VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - AGIM SPAHIU, MBIDRINASI I MADH I POEZISË

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 10:21am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

AGIM SPAHIU, MBIDRINASI I MADH I POEZISË


E Premte, 12.12.2008, 09:56pm (GMT+1)

 

Nga Skënder BUÇPAPAJ

 

E filloj këtë shkrim me një ndajshtim të papajtueshëm me terminologjinë e mëparshme dhe të sotme shkollareske zyrtare, mbisunduese në studimin e letërsisë andej këndej ku ndodhemi ne shqiptarët.

Në përbërje të një brezi poetësh të kësaj përkatësie gjeoshpirtërore, Agim Spahiu është një ndër zërat më të shquar të atij brezi që luajti një rol të fuqishëm në fisnikërimin e poezisë shqiptare dhe në emancipimin, sidomos gjuhësor, të saj.

Agimi vinte në kohën kur Mbidrinisë së poezisë kolose i ishte harruar me dhunë Gjergj Fishta, në kohën kur një plejadë e tërë mbidrinasish të tjerë të mëdhenj ishin pushkatuar, vrarë, mbytur, ndaluar nga diktatura komuniste, në kohën kur poezia e Martin Camajt, njërit prej të arratisurve gjenialë politikë, i jepte gji një brezi të tërë kryesisht të ri poetësh në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare jashtë kufijve shtetërorë, përtej Korabit, Pikëllimës, Gjalicës, Pashtrikut dhe Shkëlzenit, tëhuajtur nëntë male larg, siç përsërit shpesh poeti. Në këtë zbrazëti të detyruar, poezia e Agimit dhe e brezit të tij do të mëkohej drejtpërdrejt nga ato burime ku ishte mëkuar epika heroike dhe ajo historike, ku ishte mëkuar lirika brilante e Alpeve Shqiptare.

Pikërisht aty nën hijen e Gjalicës, të Pikëllimës vareshin poetët, burgoseshin poetët, përndiqeshin, përgjoheshin poetët, iu nxihej jeta poetëve. Këtë e ndjente dhe e provonte në çdo çast Agimi, ndoshta më dhimbshëm dhe më thekshëm se të gjithë mbidrinasit e tjerë të poezisë, ndoshta duke u ndjerë fillikat, krejtësisht fillikat përballë kësaj përbindshmërie. Duke qenë mësues fshatrash ishte e pashmangshme që frymëzimet ta gjenin atë gjithnjë rrugëve të fshatrave, ku era, bora, shiu, vapa e rrihnin trupin shpirtvrarë të poetit njësoj si shpatet e maleve.

Poeti i vërtetë, duke qenë në thelb bard, është në shpirt bohem, por një bohem që nuk pranon për asnjë çast të jetë i braktisur. Agimi e ndjente të ishte një bohem i braktisur, i lënë rrugëve, i mbërthyer rrugëve, pa mëshirë. Poeti i vërtetë është në shpirt një libertin, por një libertin që nuk e pranon për asnjë çast perversitetin. Agimi e ndjente se mbi qenien e poetit rëndonte diktatura më e mbrapshtë dhe më perverse.

Në këto rrethana, Agim Spahiu ishte ndër më këmbëngulësit për t'u ndeshur me makinerinë burokratike botuese të poezisë. Ndryshe nga të tjerë që pranonin heshtjen e plotë për periudha të tëra, Agimi ishte ndër ata që nuk e parapëlqente këtë formë rebelimi dhe shpesh e më shpesh e merrte rrugën për në redaksitë e poezisë në kryeqytet, duke arritur të ishte ndër poetët më të botuar të asaj përkatësie. Në këtë fushë beteje poeti ishte e vetëdijshëm se nuk do të dilte pa humbje, sado të pjesëshme apo sado të konsiderueshme, por botimi i sadopak poezive të adhuruara prej vetë poetit ia vlente më tepër se sakrificat.

Librin e parë poetik ai e botoi rreth të njëzetave. Ka domethënie të veçantë fakti që titulli i këtij libri është "Lirisë". Jo rrallë, në poetë të mirëfilltë, titulli i librit të parë mbetet titulli i vërtetë i të gjithë librave të mëvonshëm të tij. Kur e kemi të plotë në dorë jetën dhe veprën e autorit, e kuptojmë se kjo nuk ishte aspak rastësi për Agim Spahiun.

Censura ndaj poezisë mbidrinase ishte e shumëfishtë. Autorëve iu duhej të mbronin jo vetëm çdo poezi, jo vetëm çdo varg, jo vetëm çdo figurë, por edhe çdo fjalë. Duhet kujtuar se vetëm ndaj kësaj poezie hapeshin fjalorët e shqipes së sotme zyrtare. Duhet kujtuar se vetëm ndaj kësaj poezie bëheshin hetime të imta të burimësisë, iu kontrollohej në mënyrën më të tejskajshme të shëmtuar pasaporta, iu dyshohej e iu mohohej qytetaria.

Thomas Stern Elioti këtë filozofi të poetit e shprehte kështu: "Është e çuditëshme kjo puna e fjalëve. Si ai që mungon ajri, ashtu kush i adhuron ato, duhet luftuar për fjalët."

Agimi i zgjeronte marrëdhëniet e tij me realitetin ku e kishte formuar zërin dhe ku e lëshonte zërin, nga ana tjetër i thellonte këto marrëdhënie me shpirtin e njeriut të kësaj hapësire, duke shkrirë në poezinë e tij filozofinë e të menduarit dhe të të folurit të këtij njeriu, format eliptike dhe antonimike të kontekstit të shprehjes. Ku ulej të shkruante atij i jehonin në shpirt mijëra këngë të kënduara në dasma, festa e ngjarje të tjera familjare, mijëra biseda odash. Shtresa tekstore e kësaj burimësie ishte përherë e më e madhe në poezinë e Agim Spahiut dhe e përcaktonte gjithnjë e më tepër individualitetin e tij poetik të papërsëritshëm.

"Shpesh shpërthej e dal prej gjoksit tim si Drini/në vjeshtë,/shpesh, sa shpesh!/Ki durim! Jam në mrekullinë e krijimit./Nga shtegtim' i vrullshëm shpejt do kthej/te i zakonshmi yt i drojtur./ Ki durim!/Asgjë e ligë s'del prej gjoksit tim. Ki durim dhe besim,/edhe pse je e lodhur më ofro fisnikëri e mirësi/(Pak, oh sa pak!)/Dhe shih: kur të jem qetësuar një mal do të jap...". Siç e shpreh në këto vargje, Agimi do të ishte një ndër mbidrinasit e poezisë që do të identifikohej më shumë me Drinin, lumin të cilit i del ama aty ku i merr frymëzimet Lasgush Poradeci, lumit që fluturon atje tek kushtrojnë deri mbi male Ndoc Papleka, Hamit Aliaj, Mujë Buçpapaj, Jahë Margjekaj, Bajazit Cahani, Izet Duraku e tjerë, lumit që lëshon turrin e mbramë atje ku pezmojnë Frederik Reshpja, Gjek Marinaj, Alfred Çapaliku. Si dallgë të të njëjtit lum këta poetë, me poezinë e tyre i hapnin rrugë vetvetes dhe të tjerëve, prandaj suksesi i secilit i gëzonte ata më shumë se këdo tjetër, prandaj, natyrshëm, fatkeqësitë e secilit i vuanin ata më shumë se kushdo. Agim Spahiu, poet i një hapësire që ka buruar gjithmonë poezi të madhe, është ndër ata që ka më shumë merita në fitoren e kësaj beteje, është ndër ata që ka hapur më shumë rrugë për poetët e brezit pasues të poezisë shqipe.

Aq sa ishte Drin, aq ishte Pashtrik, mjerisht aq ishte dhe Pikëllimë Agim Spahiu. Dhe anët e tij të dobëta ai, si gjithë shpirtërat e mëdhenj, zgjidhte, aq sa edhe i detyrohej kjo gjë, t'i vuante vetëm për vetëm, vetëm me veten. Më shumë se çdo poet tjetër, ai përdor veten e dytë të komunikimit në poezi. Më shumë se çdo poet tjetër e ka përdorur përemrin vetor "ti", gati gjithmonë, edhe kur nuk e ka thënë, ai e ka nënthënë këtë përemër. Edhe kur thotë "unë" ai nënthotë "ti", edhe kur thotë "Agim" ai nënthotë "ti". Duke menduar me "ti", ai gjithnjë nënmendon "unë", ai gjithnjë mendon "Agim". Askujt më shumë se vetes ai nuk i përgjërohet, askujt më shumë se vetes ai nuk i qahet, askujt më shumë se Agimit ai nuk ia hap zemrën, për t'ia kërkuar ashtu dhimbjen, për t'ia shfryrë dhimbjen, për t'ia larguar e për t'ia dëbuar dhimbjen. Në poezinë "Këtu" kjo filozofi e jetës dhe e vdekjes, ku ndodhej dhe ku ndodhet poeti, shpallet ndoshta më bukur dhe më hapur se kudo në poezinë e tij dhe kudo në poezinë shqipe: "Këtu dielli rrezon për mua dhe bora boron për mua,/në gjakun tim shkrirë janë të gjitha viset e tua,/rroj në male fisnike me ujëra jetëdhënëse në gji,/në përqafimin e lumenjve të mi: njëri i Bardhë,/tjerti i Zi./Këtu jam, gjithnjë, mbi Gjalicë e Pikëllimë,/i mbushur me kujtime,/këtu lëndohet e gazmohet zemra ime./Nuk mund të rroj ku s'kam ç'të kujtoj./Këtu jam i idhët pelin, i ëmbël si misri i ri,/këtu jam plot shëndet,/kam shumë punë për të bërë dhe s'kam ngè të vdes.../Këtu dhe vetëm këtu jam guri me rrënjë,/i rëndë në vend të vet,/çdokund tjetër rrumbullohem, troshitem e harrohem,/vetëm këtu thepohem.../Këtu jam zjarr që djeg, dorë e bardhë që përkëdhel,/fjalë mjaltë që mrekullon, vuajtje që s'harron.../Brenda meje përkunden djepe, shtrihen varre pa harrim,/digjen e rilinden malet e visit tim."

Poeti kishte kultin e vendlindjes, kishte kultin e flijimit për vendlindjen, deri edhe për imtësitë më të thjeshta e më të rëndomta të vendlindjes. E pata takuar Agimin në Tiranë fill pas udhëtimit tim të parë në qytetin e tij të lindjes, ku, natyrisht, poetin jabanxhi mësues fshatrash nuk mund ta gjeje. Ia shpreha befasinë për Gjalicën, e cila, ndryshe nga ç'thuhej në tekstet e atëhershme të gjeografisë, si një mal me shpatet më të veshura me pyje, më të pasura me florë dhe faunë, në të vërtetë ishte krejtësisht zhveshur dhe rrjepur. "E vërteta është se uzina e Rexhepajve, simboli industrial i Kukësit të Ri, është shndërruar në mallkim për Kukësin dhe për kukësianët," më tha poeti duke rënkuar në çdo fjalë.

Agim Spahiu nuk mund ta përjashtonte veten nga rregulli i poetëve të vërtetë. Kur janë në jetë, pra ku janë të pranishëm, ata ndërtojnë edhe veten e tyre të kohës kur nuk janë më të pranishëm, ndërtojnë, pra, për veten, atë vdekje që do të punojë edhe për jetën e tyre. "Ti e di si duhet vdekur, vëllai im i heshtur, vullkan/i ndezur, vëllai im i tretur, i  pabuzëqeshur,/i fyer e i poshtëruar,/vëllai im i panënshtruar.../Ti e di si duhet vdekur, vëllai im i heshtur -
vullkan i ndezur-ti e di si duhet vdekur...", i thotë ai binjakut të vet, të shprehur në vetën e dytë, atij që e ka shoqëruar panadashëm në jetë dhe në vdekje.

Mjerisht, poeti që iu përgjërua gjithë jetën Lirisë, vdiq atëherë kur pritej që shqiptarët të ndienin më në fund shijen e merituar të Lirisë. Tragjedia është se ai nuk di as ne nuk dimë a është ai i qetë, nëse ka menduar, nëse mendon se ashtu është bërë kurban i një çështjeje kushedi kur të realizueshme.

Skënder Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo




 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]