VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHUHET SADRI AHMETI, POETI I GJUHËS SË EZOPIT

Nga BEDRI MYFTARI


E Djelë, 06.27.2010, 08:12am (GMT1)

Para tre ditësh u nda nga jeta poeti që me vargjet e tij iu kundërvu diktaturës komuniste

Sadriu i vogël mahnitej nga kreshtat e larta të bjeshkëve, nga lisat, pishat e burrat me plisa të bardhë. Fantazonte të pinte në gjinjtë e bardhë të zanave, e të bëhej si Halili, e të martohej me Tanushën e krajlit. Por si kishte mundësi që trevat stërgjyshore, trojet e kreshnikëve ti shkelte këmba e sllavëve të ardhur nga stepat e pafund tutje, prapa diellit?!

Ai rrinte e humbiste në mendime.

Pastaj një dritëz shprese ja ndiçonte ato. Përtej Bjeshkëve të Namuna ishte Shqipëria, toka amë. Me netë të tëra, Sadriu rrinte zgjuar e luftonte me vetveten. "Do të iki", thoshte, "nuk durohet i huaji zot në shtëpinë tënde".

"Po neve ku do na lësh', bëhej se i flisnin bjeshkët e lisat, pishat, zanat.

"Ku-ku! Ku-ku për mua!", thoshte nëna me zërin e qyqes.

Babai kollej në jehonën e honeve.

Por në fund Sadriu vendosi. Fituan iluzionet, që Sadriut i ndriçonin trurin me ngjyra të ulberta marramendëse për tokën amë, përtej Bjeshkëve të Namuna. Këto iluzione kishin një dritë aq verbuese sa që i mjegulluan zërat e bjeshkëve, thirrjet e nënës, kollën e babës. Ai u nis drejt vendit që e kishte parë çdo natë në ëndërr si parajsën e vërtetë mbi rruzull. Kapërceu male, kodra, pyje dhe ja, u ndodh në një gardh të rrethuar me tela me gjemba dhe iu duk se kaloi urën që ndan parajsën nga ferri. Sadriu u përkul dhe me afshin e zjarrtë djaloshar puthi tokën amë. Mori frymë thellë. Përpara i qëndronin dy ushtarë me automatikë dhe një oficer.

-Vëllezër! Thirri Sadriu dhe u çua krahë hapur e u sul për t'i përqafuar.

-Ndal! Mos lëviz! Duart lart!

Kjo thirrje ia preu hovin.

-Vëllezër, jam shqiptar si ju, u tha Sadriu.

-Mos lëviz dhe duart lart se të qëlluam!- i thanë dhe ia drejtuan automatikun drejt e në lule të ballit.

Sadriu, për një moment ngriu. Nuk e kuptonte se ç'po ngjiste. Ata flisnin shqip, pra ishin shqiptarë, si të ishin vëllezërit e tij, që ai i kishte ëndërruar në ëndrrat e tij më të bukura. Por u hutua, kur pa në kapat e tyre yllin e kuq me pesë cepa. Edhe shkjatë, kështu e mbanin yllin në kapa, të kuq me pesë cepa. Sadriu instiktivisht ngriti duart lart.

-Përpara! E urdhëruan ata.

Sadriu lëvizi me duart lart drejt tokës amë. Mbrapa kokës ndjente ftohtësinë e automatikëve të mbajtur jo nga duart e shkjajve, por nga duart e vëllezërve të tij shqiptarë.

"Do të jetë ndonjë keqkuptim", tha Sadriu me vete.

Kur arritën në postë e kontrolluan pa i folur, pasaj erdhi një "gaz" dhe e mori.

E çuan në Hetuesi.

Hetuesi ishte shumë serioz dhe vetullngrysur.

-Emrin?-pyeti

Sadri.

-Mbiemrin?

Ahemti.

-Pse ke ardhur?

Nuk i duroja dot shkjatë. E kam ëndërruar që kur kam filluar të kuptoj tokën amë, këtë ditë, u përgjegj.

-Hë, agjent i ndyrë! Të plasi barku për Shqipërinë!

Çfarë thua ashtu bre burrë?! I tha Sadriu i prekur në sedër.

-Çfarë them unë? Unë them që ti t'i biesh drejt e të na thuash me ç'mision të kanë çuar ata të UDB-së.

Po më fyeni e kjo është fyerja më e rëndë që më është bërë deri më sot! U tha Sadriu.

-Do të flasësh apo të t'i thyej dhëmbët?-e kërcënoi hetuesi.

Kujt? Mua?

-Ty ndyrësirë!, i tha hetuesi. Tani shko dhe mendohu dhe na trego gjithçka.

Ja kjo ishte pritja që iu bë Sadriut në tokëm amë. Pastaj mbasi kaloi hetuesi më hetuesi, e çuan në kampin e përqendrimit në Myzeqe, i mbushur me djem shqiptarë nga Kosova.

Të gjithë ishin të thyer shpirtërisht, u ishin shuar të gjitha iluzionet. Banorët e këtij kampi herë pas here shpërndaheshin. Disa i dënonin si agjentë të UDB-së, disa i çonin në kampe të tjera dhe disa i nisnin drejt kufirit e ia dorëzonin përsëri UDB-së.

Në kampin e përqendrimit, Sadriu mësoi shumë gjëra. Atje ai mësoi mbi luftën vëllavrasëse, mbi Masakrën e Tivarit, mbi pushkatimet e nacionalistëve nga plebenjt, që s'njohin moral e fe, nga ata që këndonin "Binjtë e Stalinit jemi ne".

Mësoi se, Shqipëria ishte pushtuar nga një diktaturë e egër, siç ishte diktatura e proletariatit. Sadriu i humbi shpresat. Endrrat iu venitën, iluzionet iu tretën si vesa. Për një kohë të gjatë ai vetëm vegjetonte. Ishte bosh. Një kufomë e pakallur. Me kalimin e kohës ai u ambientua. U kthye përsëri në jetë. Por tani nuk ishte më ai djali, që shihte ëndrra të ylberta. Mllefin e mbledhur kundër regjimit komunist ai e shprehte me gjuhën e Ezopit. Filloi të thurrte vargje e të pikturonte. I këndonte bjeshkëve, kreshnikëve, Kosovës së tij të dashur. "Kosovë, pranverë e arrestueme!'-i thoshte Sadriu.

Ai u njoh me shumë poetë e shkrimtarë. Mik i tij i ingushtë u bë i paharruari Bilal Xhaferri. Bilali thoshte: "Unë, në poezi jam nxënës i Sadri Ahmetit". Sadriu brodhi nga kampi në kamp. Nëpër baraka e kasolle thurrte vargje dhe pikturone. Në beze hidhte të bukurën. Pastaj në moshën 33-vjeçare iu dha e drejta e studimit në Fakultetin e Arteve të Bukura, dega Pikturë, por Sigurimit i Shtetit e survejonte. Ai regjistronte çdo fjalë të Sadriut, fabulat dhe barcaletat që thoshte.

-A ke humor? Të pyeste Sadriu. Jeta është vetë me humor. Një herë profesori u kishte dhënë si detyrë të vizatonin shtyllat e tensionit të lartë. Kur profesori po kontrollonte detyrat u ndal te Sadriu dhe i tha:

-Sadri e ke bërë shtyllën e tensionit shumë të trashë. Duhet ta hollosh ca.

"Jo, unë nuk e holloj se sabotoj elektrifikimin. Po deshe holleje vetë"...

Për gjuhën e Ezopit, barcaletat, për humorin "e tepruar" e arrestuan Sadriun dhe e dënuan për agjitacion dhe propagandë. Por Sadriu edhe në Hetuesi edhe në kampin ku kryente dënimin s'e humbi humorin.

Një herë në kampin e Spaçit, Sadriut i ishte enjtur një nofull.

-Çfarë ke kështu? E pyeti komisari i kampit.

Shqipëria para çlirimit, - i tha Sadriu për nofullën e paenjtur, kurse kjo, i tha për nofullën e enjtur, Shqipëria mbas çlirimit.

Me këtë gjuhë foli gjithë jetën Sadriu.

Mbas shembjes së diktaturës komuniste, ai u fut përsëri në shkollë, dega pikturë dhe e mbaroi. Këtyrë viteve, Sadriu ka botuar vëllime me poezi dhe ka hapur disa ekspozita në pikturë. Në poezitë e Sadriut dëgjon ushëtimën e bjeshkëve, tingujt e lahutës e sharkisë, gjuhën e kreshnikëve të Jutbinës. Në poemën "Masakra e Tivarit" dhe të "Mbretëresha e Maleve" që i kushtohet Edit Durhamit, gurgullon gjuha shqipe si lumenjtë e vendlindjes. Sadriu ka hapur disa ekspozita në vend e jashtë. Në këto ekspozita sheh bukuritë e bjeshkëve, cetinat e ngarkuara me borë, hone, gryka, livadhe, lugina e rudina me lule Shqipërie, sheh fytyrat e zanave të maleve me emra vajzash shqiptare.

Ai hapi në sallën e Galerisë së Arteve, ekspozitën "45 bukuroshet e 45 vjetëve të errësirës". Këtë ekspozitë e çeli në prag të Miss Europa '96". Sadriu paraqiti 45 vajza që mund të ishin "Miss Albania" a ndoshta, ndonjëra "Miss Bota".

Sadriu ishte buzëgaz e tërë humor. Ai e donte jetën, megjithëse ajo ishte treguar njerkë me të.

Këto ditë, Sadriu dha shpirt me një buzëqeshje në buzë. Shpirti i Sadriut fluturoi i lirë hapësirave arbërore. Sadriu i përket racës së poetëve. Por edhe shpirtërat e racës së poetëve ndahen në poetë me shpirtëra të butë si lulet e në poetë me shpirt rebel, që nuk i binden askujt. Sadriu ishte shpirt rebel e shpirti i tij u bashkua me shpirtërat e poetëve rebelë që u ngritën kundër diktaturës komuniste. Diktatura i burgosi, i internoi, pushkatoi e i vari në litar poetët rebelë.

Shpirti i Sadriut u bashkua me shpirtin e Trifon Xhagjikës, Vilson Blloshmit, Genc Lekës, Havzi Nelës, Bilal Xhaferrit, Suzana Selenicës, Frederik Rreshpjes, Jorgo Bllacit, Astrit Delvinës, Mitrush Kutelit, Arshi Pipës, Sotir Andonit, Piro Kuqit, Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos, Mustafa Greblleshit dhe Halil Lazes, që u burgosën, u pushkatuan e u varën nga regjimi diktatorial komunist, se ata nuk i kënduan partisë e diktatorit, por e goditën diktaturën me vargjet e tyre, që ishin më të rënda se plumbat.

Shpirti i Sadriut bashkë me shpirtërat e poetëve rebelë do të ndrijnë me shekuj si yje mbi qiejt arbërorë.

BEDRI MYFTARI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.