VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
DY POEMA NGA XHEMAIL PECI Shoqëruar me një shënim të DR. GËZIM ALPIONIT E Premte, 07.30.2010, 10:14am (GMT1)
RRËMBIMI I HELENËS "A ishte kjo fytyra që fundosi me mijëra anije, dhe që dogji kështjella t'Ilionit me majat e tyre të pafundme, Helenë e bukur, më bëj të pavdekshëm: Me një puthje." Kristofor Marlou: "Dr. Faustus" 1. Ç'dhunti e dhënë nga vet perënditë- si një peng shpërblimi, tagrin e xhelozisë ç'e pagoi dhe befas u bë zi dëshpërimi, mes kujës e mes gjakut, n' mes lotëve dhe në mes të plojës, shkon kaluar në krahët e Paridit rënë, vet Helena e Trojës. O sa gjak dhe sa dhembje përzier janë me mllefin mbledhur, 9 vite rrjesht mëritë zier kanë përbrenda gati për t'u derdhur, e në vitin e dhjetë Parkat e Mitologjisë fatin sa keq ua endin, bukuria e Helenës me gjak dhe në plojë e lau gjithë vendin. Një Hyjni e Olimpit bëhet sikur mjellmë, e është Zeusi vet, sa zog i mrekullueshëm i tha Leda, se zemrën ah fort i vret, e grua e Tindarit , Mbretit të Spartës sa fort i jepet pasionit, lindet Helena, dëshirë e hyjnive a vallë mallkim i ri i fatit!? E vallë ç'kanë që qajnë Priami dhe Hekuba me lotët si shi, Perënditë vet Paridin ua kanë falë: Pagëzim i tyre për fëmi, ah sa ëndërr e tmerrshme, prindërve ua shfaqë një profeci: Ai do të djegë muret e Trojës, ah ai do të ndjellë kob të zi ! Sa bari i pashëm që ish sa edhe vet hyjnitë dehte n'dashuri: e nimfa Oenone jepet në qejf pas tij, muzika e Panit magji, a sa keq i joshë mbret i pyllit me njëri-tjetrin, e fijet e perit i dredhin Parkat fatit e prap ç'e mbjellin tok farën e tmerrit. Mollë e sherrit qe, e mallkuar a zë i hyjnive: Më Të Bukurës, harron Paridi Oenonë e si për kob ia dhuron vet: Afërditës! Dhe Afërdita di e i premton gruan më të bukur në këtë botë, e shkallët ç'i rrëfejnë Pallatin e Menelaut, Mbret në Spartë. Ah, fytyra si dritë e diellit, verbon siç u verbua vet Homeri, e flokët si flakë yjesh, sytë e bukur Deti Egje, mollë sherri, qafën si mermer e duart si zana vet, vetullat tej zgjatur hark, sfidë i bëjnë diademës ballit të Afërditës, e sfida pikon gjak. 2. në logun e bjeshkëve a në logun e fushës si në vet logun e luftës, si në një log zanash kur shiu ì njomë si lot prej qielli barin e rritë, rri keza gjethlare e fitimit, dridhur prej ngashërimit ç'rri tue pritë. Dhe ì tha Hera: Ah ma jep ti mua Mbishkrimin e unë të premtojë, se zot të të gjithë Azisë unë do të bëjë, e tutje tëhu ç'u fut në lojë, Athina e mençur ì tha: Bari ì ri, unë prore do t'bëjë fitues në luftë; E Afërdita e di se jo skeptri po zemrën Paridit me çka t'ia mbushë. O bari ì ri e ì pashëm, bari ì Malit Ida, Paris, mollën e artë ti mua, ma jep, dhe unë s'të premtoj as skeptrin e as fronin, por një grua, një më të bukurën që është në botë, po një yll që shqim vezullon, ah buzëqeshje e ëmbël, ah magji e kurthë, ah mashtrim që verbon. Ti fuqi që në tallje gjunjëzon zemra hyjnish dhe mortarësh njëlloj, lajkat apo furtuna e fatit të pafat që loznin dhe me njerëzit njësoj, flakët dashurisë ndezën pasionin e zjarr ì dhanë Trojës jo më pak, e prenë Priamin plak, n'ankth e n'lebeti zhytur mëritë la me gjak. E prapa mbet hija e Paridit me Helenën, kalorës dashnie magjepsur, lëmsh legjendash a te vërtetash pa fund kur thanë se e kishte gjetur, prap burri ì saj në Egjipt, se me Akilin u bashkua n'Ishull t'Bekuar, se e varën në dru, urdhër i Mbretëreshës Polyxo a Amori mallkuar!? Ç'mori vallë Paridi, kush humbi e kush fitoi, kur gjaku e lau Trojën, në re gjaku mbuluar qe Greqia, e në shi të përgjakur e lanë epokën, përgjaur heksametrat e Homerit e zemrat trandur si Toka e Olimpit, Trofe ì luftës pru në Trojë a fantazmë e Helenës në krah të Paridit!? 3. s'ka parë jo Greqia femër më të bukur, dhe as Homeri në rreshta, të tillë s'ka parë as Zeusi, po Zot kjo flakë e ky gjak zie në zemër, është Paridi vet, verbuar prej bukurisë , Helenë ç'i thonë në emër. Ah faj i zi, ah vaj e mëkat e rrënkim, a pasion i dehur në vërshim, si Titania vet, në krahët e dashurisë Paridi, në afsh dhe n'rrëmbim, çante anije e tyre në mes dallgëve të detit , drejt Trojës ç'shkonin, trazimin e gjakut përbrenda dhe përpara kobin që dot s' kujtonin. e tutje brigjeve të detit, gishtërinjtë e trëndafiltë me vel trishtimi, nuk ish këtë rradhë lëshuar si një shi i përgjakur Olimpit - Zeusi, e as Afërdita këmbëzbathur në det ecur, ishin Helena dhe Paridi. Veshur i ka Helena rrobet e Greqisë, dheu i miteve dhe i arteve, aty çdo nënë të birin e di si hyjni, e aty çdo krua nxjerrë Perëndi, kujt më bukur ndenjur s'i kanë jo rrobet të mbërthyera për shtati, ah ç'mynxyrrë dhe ç'lebeti - fushë e betejës për një qejf shtrati !? Patkonjtë e kuajve u nxjerrin strall, dhe flegrat gjakun u nuhasin, kujt do i mbajnë anën hyjnitë, ç'anmiq që as Zotërat nuk i qasin, Hënë e përgjakur ndrinë përmbi kufoma, s'po zbardhë dot agimi, Pergament i Perëndive Helena, mallkim apo lot me zi trishtimi !? Ah qejfi i një femre sa keq ka ndezur mëri zotërash në hakmarrje, Kali i Drunjtë rri tek portat e Trojës, goditur rri në luftën e madhe, e ka ndjerë Helena dredhinë e Uliksit e zë t'i joshë si gratë e tyre, po s'jepet Odiseu dot, shokët i këshillon: Kujdes se është yshtje ! I ka endur penda e fatit penjtë e jetës, ç' ogur i zi emër i Helenës, Tezeut i lindi fëmijë, Menelaun e tradhtoi:Bir i Atreut t'Mikenës, e ka lënë Hermionin foshnjë dhe joshur është në krahët e Paridit, sa fat i zi e solli tek muret e Trojës e në gjak ç'u la toka e Olimpit! Hutuar vështrojnë zotërat,gjaku rrjedhë rrëke,kufomat dergjen tej, rrotull në betejë trima n'za: Agamemnoni, Idomeni dhe vet Akili, Patrokli e Menelau, Eneu dhe Hektori, trupa që heqin zi e zvarrë, Hektorin e therrë Akili, Priami n'vaj e Andromaka e ve zemërvarr. 4. Filoketa ç'e qëlloi me shigjetë hekuri,ah tej për tej shpuar gjoksit, e Oenona s'ia heq dot: Shpagim i bën për shpinën që ai ia ktheu, bariu i pashëm kur ate përbuzi dhe Helenën afshit kur e mbërtheu. Lotojnë pallatit tej, Kasandra dhe Hekuba me lotët shkuar çurgë, Paridi është i vdekur, ngjitaz është Hektori,e gjaku derdhur gurrë, e Pyrrusi, i biri i Akilit e ka mbytyr Piramin sulur mbi të n'egërsi, kështu re e vdekjes shtrihet në log të luftë - si kob i zi mbi Greqi. Gjaku i një gruaje ka ndjellë gjak dhe viktimat u takojnë hyjnive, ç'po dridhej si purteka zemra e Helenës, mes fatit dhe dashurive, Menelau dhe Uliksi e kanë çarë rrethimin, rrotull sundon vdekja: Ajaksi vdes n' duart e Akilit, e Agamemnonin vret Klitemnestra. Fyta- fyt grekët me trojanët, ndezur keq mëritë e perëndive mbi ta, mes Scillës dhe Haridbës bukuria që i verbon rri, rri në zi Helena, e nëpër heksametra gishtërinjtë e saj të trëndafiltë ç'i pikojnë gjak, si vet zemra, mallkim hyjnish a bukuri vrastare në Ballkanin plak! Dashuri e verbër, a përgjërim i përshpirtshëm i zemrës së Paridit, tundim a rrëmbim i afshit, apo Parkat që endur kanë perin e jetës, e mbushur mëkatit, zili e mëri a dënim i dhënë prej vet Perëndive, e bukur si yll Helena e Trojës a enigmë me gjurmë të lashtësive!? -- POEMË PËR TROPOJËN Pushkë e mbushur ndër tufane Moj Tropoja Iliriane. Fatime Sokoli Kushtuar Djelmënisë Atdhetare të Tropojës Kreshnike E brinjave të Ilirisë Tropoja, flatër në flatrat e shqiponjës, në qiellin e përflakur të Arbërisë, kësulë e bardhë mbi sy të Shqipërisë, shami e bardhë në vallet e Dardanisë ; Këngë kreshnikësh e Moteve të Mëdha Tropoja, gërshetë e lidhur e Dadës Shotë, psherëtimë lulevirgjër piskamë ndër mote e Kullat Kështjella, trëndafil mbi bokërrima me plagët gjak e me kurmin Flamur, është vet Kosova, vet Tahir Sinani ballin me vetëtima: Herë tek Kosova , herë tek Presheva e herë tek Tetova, lidhur plagët e trupit me shokët e brezit, e brezave të Ilirisë Tropoja, plaga e nëntë e Gjergj Elez Alisë, fole shqiponjash e kokë kryengritëse e Shqipërisë, Tropoja. Me lot prej zemre plagët ia prekë Kosova, jelek me plumba Tropoja e shtatin si të Mic Sokolit, Pushka e ngrehur e Bacë Bajramit, e Haxhi Zekë Biberajt e Binak Alisë, e Ali Ibrës e Qerim Delisë, e Prelë Tulit e Smajl Hysenit, zgjuar rri në meloditë e gëzhojave të barotit, Tropoja pushkë e ngerhur e Dif Dragojve të Dardanisë, Lazaratit ì thërret në jug e Kosovës tutje në veri, Kështjellë Kapidanësh e Vatër Dardanësh Tropoja, në zjarr dhe në hekur, në lak dhe në gjak, rrethuar me tanke dhe me topa : Vjeshtë e Tretë Tropoja, Obleisku madhështor ì Poemave të Naimit, jehona epike e tetërrokshave të Gjergj Fishtës, shamia e bardhë e Ajshe Gërvallës Tropoja, Kënga eshkë dhe strall e Fatime Sokolit, Tropoja, Epika kreshnike e burrave me shtatin si lisat në furtunë, simfoni tragjike me tone heroike e sfidë e përgjakur në tribunë, në thëllime e në stuhi kohe, Vjeshtë e Tretë e shqiponjë me fletë Tropoja, Psherrëtimë lulevirgjër e Poetëve të saj Tropoja, Vargani vigan ì maleve epike në këngëtimet e gjakut, e vargjet si plisat në vdekjet kreshnike, plisat kreshtabardhat e Ilirisë, Epike e vargjeve të Hamit Alisë, me vello nusërie, e Dasmave të Dardanisë Tropoja, e gjirit të Shqipërisë Tropoja, Eposi ì kreshnikëve në zërat e vajtueshëm të Lahutës Hyjnore, e krisma e bardhë e hutës për Shqipërinë, në zërat e çìftelisë, në këngët e pushkës. Tropoja ëndrra stërgjyshore e ëngjujve të trazuar me shiprt të Shqipërisë; Mbledhur rreth një kënge, mbledhur rreth një sofre, Pagëzim ndër shekuj e Pagëzim ndër mote, Lirika jote Lirikë me shi Shqipëri, Epikë kreshnikësh emrat e çerdhe fatosash zemrat: Lirika e Poetëve të saj që pinë sisë nga gji ì shenjtë ì Shqipërisë, çerdhe Çerçizësh Shqipëria e fole e trimave me fletë Tropoja, Tropoja re e përgjakur me shi Mëmë Shqipëri, Tanushë Tropoja, gjoksin e burrave për mburrojë, në Kosovë e në Tropojë, brinjtë e trupit jatagana e për sqep të shqiponjës ì mba Shqipëria Djelmëninë Vigane të Tropojës, Djelmëninë Dardane në Flatrat e Shqipëri Shqiponjës: Malet e heshtjes së madhe Tropoja, e Manushaqe me duart petale Tropoja, Epika e Përgjakur e Alpeve Shqiptare Tropoja, Tropoja Bjeshka e mbushur me varre, Tropoja deti ì Shqipërisë ì larë me gjak, Tragjedia e Otrantos e shqiponjë e plagosur ndër shekuj Tropoja, Tropoja Kënga e Përshpirtshme për një rreze drite, Sofra e shtruar me bukë, me kripë e me Besa-Besën Tropoja, me tirq galana Kullat e me bujari dhe burrëri Burrat, Tropoja Simfonia e Gjakut të Arbrit, e gjakut melodi në lotët si shi : O Moj e Bukura Arbëri : Tropoja dhembja e madhe e ëndrrës së përgjakur, e plagëve kulluar gjak shtatit të Shqipërisë, Baladë e Përgjakur në Qiellin e Përflakur të Shqipërisë së Gjithë Shqiptarëve, Tropoja Epikë burrërore e zanoreve të përgjakura, e tingëllimave mashkullore të gjuhës shqipe, gjoksin mbushur plumba kur zemra ì doi veç pëllumba, Kosovën me kokën në prag e Nëntorët e Lirisë si nositët ì kullojnë gjak: Mirë se vjen ,O Adem Jashari. Tropoja Këngë e Përvajshme, e zemër e drithëruar në dëshpërim, në ankth ëndërr e kombit, në vaj, në këngë, në mallëngjim, zemrat e nënave- Lokemadheve me zemrat Dragobi, Shamibardhave me zemrat Dardani, Duarbardhave me zemrat Shqipëri. Tropoja: Breznitë Orëmira në Vallen e Madhe, të Ditës së Madhe, Lirikë e Poetëve që pinë qumësht- nga gjiri yt ì shenjtë Mëmë Shqipëri, Tropoja, Epika e Vargjeve të Hamit Alisë: Me vello nusërie kjo Nuse Lirie, Zemrën Dardani e Shpirtin Shqipëri, Tropoja. ... Ëndrrat e nusërisë, Tanushë Tropojës vallë kush ia grisë, dhe tok me to ëndrrat si shami e nusërisë, kush ia përgjaku, kush ia grishë?! Vallë kush ua prishë qetësinë e shpirtit, pyjeve me gështenja, e delës bardhokë dhe tufës së saj, e qingjave të Poemave të Naimit, kush u doli para, krushqve udhën kush ua preu, e ç'ujk iu sul në thellësinë e netëve me qëndisma gjaku? Kush ia vodhi në degë kumbullën e zezë, o kush s'e la të piqet në etjen që digjet, e delen bardhokë ç'ujk e shtriu për tokë, e mbretëreshën e mjaltrave tek Zogajt, vallë kush e mbushi me vrerë e me helm kush, kush ia vrau Këngën dhe mitet me legjendat, kush ì lau në gjak, kush?! Visare e Kombit Tropoja, veshur kuq e zi Tropoja, tirq galana e xhamadana, Binak Alia, Haxhi Zekë Byberi e Ali Ibër Neza, ÃŒ ka ba e ka me ì ba po gjithmonë nana, djem petrita e varza si zana, Shqiponjë që rritë shqiponja në të shtatë grykat, me plisin e bardhë mbi vetull Tropoja, e kaltërt ëndrra e saj si e kaltërta e qiellit, mes për mes të Shqipërisë, e kaltërt si Valbona përshkuar përmes, si Drini ì Lasgush Poradecit Shqipërinë e të Gjithë Shqiptarëve, si Drini ì vargjeve të Vehbi Skënderit, si vetëtimat e pendës shkrimit të tij: antikosovar dhe antikombëtar?! Vallëzim ì shqipeve Tropoja, e telat e çiftelisë dridhen në mallëngjim, e nën tingujt e fyellit, ì zoti ì shtëpisë, bukë e kripë dhe zemër shtegtarit ì jep, e nga Shpirt ì Bardhë ì Shqipërisë, Nënat e Tropojës, me ëmbëlsinë e koshereve të bletëve, ì luten Perëndisë, e atje lart tek Zogajt-Mbretëresha e Mjlatrave, me gjuhën e mjaltrave flet Tropoja, po dhe me gjuhën e shpatave, varësisht prej situatave, shtetrrethimeve apo dasmave, e këngët kreshnike rrijnë në gjirin e saj, si në thellësitë e shekujve e si në kullat e qëndresës, barotin kur e mbante terur, rrethuar me legjendat dhe këngët epike, me zanat dhe me shtojzovallet, e në Vallen e Çikave, e kaltërta e Valbonës dhe tok me të, tingujt e lodrës të shtatë grykave Kushtrimin ì çojnë Grykës së Kaçanikut e Fushës me Lulëkuqet e Kosovës: Jungjatjeta, nga Malësia e Tropojës. ... Tropoja, Kokë Kryengritëse e Shqipërisë e fole shqiponjash Tropoja, me plagët kulluar gjak e me trupin Flamur Tropoja, piskamë ndër mote e Kullat Kështjella, lidhur me shokët e brezit cepave të Ilirisë, shkëmb në këmbë e luftërat sy për sy e dhëmb për dhëmb, e gjoksin xhamandan me flatra, ecur këmbëzbathur , përgjakur përmbi bajoneta, përmbi plumba, përmbi shpata, jelek me plumba Tropoja, shtatin si të Mic Sokoloit, Tropoja pushkë e ngrehur e Bacë Bajramit, Kështjellë Kapidanësh e Vatër Dardanësh Tropoja, në zjarr dhe në hekur, në lak dhe në gjak, në tanke dhe në topa, Vjeshtë e Tretë Tropoja, një Flamur mba mbi Djepa e një Ninulë këndon ndër breza: Ti Shqipëri më ep Nder, më ep emrin Shqipëtar, Zemrën ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr; Jehona epike e tetërrokshave të Fishtës Tropoja: Edhe Hana le ta dij, edhe Dielli le t'ket pa, se përçark ksaj rrokullie, si Shqypnia i vend nuk ka. Shamia e bardhë e Ajshe Gërvallës Tropoja, Kënga eshkë dhe strall e Fatime Sokolit Tropoja, Epika legjendare e burrave me shtatin si lisat në furtunë, aténtate në fushë, atentat në mal, atentat në tribunë, simfoni tragjike me tone heroike Tropoja, përkundur djepat me kangë kreshnikësh e ninulat gatuar me barot, vargani ì maleve epike, e maleve kreshnike Tropoja, psherëtimë lulevirgjër e poetëve të saj- në këngëtimet e gjakut, me vargjet si plisat në vdekjet e eposit të kreshnikëve, si vet plisat - kreshtabardhat e Ilirisë; Epika e Vargjeve të Hamit Alisë, me vello nusërie e Dasmave të Dardanisë, Eposi ì Kreshnikëve në zërat e vajtueshëm drurit të zgavruar të Lahutës ku ndezur e ka gjithmonë gacë-zhargun, e në zërat e thekshëm të çiftelisë, ku ndezur e ka gjithmonë çarkun, është ëndrra stërgjyshore e ëngjujve të trazuar, shkruar me shpirt të Shqipërisë, Pagëzim ì shekujve e Bekim ndër mote, mbledhur rreth një Kënge, mbledhur rreth një Sofre, lirika jote lirikë me shi Shqipëri: Mujë, Ukë, Skënder... Nga Eposi ì Kreshnikëve ì njerr' e kudo tek vete, kahdo që shkon, në gji ì mba e me vete ì merr. Tropoja e Bajram Currit, e Djemve Azgana, Epika e Alpeve Shqiptare, Tropoja dhembja e madhe që gjak kullon, Tropoja balada e të vrarëve, Tropoja baladë e përgjakur e Shqipërisë së gjithë Shqiptarëve: Nuk vret pushka, sa ka me ì vra buka, O Sylë Lusha: Bukë e Mëmëdheut, ÃŒ zëntë tradhëtorët e pabesë! Bujani, Valbona e Bushtrica, pylli i dendur i gështenjave e Tokat e Markgegajve: E legjendave të kreshnikëve Tropoja, e Valbonës së Kaltër, e ëndrrave të bardha ujvarë, e me të Shtatë Grykat, si nëpër legjenda e Eposit të Kreshnikëve Tropoja, Zemrën Shqipëri e Shpirtin Iliri. -- POEMA TË SHKRUARA JO ME DORË, POR ME ZEMËR Poemat e Xhemail Pecit shoqërohen edhe me një shënim të Dr. GËZIM ALPIONIT, Universiteti i Birminghamit, Angli, ku, ndër të tjera, shkruan: "Këtë herë po ju shkruaj për të ndarë me ju dy poezi të mikut tim z Xhemail Peci, një poet i talentuar, me të cilin fillimisht kam pasur kënaqësinë të takohem para 10 vjetësh kur ndoqi një leksion që dhashë në University College London.... Si studiues i poezisë mendoj se Z Peci është një zë poetik interesant që e përdor muzën harmonishëm me erudicion e thellë. Kjo mund të jetë disi pengesë për lexuesin e zakonshëm, por arti (siç e kuptoj unë këtë koncept në aspektin elitist) jo gjithmonë është i destinuar për konsumatorin (nuk gjeja dot fjalë tjetër) e rëndomtë por për krijesa që janë kërkues dhe përpiqen të mësojnë nga arti dhe jo vetëm të argëtohen prej tij. Në poezitë e tjera që kam lexuar nga z Peci për vite me radhë kam verejtuar se ai shkruan për atdheun dhe kombin me një përkushtim që të kujton poetikën e rilindasve, një poetikë që nuk e ka humbur rëndësinë, aq më tepër tani kur klasat politike tek ne, si gjithmonë, nuk kanë mundur dot të ngrihen në nivelin e përkushtimit ndaj atdheut i cili menifestohet tek shqiptarët e thjeshtë që e duan atdheun pa interes. Para disa vitesh mbaj mend qe i kam shkruar Z Peci se ai shkruan jo me dorë por me zemër. Këtë ia kam zili." XHEMAIL PECI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |