VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kryevepra e Kadaresë "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" botohet edhe në gjuhën rome
E Djelë, 02.22.2009, 09:50am (GMT1)

Voal-onlineVoaKryevepra e shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", nga dita e premte mund të lexohet në gjuhen e tyre, edhe nga qytetarët e komunitetit rom me titull "Mula armadako generalo".

Kjo kryevepër e Kadaresë e përkthyer rrjedhshëm nga gjuhëtari Ibrahim Elshani është promovuar të premten në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Elshani, i cili dallohet për përkthimin e disa veprave tjera nga gjuha shqipe në gjuhën rome, tha se përkthimi në këtë të fundit është i vështirë për faktin se gjuha romë është e varfër nga leksiku.

"Mula armadako generalo", siç u tha në promovim, është përkthyer dhe botuar nën përkujdesjen e Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ndërsa projektin për përkthimin e tij financiarisht e ka mbështetur Ambasada Zvicerane në Kosovë dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Shefi i Zyrës së Këshillit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Prishtinë, Bashkim Hisari, duke folur në këtë promovim, ka thënë se në Kosovë po bëhen përpjekje për të siguruar përmbushjen e plotë të të drejtave të njeriut, posaçërisht ato gjuhësore të komuniteteve pakicë.

"Letërsia dhe kultura në përgjithësi janë fusha që kërkojnë një vëmendje dhe përkushtim prioritar. Këtë shumë mirë e ka kuptuar Ibrahim Elshani, i cili ka përkthyer romanin 'Gjenerali i ushtrisë së vdekur', të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili jo vetëm që është i njohur, por edhe i vlerësuar nga kritikët letrarë, për ç'arsye edhe u propozua shumë herë për çmimin Nobel", ka thënë ai.

Ndryshe, Romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" është kryevepra e Ismail Kadaresë, e cila e ngriti këtë të fundit, në rangun e krijuesve më të mëdhenj të botës. Ky roman është botuar në dhjetëra gjuhë të huaja, ndërsa në Francë është realizuar edhe një film, sipas këtij skenari.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.