet jo vetëm se ishte vërtet i zoti si strateg, por më tepër se ai iu kushtua dhe kuptoi rëndësinë e infrastrukturës logjistike për të udhëhequr luftën, duke u mbështetur nga suita e tij jofisnike, përbërë nga klerikë, e nga grupi i tij laik, që kryenin punën e diplomacisë, të legatave në qytetet e Italisë, të tregtisë, të lidhjes e bashkëpunimit me shtetet fqinje të Evropës Juglindore dhe Perëndimore nga ku siguronte paranë, armatimet, pagesën e mirë të ushtarëve,bazën financiare dhe organizimin. Në këtë shkrim del se si strategji të tij, Skënderbeu kishte Rodonin si kështjellën kryesore dhe se Lezha për të ishte udhë-lidhëse midis detit dhe malësisë .

Shkrim tjetër kurioz, origjinal dhe me interes mbetet "Napoleon Bonaparti dhe shqiptarët", ku autori jep informacione, njoftime historiko-premtuese mbi origjinën autentike edhe të mbiemrit të Napoleonit, perandorit të Francës .Studimet e autorit hapin fushë veprimi, sjellin burime të besueshme, mendime dhe citime optimiste të mjaft autorëve autoritarë të huaj, që na konfirmojnë bindjen dhe konsideratën që kanë të huajt të pranojnë se heronjtë tyre kanë origjinë shqiptare dhe që meritojnë përgëzime. Shkrimi sjell citimin e R. Anzhelit, qëi kujtonte botës se Napoleoni është po aq shqiptar sa edhe Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu, ku folklori popullor e ka rrënjosur në këngë: Ti shqipe ishe e Aleksandrit , zaptove botën dhe vajte deri në Indi. Me Pirron vojte kundra romakëve me Skënderbeun pëmbi osmanllinj. Na kujton dëshminë e Xhozefinës për prejardhjen nga Mali i Peloponezit të Napoleonit, thënien e vëllait të Napoleonit se kemi orgjinë arbëreshe, afrimi i Napoleonit me Ali pashë Tepelenën, dënimi nga ana e Napoleonit e gjeneralit të tij, që i theu në besë shqiptarët, si dhe supozimet se a dinte shqip Napoleoni, a i njihte zakonet shqiptare, na mbushin me krenari të ligjshme se trualli iliro-shqiptar ka rritur brezni trimash dhe burra të mëdhenj shteti, duke sjellë plot shembuj edhe nga historia.

Kapitulli i Dytë: Për Ramushin

I. " Dora e Zezë e serbëve vret çlirimtarët e Kosovës" ( Intervistë me Z. Adem Demaçi ).

Intervista me z. A. Demaçin duket mjaft serioze, e bërë në kohë të përshtatshme, me përmbajtje shumë dinjitoze dhe përbën një thirrje për drejtësi, për patriotizëm dhe dinjitet njerëzor. Përgjigjet janë parimore, mendimet janë të çiltra, realiste, burrërore, objektive dhe pa dorashka.

II. "Hero në luftë, hero në paqe - Ramush Haradinaj

"Titullin e shkrimit e konsideroj mjaft të përshtatshëm, emrin shumë të merituar, ndërsa përshkrimi mendoj se duhet të ishte më heroik, siç është, siç njihet dhe siç kërkohet të dihet për situatën dhe jo thjesht biografik. Akademia jonë në vitin 2005 ka reaguar me një letër ndaj Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë në mbrojtje të Ramush Haradinajt me këtë tekst: Krimineli dhe viktima nuk mund të ulen në një bankë gjykimi.

III. Ramushi - viktim e situatës (neo ) koloniale

Shkrimi mendoj se është një portretizim i denjë i figurës së Ramushit, ku përshkruhen kontributi dhe meritat e tij të padiskutueshme, puna dhe veprimtaria e tij prej një aktivisti, luftëtari dhe udhëheqësi trim dhe patriot. Atë e karakterizon burrëria e pashoq, guximi, zgjuarsia dhe drejtësia, për të përballuar padrejtësitë dhe akuzat e sajuara. Sugjeroj që figurës së Ramush Haradinit t'i jepet një vend më i merituar, më patriotik dhe më dinjitoz siç e meriton dhe e do situata.

Kapitulli i tretë: Antropologjia .

"Jakov Milaj dhe raca shqiptare".

Shkrimi është një kontribut i spikatur i autorit, që çmon librin "Raca Shqiptare" si një vepër dinjitoze, që nxjerr në pah për herë të parë dhe në mënyrë më të plotë, veçoritë antropologjike të shqiptarëve, duke i vlerësuar jo vetëm si një komb i kulturuar, por e përcakton me një prejardhje gjenetike sui generis, duke e veçuar si një racë që vërteton origjinën dhe identitetin shqiptar.

Ai na e kujton racën shqiptare, për ta besuar vetveten shqiptari, për ta njohur atë, se populli i Arbrit ka një origjinë të vetme, të përbashkët dhe autentike, në të gjithë vendin ku banon, pa pasur ndryshime esenciale ndaj përkatësisë fetare, krahinore, toskë apo gegë; por ka nevojë për një politikë shoqërore, që të mbrojë figurën fizike të racës shqiptare.

Autori argumenton qartë dhe me fakte bindëse se vepra e Jakovit zë një vend të merituar në literaturën antropologjike shqiptare, se evidenton dukshëm cilësitë fizike, pasqyron filozofinë, shkencën dhe terminologjinë e kohës së vet dhe merr shumë informacione të vyera, ku njihet me tipat fizikë në evolucionin e tyre, që e përcaktojnë shqiptarinë si race të veçantë. Flori Bruqi u kundërvihet me të drejtë, me argumente dhe fakte bindëse disa "studiuesve modernë", që duan t'i errësojnë vlerat e punimit shkencor të Jakov Milajt.

Kapitulli i Katërt. Politika

Arvanitasit, Çamëria , Epiri i Veriut dhe gjendja sot

Shkrimi evidenton me mjeshtëri, me hollësira, me dokumente dhe me fakte historike: 1.Djallëzitë e qarqeve greke ndaj popullit arvanitas, që i dha pavarësinë popullit grek, ku mbi 90 % e tyre me heronjtë legjendarë, si: Xhavellon, Boçarin, Bubulina etj.; u bënë therorënë luftë.

2. Gjenocidin e egër të shovinistëve grekë me Venizellon në krye ndaj popullit çam autokton, parahelenik në token e tyre, të cilët i shfarosën,i dëbuan mbi 30 mijë çamë dhe i persekutuan, duke a u marrë tokat dhe gjithë pasurinë në sy të Fuqive të Mëdha.

3. Agresivitetin dhe armiqësinë ndaj fqinjit të tyre Shqipërisë për pretendimet absurde dhe të padrejta përVorio-Epirin, duke bërë vrasje, tortura, djegie dhe dëbime masive me dijeni të Evropës.

4. Padrejtësitë ndaj Shqipërisë, duke e copëtuar më dysh në 1913 si dhe pabesinë ndaj popujve fqinjë dhe dinakërinë që kanë treguar ndajë Fuqive të Mëdha.

Autori përmend me argumente qëndrimin agresiv të qarqeve greke, që mbajtën gjatë periudhës së demokracisë, ku dogjën shkolla, fshatra dhe bënë tortura dhe masakra që të kujtojnë periudhën e kaluar.

Dëshmi e qartë e dinakërisë dhe djallëzisë së tyre, që nuk njeh kufi, është dhe ardhja e Janullatosit si kryefetar i ortodoksëve shqiptar, për të sjellë ngatërresa ndërfetare.

Artikulli mbetet si një akt mbështetës, nxitës dhe si një dokument me rëndësi për popullin çam për të kërkuar të drejtat e tyre legjitime, nëpërmjet të gjitha formave deri në Starzburg, me anën e organizatës së tyre politike.

A ka intifadë shqiptare në Iliridë?

Artikulli është i parapëlqyer se nxjerr në dukje dhe merr më shumë në konsideratë përpjekjet e shqiptarëve të Iliridës, për të fituar dhe konfirmuar me ligje dhe me kushtetutë të drejtat e mbi 40 % të shqiptarëve në shtetin maqedon. Ai mbështet miratimin e të drejtave të njeriut, gjuhën amtare, flamurin kombëtar, njohjen e identitetit dhe të zakoneve të popullit shqiptar, të padiskutueshëm për një komb.

Pushtetarët e kanë frikë heroin e demokracisë.

Shkrimi nxjerr në dritë një të vërtetë aktuale, që duhet të bëhet shembull i një veprimtarie të guximshme vetëmohuese dhe burrërore në mbrojtje të të drejtave të popullit të tij të shumëvuajtur dhenxit rininë për t'u bërë flamurtare në interes të atdheut.

Nder, respekt dhe krenari është përcaktimi i Albin Kurtit, që mbetet një shembull frymëzimi për të gjithë rininë kosovare.

Mirupafshim në Kosovën e lirë.

Përbën një përgjigje mjaft sfiduese, shumë kuptimplote dhe tepër korrekte për kërkesën absurde dhe të papërgjegjshme, që bën një pretendues që mban edhe petkun e zi të një kleriku, kur me dashje harron arkivat e Raguzës, të Gazulit, Buzukut etj.

A do të ketë një Nuremberg Shqiptar për komunistët dhe krimet e tyre?

E vlerësuar si një deklaratë që bënë jehonë dhe formulon një thirrje për drejtësi, ajo duhet të konsiderohet si nxitëse për të gjetur zgjidhje sa më objektive dhe në një kohë sa më të përshtatshme.

Kapitulli i pestë. Spiunazhi

Agjentura greke dhe Sigurimi i fshehtë i Shtetit Shqiptar.

Autori Flori Bruqi me tëdrejtë na njeh në libër me këtë material faktik, për të na vënë në dijeni më mirë edhe më tepër për ndërhyrjet, pabesitë, agresionin dhe spiunazhin grek ndaj Shqipërisë, popullit dhe kufijve të tij, të nisur prej kohësh qysh gjatë periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare. Aty evidentohen me fakte, dëshmi dhe me deklarata nga spiuni grek, të deponuar para seancave gjyqësore të gjykatës shqiptare, për grupet e spiunazhit, të rrjeteve organizuese dhe të çetave veri-epirote, që kryenin masakra, tortura dhe shkatërrime në dëm të popullit dhe të shtetit shqiptar.

Kush janë agjentët me influence në Kosovë?

Në shkrim njihemi me fakte dhe dokumente mjaft interesante të sigurimit të fshehtë,që kanë shërbyer si forcë lëvizëse në situata kritike, duke lozur rol vendimtar edhe më të fuqishëm se forca ushtarake apo diplomacia për të arritur fitoren. Për ta bërë më bindëse forcën e sigurimit, sillen fakte nga historia e sh. III p.e.s. të Sun Xus, që thoshte se spiuni është i domosdoshëm. Kujtohet mashtrimi i kalit të Trojës, apo aftësitë e spiunazhit rus të Zorkit në Japoni, ose lufta e spiunazhit midis KGB dhe CIA, që përmbysi pushtetin sovjetik si dhe së fundi terrorizmi i 11 shtatorit 2001, që kanë dëshmuar për forcën kolosale të sigurimit dhe të organizimit të fshehtë në arritjen e fitores. Në këtë aspekt, thuhet në shkrim, duhet parë agjentura e spiunazhit të fshehtë serb në Kosovë, që ka punuar dhe punon nga të gjithë krahët, duke rekrutuar kosovarë të gënjyer në bashkëpunim me mendjen e djallëzuar për të krijuar frontin e spiunazhit që e ka tronditur Kosovën. Agjentët më të rrezikshëm në Kosovë mbeten spiunazhi - sigurimi i fshehtë dhe organizmat klandestinë, që kanë vepruar në mënyra të fuqishme, të padukshme e mashtruese dhe të paraqitura si mjete më të fuqishme se çdo armë vepruese, që arrin të parashikojë dhe të paralajmërojë fitoren.

Kapitulli i gjashtë. Gjuhë, letërsi

Origjina e gjuhës shqipe.

Artikulli vlerësohet si një përshkrim, prezantim dhe studim i thellë dhe i përpunuar i historisë dhe shkencës së origjinës së gjuhës shqipe, e përcaktuar siç është e vetme në familjen paraindoevropiane, duke u përballuar me dy teza : të ilirishtes më të besueshme dhe të trakishtes; të denja dhe të dokumentuara nga albanologët e huaj dhe vendës. Gjuha shqipe autoktone në Ballkan, e pellazgëve me "figurë hënore", që autori e nxjerr të shkruar nga viti 1462, por që dokumentet e fundit e sjellin edhe më herët rreth 1200, të zbuluar në Vatikan.; kurse logjika natyrisht të çon akoma më herët.

Ndjen kënaqësi dhe krenari kombëtare, kur njihesh me fakte historike nga të huajt, nga klerikët shqiptar dhe nga albanologët tanë mbi gjuhën shqipe të shkruar, mbi alfabetet e krijuara, të përpunuar në kongreset gjuhësore, të ngritur në gjuhë standarde, të njohur me veçoritë e gjuhës sonë, të elaboruar nga korifenjtë: K. Kristoforidhi, E. Çabej , A. Buda, M. Domi, I .Ajeti dhe nga arbëreshët me në krye J. De Rada dhe që kjo gjuhë e Naimit po flitet sot nga 15 milionë shqiptarë në botë dhe nga 7 milionë vendës në Ballkan, si dhe nga albanologë në shumë shtete, dhe po mësohet në shumë universitete të botës dhe ku gjen libra shqip në vendet më të zhvilluara të rruzullit tokësor. Rëndësia e këtij artikulli qëndron në faktin se aty gjendet gjithçka që duhet, e shkruar me kujdes, me vërtetësi, me hollësi dhe në baza shkencore.

Censura dhe shterpësia letrare.

E konsideroj një diskutim filozofik me objektivitet real, gjetjen dhe shqyrtimin e vërtetësisë letrare atje ku nuk ka krijimtari të lire, të vërtetë, por të censuruar.Atje ku shkrimtari bëhet i vetëdijshëm se ai sheh, ndjen dhe mendon, por nuk mund t'i thotë, se të tjera është i shtrënguar të shpreh, edhe pse vetë nuk i beson. Kështu, ca heshtin, të tjerë mundohen të bëhen përkthyes dhe ndokush i fut shkrimet në sirtar, se kështu i duket më drejt për t'i ruajtur; duke konkluduar se censura censuron ata që pranojnë të censurohen servilët e regjimit.

Materiali i autorit i shtjellon me hollësi dhe nxjerr si përfundim se censura të shpije në shterpësi letrare, që në regjimin totalitar, krijuesi dhe artisti arrijnë të kthehen në një zanatçi, të instrumentalizohen dhe të diktohen nga censuruesi, duke i dhënë tema të gatshme për të shkruar, për ta depersonalizuar; për të qenë pa personalitet, pa vullnet, pa dëshirë dhe pa dashuri.

Kjo ka sjell si konkluzion edhe boshllëkun që ekziston edhe në ditët e sotme në letërsi, që po kthehet në imitim të perëndimorëve. Autori diskuton edhe si dëm në letërsinë shqipe përkthimet e veprave të I. Kadaresë nga Jusuf Vrioni, në aspektin se janë përkthyer vepra shqip në gjuhë të huaj, që nuk sjellin aq vlera letrare, se sa përkthimet e letërsisë nga gjuhët e huaja në shqip, se kontribuojnë më shumë dhe krijojnë horizont më të gjerë letrar, duke detyruar disa shkrimtarë të heqin dorë nga të shkruarit në kohën e diktaturës.

Lavdi De Radës.

Kjo jehonë dhe thirrje evidenton personalitetin dhe autoritetin e figurës më të shquar letrare të letërsisë së re, që përfaqësoi me dinjitet iluminizmin e ndritur, që do të lindte dhe do të frymëzonte patriotizmin, idealizmin, traditat dhe heroizmin e popullit shqiptar. J. De Rada lëvroi me mjeshtëri, me zgjuarsi, me shumë kujdes dhe me aftësi profesionale rapsodinë shqiptare, duke sjellë një xhevahir të traditës gojore popullore, shpalljen e Milosaos në 1836 si kryevepër e parë shqiptare në botën shqiptare, duke i thurur lavdi trashëgimisë popullore dhe detyroi të zgjohej kureshtja e të huajve La Martin dhe Ygo, që ta admirojnë etj. Ai shkroi vargun e famshëm"Erdhi ditë e Arbrit", duke dhënë kushtrimin se dy shtetet e veriut të Bushatllijve dhe e jugut të Ali pashës, nuk u varrosën, por janë ripërtërirë me idenë e re të çlirimit kombëtar.

Jetoi gjatë dhe prapë Arbërinë të lirë nuk e pa, por edhe kur u bë e përgjysmuar Shqipëria, atë nuk e njohu dot se ajo ishte analfabete.

Branko Merxhani. Ky emër i harruar i gazetarisë shqiptare

Përmendet me të drejtë si një nga penat më të spikatura dhe më të mprehta të viteve "˜30-të në Shqipëri, si gazetar, publicist dhe përkrahës i idesë së neoshqiptarizmit për një zhvillim kulturor jashtë politikës dhe u dallua si një aktivist i palodhur, për përhapjen e dijes dhe të atdhetarizmit, kudo ku punoi në Shqipëri, Athinë e në Turqi. Bashkëpuntorët e tij, Nexhip Alpani dhe Petrua flasin me respekt për kontributin e vlefshëm dhënë në publicitet, ndërsa Flori Bruqi me konsideratë shprehet: figura e harruar e Branko Merxhanit duhet të nderohet, të respektohet dhe të vlerësohet me dinjitet në median e sotme.

Ismail Kadare.

Në librin kronik në gurë, thotë autori, dëshiron të ndryshojë rrjedhën e romaneve si nga ana e paraqitjes dhe të ngjarjeve, megjithëse shfaqen edhe shumë mendime dhe alternativa komplekse; por duket se ajo po ndjek vazhdën e luftës, për të reflektuar dhe për t'i parë personazhet me syrin e një fëmije, të vetvetes, pa pasur ndonjë ndikim partishmërie, duke pasqyruar edhe vlerat e një rëndësie etnografike që Gjirokastra e ka pasur traditë.

Klasikët e romanit postmodernë.

Është në nderin e autorit që në librin e tij diti të zgjedhë dhe të përfshijë tri personalitetet më të denja, më të kërkuara dhe më të zgjedhura, që kanë bërë emër dhe e kanë përfaqësuar me autoritet dhe me dinjitet epokën postmoderne me veprat e tyre. Le t'i përmendim për respekt: Valero Massino Manfredin me trilogjinë e Aleksandrit të Madh, Umberto Econ me Flakët misterioze të mbretëreshës Loana dhe Aleksander Bariccon me Novoçenton apo Legjendën e pianistit, të tre autorë, me tri histori dhe vetëm me tri romane, sollën imazhin e tri epokave, duke pasur vetëm dy gjëra të përbashkëta: atdheun -Italinë dhe famën e tyre ndërkombëtare.


Homeri dhe Odisea nuk kthehen më në truallin grek.

Artikulli evidenton me hollësi dhe me fakte krizën dhe vështirësitë që po has letërsia greke për të kapërcyer izolimin kombëtar të literatures së vendit, e cila u vu në dukje më së qarti në panairin e Frankfurtit në gjermani. Grekërit po përpiqen të mbijetojnë, nga mbiprodhimi i botimeve, që i sjellin në jetë më lehtë se fëmijët e tyre. Po përkthejnë sa më shumë në gjuhë të huaj, hoqën dorë nga fjalori mitologjikë grek dhe nga Homeri, që ishte krenaria e tyre, siç bëri Elitys, edhe sepse ishte formuar boshllëk i madh mbi dymijëvjeçar, nga lulëzimi helenik, që akuzohet se kishte vjedhur mite dhe legjenda nga lindja.

Në 60-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe atdhetarit Jusuf Bardhosh Gërvalla.

I njohur si intelektual me merita, autori thekson se nuk duhet të harrohet, por të çmohet si shkrimtar me vlera të larta si poet, prozator, dramaturg, atdhetar, si një figurë poliedrike dhe simbol i kombit, mbasi mbetet edhe nga më prodhimtarët në trashëgiminë e dorëshkrimeve.

A është Rifat Kukaj një thesar shqiptar?

Vlerësohet si një veprimtar mjaft inkurajues, që ka shkruar mbi 40 vepra letrare, libra dhe romane dhe mbi 30 punime të dramatizuara, duke arritur një sukses të merituar në lëmin e letërsisë, ku spikatin proza dhe poezia, të vlerësuara edhe me shumë çmime. Kontribut të veçantë ka dhënë në edukimin e brezit të ri dhe në letërsinë e fëmijëve.

Në vend të përkujtimit: Mehmet Kajtazi.

Njihet si gazetar me kontribute të veçanta, por ka shkruar edhe vepra letrare në poezi dhe në dramë. Përmendet si aktivist dhe atdhetar dhe kujtohet me respekt dhe me nderim për dramën e tij "Një natë e fundit në Goli Otok", që i kushtohet popullit të tij dhe përshkruan vuajtjet e torturat në këtë kamp internimi. Në kujtim të tij autori përmend shkrimin e tij"Kultura bashkon kombin".

Kush është Kolec Traboini?

Autori me dashamirësi përgjigjet se është një shkrimtar, gazetar, publicist, që ka shkruar vepra letrare, prozë, poezi, skenarë, me tematika të ndryshme, të karakterit shoqëror, patriotik, erotik dhe dallohet për një stil të tij origjinal dhe për një humor të hollë me karakter konstruktiv dhe dashamirës. Ai ka drejtuar gazetën Egnatia me përgjegjësi dhe ka dhënë një kontribut të ndjeshëm me shkrimet e tij në hapësirën virtuale me të cilat mund të njiheni edhe në libër.

Kozeta Zylo.

Prezantohet si një aktiviste e dalluar e komunitetit shqiptaro-amerikan e Nju-Jorkut, si një intelektuale dhe pedagoge e respektuar në institutin amerikan Globus në Bruklin, si një publiciste, letrare dhe poete, që po bën karrierë. Intervistat e shumë intelektualëve e vlerësojnë Kozetën si një poete me perspektivë dhe e komentojnë librin e saj poetik, Monumentin si një vepër me perspektivë. Ajo ka shkruar edhe një libër tjetër poetik, ku jepen përshtypje të mira.

Kush është Gani Xhafolli?

Njihet si shkrimtar. që ka publikuar mbi 20 vepra letrare, si poezi, romane dhe është vlerësuar me çmime. Ka ende shumë materiale në dorëshkrime, që presin radhën për t'u botuar. Nga poezitë më tepër i është çmuar libri poetik "Gjeometria e syrit", për të cilën ka mjaft komentime interesante.

Kush është Nehat S. Hoxha?

Ka bërë emër si letrar, poet dhe përkthyes. Ka shkruar 5 libra artistikë dhe ka përkthyer mbi 18 vepra artistike nga anglishtja, me materiale të filmit artistik, arsimor dhe vizatimor. Ai ka bërë dhe mjaft adaptime për TV,radio, gazeta dhe për revista. Është një aktivist dhe organizator i palodhur dhe pjesëmarrës në delegacionet e huaja.

Muhaxhedinët si "Golden Boys". Flitet për Bernald Henri Levyn, autor i librit " Kush e vrau Daniel Pearl", që është një dokument, që bënë një analizë letraro-politike, me aspekte të shumta moralo- kulturore e filozofike; që më shumë se çdo burim i mundshëm, të lehtëson udhëtimin në zemrën e Al- Kaidës dhe është një homazh për një gazetar që mizorisht ekzekutohet pse donte të zbulonte një të fshehtë të vërtetë.

Rekuiem për...

Aty njihemi me përshëndetje, konsiderata dhe alternativa të "përzemërta"!

Persekutimi komunist mbi vajzat e Bajram Currit.

Dëshëroj që artikullin ta parafrazoj me një nënkuptim të lartë për nder të Bac Bajramit, duke shprehur për familjen: Konsideratë të veçantë, respekt, nder, admirim për fisnikërinë, atdhedashurinë, mirësjelljen, mikpritjen që kanë manifestuar pjesëtarët gjatë jetës së tyre me gjithë keqtrajtimet që kanë pësuar. Kjo bëhet edhe në përkushtim të kujtimit të të paharruarit Bajram Curri, heroit legjendar të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Polemikë pa dorashka. Klajd Kapinova.

Duke mos dashur të prononcohem ,të më falni; por për të mos qëndruar indiferent, do të dëshiroja të jepja disa mendime shoqërore: I konsideroj si replika të pakuptimta midis intelektualësh. Të pasinqerta midis shoqërisë. Me interpretime jomiqësore për jetën dhe pa baza morale për kohën.

Letër e hapur organizatorëve dhe spektatorëve të koncertit të Goran Bregoviçit. Argumenti : Analizë dhe koment

Konkluzioni që del nga artikulli është më se i qartë: një"akuzë"e drejtë, e ndershme dhe e sinqertë që u drejtohet organizatorëve, edhe pjesëmarrësve dhe një fyerje për popullin shqiptar e sidomos kosovar, që me dashje apo pa dashje ose të rënë në kurth, kanë lejuar një bashkëkombës serb të japë koncert në mes të Tiranës, duke u njohur si i padëshirueshëm, për të penguar pavarësinë e Kosovës me gjithë autoritetin e tij.

Kapitulli i shtatë. Psikoanaliza, Astrologjia dhe Erotika

Ç'është psikologjia, psikanaliza dhe kush është Zigmund Frojd (Siegmund Freud )?

Shkrimin e vlerësoj si një artikull shkencor, përshkruar me mjaft saktësi, me nocione shumë të qarta, korrekte, me karakter filozofik, që përbën një material mjaft të nevojshëm për çdo intelektual të çdo profile. Aty gjen të zbërthyer terminologjitë e nevojshme të psikologjisë, psikanalizës dhe të psikoterapisë. Nga leximi me kujdes i materialit del një kokluzion i madh: ne të gjithë kemi nevojë dhe duhet ta njohim më mirë vetveten, megjithëse është e vështirë.

Figura e Zigmund Froidit jepet mjaft e qartë, me të gjitha atributet dhe veprimtaritë e tij prej një shkencëtari kolos, që krijoi psikanalizën duke filluar nga vetja e pastaj kaloi tek pacienti.

A duhet besuar Horoskopi?

Ai vlerësohet dhe konsiderohet si një art parashikues, me histori shumëshekullore, me ecuri trashëgimore, me njohje dhe besueshmëri të shumë brezave, të kthyer në "mjet-art-parashikim", "i besueshëm", por edhe sfidues. Pra, a duhet besuar?

Shkenca i bie shkurt JO, se s' ka baza shkencore. Po a i mbush mendjen "botës"?!
Kjo kushtëzohet me shansin- fatin-ndikimin dhe besimin. Shumëkush e beson astrologjinë qiellore, sepse thuhet se horoskopi gjen gjithçka. Ndoshta!

Por, kjo vjen nga besimi i verbër dhe se mendja jonë gënjehet. Mirëpo, ato kanë marrë një përhapje kaq të madhe nëpërmjet shenjave të zodiakut, sa që profecia është kthyer si në një perëndi dhe megjithatë nuk duhet besuar.

Psikologjia erotike.

Të dhënat e paraqitura, ndonëse me informacione të shkurta, dhe me materiale orientuese të sferës erotike, mendoj se nuk do ta justifikonin prezencën e tyre të qëndronin krahas materialit aq serioz historiko-letraro-shkencor që është parashtruar në libër me aq kompetencë dhe dinjitet.

Kapitulli i tetë. Çka janë sëmundjet ngjitëse seksuale?

Shkrimi është një literaturë shkencore popullore mjaft e nevojshme , shumë e rekomandueshme dhe më se e domosdoshme për t'u njohur nga të gjithë, për të pasur dijeni për sëmundjet seksualisht ngjitëse, për t'u ruajtur, për t'u mbrojtur dhe më në fund edhe për t'u mjekuar.

Materiali është mjaft orientues, i asimilueshëm, i kuptueshëm, por ka nevojë edhe për plotësime.

 

 

KUSH ËSHTË FLORI BRUQI ?

 

Flori Bruqi lindi më 29 qershor të vitit 1952 në Isniq të Deçanit, Kosovë. Studimet e Defektologjisë i kreu në Beograd, ndërsa ato postdiplomike (Magjistraturë) në Universitetin e Prishtinës - në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit (2004). Bashkëpunoi më shtypin e përditshëm e periodik të vendit dhe të jashtëm që nga viti 1974 e deri me tash (" Bota e re"-Prishtinë,"Rilindja"-Prishtinë, "Danas"-Zagreb, "Dello"- Lubjanë,"Dnevnik"- Lubjanë, "Veqer"- Maribor,"Le Mond","Corriera della Sera" etj).

Është anëtar i Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës ( 2000 ).

Është menaxher i kompanisë "Flomed" nga Prishtina dhe menaxher gjeneral për Kosovë në distribuim të preparateve farmaceutike të "Schulke-Mayr-"it të Gjermanisë dhe "Borer Chemie AG" të Zvicres.

Flori Bruqi, mbrojti punimin e magjistraturës më titull "Dallimet në disa ndryshore fiziologjike ndërmjet studentëve sportiestë dhe jo sportistë , para dhe pas vrapimit 400 metra " para komisionit shkencor - të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit në Prishtinë, në përbërje - Prof. Dr. sc . Hasim Rushiti, kryetar, Prof. Dr. Hysni Daka, mentor, Prof. Dr. sc. Mustafë Aliu, anëtarë .

Magjistri i tashëm i shkencës së "Fiziologjisë kineziologjike", Flori Bruqi ka zbatuar një metodologji të avancuar shkencore gjatë këtij hulumtimi të tij në 22 parametra morfologjikë-fiziologjikë duke përdorur kriteret e avancuara të "Programit biologjikë ndërkombëtar" të Weiner-it dhe Louri-esë; "Praktikumin e antropologjisë biologjike" të Buzin-ës më bashkëpunëtorë; "Parktikumin e fiziologjisë sportive",të Heimer-it më bashkëpunëtorë; "Udhëzuesit Kombëtarë të Asociacionit Shëndetësor Amerikan" etj. Punimi i magjistraturës të Flori Bruqit, është vlerësuar lartë nga komisioni shkencorë dhe i cili ka shfrytëzuar burime më të reja të literaturës (citon 49 referenca librash më të rinj nga kjo lëmi shkencore) si dhe ka përdorur 17 web-adresa portale relevante që merren më këto hulumtime të "Fiziologjisë kineziologjike" botërore.

 

 

Veprat

 

Deri më tash ka botuar këta libra:

Zjarri i diellit, poezi, Prishtinë, 1995.

Ndërgjegjja, roman, Prishtinë, 1995.

Vrasësit e liridonëve, roman, Prishtinë, Tiranë, 1996.

Ringjallja, roman, Tiranë, Prishtinë, 1996.

Gjarpërinjtë e pallatit, roman, Tiranë, Prishtinë, 1996.

Dorëzeza, roman, Tiranë, Prishtinë, 1997.

Tokë e djegur, roman, Shkodër, Tiranë, Prishtinë, 1998.

Burri dhe gruaja, libër shkencor, Tiranë, Prishtinë, 2000.

Pallati i akereonit, roman, Tiranë, Prishtinë, New York, 2000.

Vademecum DDD, libër shkencor, Prishtinë, 2002.

Struktura faktoriale e dimensioneve antropometrike dhe fiziologjike, Prishtinë, 2004.

Ndikimi i sportit në personalitetin e njeriut, libër shkencor, Prishtinë,2004.

Delinkuenca e të miturve dhe ushtrimet fizike, Prishtinë, 2004.

Vademecum për preparate higjenike të "Schulke Mayr" it, libër shkencor, Prishtinë, 2004.

Dallimet në disa ndryshore fiziologjike ndërmjet studentëve sportistë dhe jo sportistë para dhe pas vrapimit 400 metra (Punim magjistrature, Prishtinë 2005).

Antropometri-Jakov Milaj "Raca shqiptare", recension i zgjëruar i botuar në Floart, 2005.

Si ta njofim internetin, Flomed, tetor-2005.

Sëmundjet infektive seksuale, Floart, tetor-2005.

Udhëzues i shkurtër i preparative dezinfektuese, Flomed, 2006.

Merruni me sport dhe ushtrime fizike për t'u relaksuar, Floart, janar 2006.

Kosova nuk është i berzë e zezë, Floart, dhjetor 2005.

Fshehtësitë dhe të vërtetat për virusin avian', Flomed, 2005.

THE ECONOMIC ASPECTS OF SPORTS RECREATION AND HEALTH, Sport ritmi-zemrës, janar 2006, etj.

DETERMINANTAT SOCIO-PSIKOLOGJIKE TË USHTRIMIT FIZIK (Hulumtim socio-psikokineziologjikë më studentët e Universitetit të Prishtinës), Flomed, 2006.

Guxim shqiptar, Prishtinë, 2008.

 

Ka botuar 21 fejtone publicistiko-shkëncore në gazetën "Rilindja" të Prishtinës, në periudhën 1974-1982., si dhe mijëra punime në shumë web faqe interneti (2003-2008).

Akademik Prof Dr Namik Shehu


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.