VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MIJËRA VETË IA DHANË LAMTUMIRËN E FUNDIT ARTISTES SË FAMSHME LINA HORN
E Djelë, 05.16.2010, 08:54am (GMT1)

Mijëra vetë i bënë nderimet e fundit dje këngëtares dhe aktores së famshme amerikane Lena Horne. Ajo u nda nga jeta në moshën 92 vjeçare dhe la pas një karrierë të mbushur me arritje si artiste e kalibrit botëror që theu barrierat racore për të kapur suksesin që shënoi:

Me zërin e saj joshës dhe sensual, Lena Horne magjepsi dëgjues në gjithë botën për dekada me radhë.

Jetën dhe kontributin e saj e nderuan dje mijëra vetë të mbledhur në një kishë në Nju Jork për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Shumë prej tyre e kujtojnë atë si një artiste të kalibrit botëror:

"Ajo ishte pioniere në fushën e saj. Ishte në një rang me Ella Fitzgerald. Lena ishte shumë e talentuar, por ishte edhe një grua shumë e bukur", thotë Valerie Tornanbe.

Lena Horne mori emër në vitet '40 për interpretimet në klube nate. Më pas ajo filloi të regjistronte disqe muzikore dhe në vitin 1943 u bë e para artiste afrikano-amerikane që punësohej nga një studio e madhe e Hollivudit.

Por racizmi nuk iu nda gjatë pjesës më të madhe të karrierës dhe Lenës iu dhanë vetëm role sekondarë në filma:

"Zakonisht vija në skenë, këndoja një këngë dhe largohesha", tregonte artistja.

Artistja këmbëngulte se e kishin vënë në listën e zezë të industrisë së argëtimit, prandaj e kishte të pamundur të bënte filma apo të dilte në televizion për 7 vjet. Jo të gjithë e mbështesin në këtë pretendim.

Megjithatë, Lena nuk hoqi dorë nga arti dhe vazhdoi të interpretonte para ushtarëve të bardhë e me ngjyrë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veterani Bill Wheeler ishte në ceremonitë funebre. Ai kujton shpirtin e saj ngjadhënjyes para vështirësive:

"Të gjithë e donin, e adhuronin, megjithatë, ajo nuk mund të shkelte dot në disa vende. Kishte hotele e restorante, ku ajo nuk lejohej të futej në atë kohë".

Fama e saj vazhdoi të rritej me këngë si Stormy Weather. Në vitet që pasuan ajo u angazhua hapur për të drejtat civile. Por trashëgimia e saj e paharruar do të jetë zëri i saj i mbushur me romancë dhe hare.

(http://www.voanews.com/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.