E Premte, 03.29.2024, 06:51am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

NJË RRUGË E PUBLICISTIKËS E PAPËRFUNDUAR, FAIK KONICA OSE 'ETALONI I ENCIKLOPEDISË QË ECËN'

Nga NEKI KOTHERJA


E Hënë, 07.26.2010, 11:17am (GMT+1)

"Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe tragjik."

Këtë frazë e gjejmë të shkruar midis shënimeve që na ka lënë Konica për kulturën. Bir i këtij trualli që, sipas tij, endet mes mrekullisë dhe tragjizmit historik të fatit të tij, te karakteri i Konicës sonë të madh do të spikasin shumë herë këto tipare të skajshme, tipare këto që shumë bukur i ka skicuar Koliqi në një thënie të tij për Faikun: "Zejtar i shkrimit, qi i shëndron fjalët në djamanta". I lindur në një familje të madhe më 15 mars 1876 në qytetin e vogël Konicë pranë maleve të Pindit, jo shumë larg kufirit të sotëm shqiptar me atë grek, Faiku, fëmija i shtatë, pas rreth një dekade, do t'i drejtohej kryeqendrës së veriut, Shkodrës, ku do të ndjekë mësimet pranë kolegjit saverian. Rast i rrallë ky, kur një fëmijë mysliman ndjek mësimet pranë një kolegji katolik. Ndërsa më 1890-n, ai shkon në Francë për të vazhduar studimet në Lisjë, më pas në Karkason e më vonë do të regjistrohej në Universitetin e Dizhonit më 1895-n, të cilin e kreu për filologji romane. Studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit, pasi kishte përvetësuar frëngjishten mesjetare, latinishten dhe greqishten në "College de France".

Faik Konica është ndër të paktët, ndoshta rasti unik në historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare, që megjithëse fizikisht e ka mbyllur jetën e vet, vepra i qëndron e hapur. Edhe pse ai filloi të botojë më shumë se një shekull më parë, përsëri nuk është arritur të bëhet një bilanc i plotë e i saktë i trashëgimisë së tij letrare. Vetë sa ishte gjallë, ai nuk bëri asnjë përpjekje për t'i përmbledhur shkrimet e veta në një vëllim. Në një kronikë që boton te gazeta "Dielli" (mars 1909) shprehet se së shpejti do të botojë një përmbledhje nën titullin "Kandili i kuq". Por, ky libër nuk e pa dritën e botimit as atëherë e as më vonë. Fatkeqësisht sot nuk njohim përmbajtjen e këtij vëllimi që Konica do të botonte. Konica në gjithçka që vepronte ishte i habitshëm. Si edhe në këtë çështje: një personalitet i madh, një monument i gjallë kulturor dhe atdhetar, ku Faik Konica nuk la asnjë vepër të botuar në gjallje të vet, përveç një vëllimi që përmban përkthime të përrallave arabe "Njëmijë e një net", të cilat ai i solli në shqip me titullin "Nën hijen e hurmavet". Në bibliografinë e letërsisë shqiptare, emri i Konicës nuk figuron me asnjë vepër origjinale të dalë nga dora e tij.

Konica, për fat të keq shkroi pak letërsi të mirëfilltë, por si kritik, eseist, publicist dhe politikan, ai pati ndikim shumë të fortë në zhvillimin e kulturës te ne. Me shkrimet e shumta të botuara nëpër organe shtypi të ndryshme dhe mbi të gjitha të botuara në revistën që ai e formësoi e i dha jetë "Albania", bëri që kultura shqiptare dhe letërsia shqipe të njihej e të vlerësohej në qarqe të ndryshme nëpër Europë. Fan Noli ka shkruar për revistën "Albania": "Është enciklopedia e rilindjes së kombit shqiptar".

Faik Konica, në kohën e sotme, qëndron mes së njohurës dhe të panjohurës. Nuk njohim pothuajse asnjë nga prodhimtaria e Konicës publicist. Konsiderohet "e humbur" komedia "Mustaqet", që u shfaq prej një grupi diletant në Boston në vitin 1923, përkthimin e veprës së Shekspirit "Nata e dymbëdhjetë", si dhe "Reomeo e Zhuljeta"; nuk njohim tregimin "Vallëzimi i shqiptarëve", fragmente të "Iliada" dhe "Odisea" që Konica ka përkthyer nga greqishtja e vjetër dhe sa e sa shkrime, artikuj e libra të tjerë që ai ka botuar nëpër botë apo që akoma sot ndoshta janë stok në arkivin e kishës së Shën Gjergjit apo edhe në zyrat e Federatës "Vatra". Por të flasim pak për Konicën si publicist.

Faiku e çmonte shumë këmbimin e lirë të ideve. Në faqet e "Albania"-s, ai kishte rezervuar shtylla, të cilat i vuri në dispozicion të kundërshtarëve të tij, të cilëve u kundërvihej me zgjuarsi dhe argumente. Konica kritikonte shpërthimet vulgare apo të pamotivuara të nacionalizmit dhe, duke qenë me formim perëndimor, e kishte të vështirë të pajtohej me romantikun Frashëri. Konica ka shkruar arritjet dhe mangësitë që ka krijimtaria naimiane. Edhe pse, sipas Konicës, poezia e Frashërit ishte e papërpunuar, Faiku nuk mundohej që ta zhvishte nga vlerat krijimin e Naimit.

Stili i rrjedhshëm që përdori ai bashkë me Nolin, bëri që të perfeksionohej proza e dialektit toskë, e folme kjo që vite më vonë do të ishte baza e gjuhës së sotme letrare shqipe. Spontaniteti dhe përsosmëria e prozës së Konicës, aprovohet dhe pëlqehet nga të gjithë. Nga vëllimet që në frontespic mbajnë për autor emrin e Faik Konicës, përmend "Shqipëria, kopsht shkëmbor i Europës Juglindore", botuar me interesimin e publicistit Qerim Panariti më 1957-n në Boston; "Nën hijen e hurmavet"; "Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit" etj.

Vepra që mund të quhet si përfaqësuese e stilit të Konicës pa dyshim që përmendet romani i papërfunduar "Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit". Ngjarja që e shtyu Konicën për të shkruar këtë vepër interesante është vrasja gabimisht e dy turistëve amerikanë në afërsi të Mamurrasit në mesin e vitit 1924. Për këtë u ndie edhe një incident diplomatik mes qeverisë amerikane dhe asaj të kryesuar nga Fan Noli. Duke shfrytëzuar faktin se kabineti i Nolit u tregua shumë i butë më Ahmet Zogun (që mendohej gabimisht se ishte shkaktari i vrasjes së turistëve), Konica filloi të shkruajë "Dr. Gjëlpërën..." dhe ta botojë atë si fillim pjesë-pjesë në faqet e "Diellit", gazetës më të madhe të shqiptarëve të Amerikës, themelues i së cilës ishte ai vetë. Pas një viti, kur Konica i rregulloi marrëdhëniet me përfaqësuesit e Zogut e me atë vetë, e ndërpreu botimin e ndodhisë së cilës me aq interes i dha titullin thumbues "Doktor Gjëlpëra...".

Mendime të vyera Konica ka dhënë për gjuhën shqipe, për formësimin e saj dhe karakteret (fonemat). Që në vitin 1897, Konica mendon për formimin e një gjuhe kombëtare të kodifikuar dhe të njehsuar, e cila do të shërbejë më tej në perfeksionimin e kulturës dhe shkollës kombëtare. Këto ide interesante dhe të çmuara, Konica i përcjell në faqet e revistës së tij "Albania", në artikullin "Për themelimin e një gjuhe letrarishte shqip". Propozimi i Konicës për njehsimin e alfabetit vinte natyrshëm, sipas tij. Ai sugjeronte zgjidhjen më të kuptueshme për të gjithë, shkrirjen dhe pastaj njehsimin shkallë-shkallë të dialekteve toskë e gegë. Faik Konica ishte partizan i idesë që gjuha shqipe duhej shkruar me germa latine dhe ishte kundër propozimeve të germave arabe etj.

Nëse kthejmë sytë nga profili tjetër i Konicës, do të shohim se ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e gazetarisë dhe botimit të periodikëve në shqip. Përveç botimit të "enciklopedisë së Rilindjes" "Albania" - Konica ka meritën se formësoi dhe u dha jetë edhe disa organeve të tjera të shtypit shqiptar, si p.sh. shtojca e revistës "Albania", me titull "Albania e vogël", "Trumpeta e Krujës", "Dielli", "Shqiptari i Amerikës" etj.

Konica, fituesi i laureatit "Kapela e Lartë e diplomatit të ditur", vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942 dhe u varros në varrezat Forest-Hills në Boston.

Ky ishte polemisti i rreptë me një qartësi mendimi që s'ka shok në botën shqiptare, krijuesi me një bagazh të jashtëzakonshëm, por që siç thotë Noli "çdo punë që e zente me dorë, nuk e çonte kurrë në funt". Gjithsesi ky mbetet Konica, kolosi i letrave shqipe për aq sa i kontribuoi atyre dhe për leksionet e vyera që dha në drejtim të shkrimit dhe punimit të esesë, menyja "new entry" në vazhdën e krijimeve shqiptare.

NIKO KOTHERJA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHPIRTI SHQIPTAR NË NJË FESTIVAL NDËRKOMBËTARNga BAKI YMERI (07.23.2010)
REVISTA 'PENA' DHE MISIONI I Sj (07.22.2010)
AGIM SPAHIU: DITARI QË ZBULON POETIN E DY DRINAVENga HAKI KASUMI (07.20.2010)
MUZEU I SPIUNAZHIT NË UASHINGTON TËRHEQ VIZITORË TË RINJ (07.20.2010)
GOLGOTA KOSOVARE NË GJUHËN RUMUNENga BAKI YMERI (07.16.2010)
ME RASTIN E 150 VJETORIT TË KOMPOZITORIT GUSTAV MAHLER (07.14.2010)
LASGUSH PORADECI - VIJA THEMELTAREEssé nga SKËNDER LUARASI( Shoqëruar me një letër të Lasgushit dërguar M. Kutelit dhe me një shënim përkatës për botimin tonë nga Petro Skënder Luarasi ) (07.04.2010)
FILLON NË UASHINGTON FESTIVALI FOLKLORIK SMITHSONIAN (07.03.2010)
VLERA TË REJA RUMUNE NË GJUHËN SHQIPE - POEZIA DHE PËRJETËSIA FEMËRORENga ALBERT KOVÀCS (07.01.2010)
PREZANTOHET ROMANI "GOJA E BOTËS" I SHKRIMTARIT TË NJOHUR ZIJA ÇELA (06.30.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]