VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Nga Gabriel Garsia Markes :
Letra e Lamtumirës (Kukulla)

E Shtunë, 03.07.2009, 06:26pm (GMT1)


Gabriel Garsia Markes (Gabriel Garcia Marquez)

 


Nëse për një çast Zoti do të harronte se

jam një kukull lecke e

do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se

nuk do të them gjithçka që mendoj,

por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

 

Do t'iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,

por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim

sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

 

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,

do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,

do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe

dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokollate!


Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,

do të vishesha thjeshtë,

do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm

trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja

urrejtjen time në akull dhe

dhe do të prisja që të shkrihej në diell.


Do të pikturoja me një ëndërr të Van Gogut

sipër yjeve një poemë të Benedettit

dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata

që do t'ia kushtoja hënës.



Do t'i ujitja me lotët e mi trëndafilët,

për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre

dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre...

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë...



Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetme

pa iu thënë njerëzve se i dua,

se i dua. Do t'i bindja të gjithë burrat e gratë

se janë të parapëlqyerit e mi dhe

do të jetoja i dashuruar nga dashuria.



Njerëzve do t'ua provoja sa gabojnë

tek mendojnë të heqin dorë së dashuruari kur plaken,

pa e ditur se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t'i jepja flatra,

por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.


Të moshuarit do t'i mësoja se vdekja nuk vjen

me pleqërinë por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë

mbi majën e malit,

pa e ditur se lumturia e vërtetë

është në ngjitjen e shpatit.



Kam mësuar se

kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,

për herë të parë, gishtin e babait të tij,

e mban shtrënguar për gjithmonë.



Kam mësuar se një njeri

ka të drejtë ta vështrojë një tjetër nga lart poshtë vetëm

kur duhet ta ndihmojë për t'u ngritur.

Janë aq shumë gjëra që kam mundur të mësoj nga ju,

por realisht nuk do të më shërbejnë shumë,

sepse kur do të m'i vendosin brenda asaj valixheje,

palumturisht do të jem duke vdekur.

 

 


Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

-

 

Gjatë verës të 1999 Gabriel Garcia Marquez, fituesi i Nobelit më 1982, u diagnostikua me kancer të limfës dhe u krijua zhurmë rreth gjëndjes të tij shëndetësore. Më 29 maj të vitit 2000 zhurma u duk sikur u konfirmua kur poema e tij e titulluar "La Marioneta" u botua në të përditshmen Peruviane La Republica, e cila u komentua si një lamtumirë që Garcia Marquez ua kishte dërguar miqve të ngushtë.

"Kukulla" mund të konsiderohet testamenti shpirtëror i shkrimtarit kolombian (Çmim Nobel për Letërsi më 1982). Autori përmend poemat e Benedettit. Është fjala për poetin uruguajan 88 vjeçar Mario Benedetti, konsideruar një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të gjallë të Amerikës Latine.

Ndërsa, kur përmend këngën e Serratit, autori ka parasysh këngëtarin Joan Manuel Serrat i Teresa, nga Barcelona e Spanjës, i cili këndon spanjisht dhe katalonisht dhe është këngëtari më i adhuruar në Spanjë dhe në Amerikën Latine.



Elida BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.