VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - POEZIA E VELAJT, HYJNESHA QË SHPËTON NJERËZIMINNga ABDULLAH HOXHA

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 10:45pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

POEZIA E VELAJT, HYJNESHA QË SHPËTON NJERËZIMIN

Nga ABDULLAH HOXHA


E Premte, 08.06.2010, 07:28am (GMT+1)

Mehill Velaj

Rreth vellimit me Poezi "E nese jeta , jo! te Mehill Velaj

Ndonëse sot bota është përfshirë nga një furi e madhe informacioni, nga medie të shtypura e elektronike dhe nga gjithfarësoj botimesh, prapëseprapë, paqartësitë, shushatja, dezorientimi shoqëror duket sikur po vjen e rritet. Kështu që në këtë babiloni gjuhësh, moskuptimesh e keqkuptimesh, informacioni poetik vjen e bëhet i dorës së parë, jo veç i nevojshëm por edhe i domosdoshëm, si të thuash si i vetmi burim i besueshëm i botës moderne.

Mesazhi që lexuesi merr nga poezia është njëkohësisht kërkesa kryesore e tij, është informacioni që ai kërkon e të cilin s'e gjen dot në vorbullën kaotike të zhvillimeve të sotme shoqërore. Ngopjen e kërshërisë për botën që na rrethon, lexuesi e merr, pra, vetëm nga poezia, si në rrafshin e interesit të tij personal, familjar, kombëtar e tejkombëtar deri tek interesimi shoqëror e filozofik.

Njeriu modern është njëkohësisht edhe i gjithëdijshëm, edhe i izoluar nga bota rreth e qark, me një hiperinflacion informatash të monotonisë së përditshmërisë, prej të cilave s'ka ku të fshehë kokën dhe me mungesë pothuaj totale të artikulimit të qëllimit të jetës.

Poezia, si kjo e poetit Velaj në vëllimin më të ri poetik të tij, me titull sinjalizues "E nëse jeta jo?!", është hyjnesha dhe shpëtimtarja e vetme e njeriut modern nga kërcënimi i nënshtrimit skllavërues të përditshmërisë që synon çdo çast ta zhveshë nga qenia e tij emocionale e shpirtërore, duke e konvertuar përfundimisht në një individ të botës së egër shterpë dhe të brutalitetit të shoqërisë së konsumit.

Po ç'na ofron brendakopertina e vëllimit poetik? Një arratisje, gjithsesi një arratisje të bukur nga rrëmuja nga rrëmeti. Më shumë se një arratisje e bukur, që do të shpëtonte shpirtin individual të poetit, është një vërejtje serioze për vetë njerëzit që të shpëtojnë rruzullin e tyre njerëzor, të cilin me duar dhe mendje të tyre janë duke e shkatërruar. Prandaj poeti ka përdoror profecitë e Nostradamusit e Nastradinit në funksiom të idesë së vet. Gjithjnë duke zënë kokëm me dorë, si plakat në një mort të madh, poeti Velaj librin e çel me vjershën Dy iksa për njerëzimin, të cilën, duke e vënë në vend të prologut, mëton që tërë librit t'i japë të njëjtën përmbajtje, aq më shumë me anë të titullit të tij. Njerëzimi, si asnjëherë më parë në historinë e tij ndodhet para rrezikut të mundshëm të zhbërjes. Dy lloj zhbërjesh e kërcënojnë jetën në planetin Tokë, njëra brutalja me zjarr armësh shfarosëse, e tjetra "e butë", paqësore, e sheqerosur, që rrafshon gjithçka nga natyra e jetës në një metamorfozë shkretëtire prej hekuri e betoni, që të na marrë malli për një këngë zogu a vrap kali. Këtë të dytën ka parasysh Velaj. Prandaj ka dhënë ekuacione me shumë të panjohura përpara njerëzimit, përmbledhje të thella pyetjesh që e shqetësojnë sot çdo intelektual, çdo poet dhe çdo njeri se ç'do të bëhet me botën tonë të bukur?

Tubën e vjershave autori e ka ndarë në pesë cikle: Shkruar me qumësht nëne, Cicërima në degë vargjesh, Mendime me zemër, Bukë e pjekur me puthje dhe Fluturim mbi shekuj. Ndonëse përmbajtja e vjershave të cikleve nuk është gjithherë homogjene, autori ka dashur që të japë mesazhe edhe përmes tyre. Përndryshe përmbajtja e vjershave është e lidhur me truallin kombëtar, me traditën, me historinë, me pasionet, me ambiciet, me idealet e njeriut tonë, të shoqërisë sonë. Esteti Gjergj Lukaç thoshte se biografia e shkrimtarit nuk është relevante për veprën letrare, relevante është biografia e popullit të shkrimtarit.

Poetët shqiptarë s'ndahen dot nga historia, e lashta a e reja. Ka një kompleks të gjëmshëm se po s'u përmend, u harrua. Prandaj, aq herë defilon historia në poezinë shqipe, për të përzënë harresën, nga ilirët e deri tek epopeja e çlirimit të Kosovës, për shembull vjersha Kujtesë biblike. Autori me krenari, mburrje e kënaqësi tregon se liria u arrit falë vendosmërisë për të bërë të pamundurën: Tretëm gurët që hapën varret, gërmadhat/ Mbi to ngritëm kështjellën e lirisë!(poezia Vargje prej gjakut).

Si traditë, poezia shqipe s'i ndan, por i lidh e i gërsheton historinë kombëtare me gjeografinë e atdheut, të cilat janë lidhur pazgjidhshëm një herë e mirë (Portreti i Drinit të Bardhë). Poezia e Velajt bie erë Kosove e erë Shqipërie, erë kokrrizash kripe deti e erë borigash mali, erë fushash me lule e zogj e, erë Drinash, erë të djeshmeje të hidhur dhe erë të ëndërrt të një të nesërmeje të ndritur.

Një poet, një intelektual që aspiron emancipimin e shoqërisë, së cilës i takon, s'ka si të mos angazhohet për statusin e gruas, emancipimi i së cilës është aq domethënës me emancipimin e shoqërisë në tërësi. Vjersha Egoiste zë të thotë jo pa "egoizëm" tejkalimin e stadit të caktuar shoqëror, nga kompleksi i së cilës vuante qenia jonë kombëtare.

Te vjersha Syri shkruan biofrafinë e vet, poeti ritrajton motivin e privimit kombëtar të shekujve. Syri nuk na qenka dritare shpirti, për tjetër gjë është bërë për shqiptarët. Ashtu si te Xoxa, te Camaj e te Kadareja, edhe Velaj sikur mallkon, fatalitetin kombëtar të minimalizimit të kërkesave ndaj jetës. Si intelektual, M. Velaj vuan tek e sheh se përtëritja e kombit duhet nisur prapë nga fillimet, me premtimet migjeniane "Na të birtë e shekullit të ri".

Respektin ndaj traditës së pemës së poezisë shqipe, M. Velaj e kultivon me pietet. Defilojnë kështu autorë si Lasgushi e Migjeni, Kadareja e Agolli, Shkreli e Vinca e të tjerë dhe dialogët me ta i shfrytëzon për të hedhur mesazhe që përkojnë me këta autorë ose që mesazhet e tyre a kodi i tyre poetik zgjon asociacione të caktuara.

Poezia e Velajt ka dimensione gjithënjerëzore, probleme që mundojnë e bezdisin njerëzit e globit, pavarësisht meridianeve ku jetojnë a ngjyrës së lëkurës së njerëzve. Përmbi grataçielat, betonarmetë, marifetet nëpër qendrat financiare shpërfillëse ndaj ambicieve dhe idealeve të shoqërisë njerëzore, përmbi kërcënimet me luftëra shfarosëse, vjen cikli "Shkruar me qumësht nëne", që injoron e qullos atavizmat në rritje të një bote që nënqeshet me histeri për sukseset e prapësive të saj. Bota e nënës është e përmasave të tilla që nuk përfill kërcënimet shfarosëse, duke shpalosur vitalitetin e jetës ndaj zhbërjes me urimin nënor Të pastë nana!.

Nga motivet më të shpeshta të poezisë, motivi i kalueshmërisë së jetës, prek edhe brigjet e poezisë së Velajt, (kujtojmë vjershën Hartë e mrekullive njerëzore). Vjershat me këtë motiv si dhe vjershat e dashurisë, dy motive të gjithmonshme, janë ndër më të arrirat. Ndjenja e dashurisë përfshin një pjesë të mirë të librit. Ajo ndjenjë e furishme me një dalldi si prej zjarri që i bindet me forcë kodit të moçëm të përtëritjes së jetës, meriton himnet më të mira poetike dhe kësaj ndjenje i falet edhe poeti Velaj,

Të pikturoj dashurinë,Të vetmin yll që ndrin,Në mbretërinë e lumturisë së ndjenjave

(vjersha Penel prej bari).

Dashuria është jeta, jeta është dashuria, prandaj poeti mrekullohet me mugullimin e të dyjave, duke u ndjerë sovran në mbretësinë e bukurive të këtyre dy motrave siameze në një mijë variacione.

Poeti Velaj ka krijuar një kod të vetin poetik, si do të thoshim me gjuhën e Agollit, ka gjetur shtegun e tij, atë ritëm të veçantë të shpalosjes së mesazheve që e jep individualitetin e tij letrar. Velaj është miqësuar me familjen e figuracionit poetik dhe i thërret ato pa ndrojtje sa herë që ka nevojë për të dhënë një imazh të caktuar dhe ato vijnë shkujdesur si te një familjar i tyre duke e ndihmuar pa kursim për të përcjellë me elegancë mesazhet e poetit.

Gjetjet poetike janë fare spontane, të lehta e të qëlluara me të cilat përçon te lexuesi atë relaksim, për të cilin ai ka aq nevojë. Mbi të gjitha, mesazhet e tij ripërsërisin atë që kemi nevojë ta dëgjojmë, sa e bukur është jeta! Një kontrast është dhënë shumë qartë, bukuria e jetës dhe ai kërcënimi ndaj saj, që ndjehet po s'diskutohet. Prandaj dhe përsëritja e vjershës prolog në fund të vëllimit, e sikur jeta të mos ishte, është vënë në këtë funksion.

ABDULLAH HOXHA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KALENDARI I KULTURËS GUSHT 2010 (08.03.2010)
DY POEMA NGA XHEMAIL PECIShoqëruar me një shënim të DR. GËZIM ALPIONIT (07.30.2010)
LUFTA ME DEMA NË KATALONJE - TRADITË E PËRGJAKSHME (07.29.2010)
20 MIJË TITUJ LIBRASH NË PANAIRIN E LIBRIT "ULQIN 2010"Nga FLORA NIKOLLA (07.29.2010)
NJË RRUGË E PUBLICISTIKËS E PAPËRFUNDUAR, FAIK KONICA OSE 'ETALONI I ENCIKLOPEDISË QË ECËN'Nga NEKI KOTHERJA (07.26.2010)
SHPIRTI SHQIPTAR NË NJË FESTIVAL NDËRKOMBËTARNga BAKI YMERI (07.23.2010)
REVISTA 'PENA' DHE MISIONI I Sj (07.22.2010)
AGIM SPAHIU: DITARI QË ZBULON POETIN E DY DRINAVENga HAKI KASUMI (07.20.2010)
MUZEU I SPIUNAZHIT NË UASHINGTON TËRHEQ VIZITORË TË RINJ (07.20.2010)
GOLGOTA KOSOVARE NË GJUHËN RUMUNENga BAKI YMERI (07.16.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]