E Premte, 02.28.2020, 08:13am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
POZITIVITETI SHQIPTAR NË BRUKSEL
Nga JORGJI KOTE

E Djelë, 02.15.2015, 05:06pm (GMT+1)



Integrimi i dhjetëra miliona shtetasve të huaj që kanë emigruar në Evropë gjatë 25 viteve të fundit është një fenomen i jashtëzakonshëm social dhe ekonomik.

Problematika e mprehtë e këtij procesi historik ka marrë theks të veçantë me daljen makabër në skenë të grupit islamik ISIS dhe atentateve në Paris një muaj më parë. Me këtë rast nuk kanë munguar as pohimet që e konsiderojnë këtë integrim të dështuar, ndërsa në ndonjë rast njehsohen gabimisht myslimanët me fundamentalistët islamikë.

Por, krahas reagimeve të fuqishme nga e gjithë bota, ato i përgënjeshtruan me jetën dhe heroizmin e tyre policioti Ahmed Merabet dhe shpëtimtari i pengjeve në Paris, 24-vjeçari nga Mali, Lasana Bathuly. E dëshmuan ditët e fundit edhe protestues të shumtë në komunën e Molenbekut në Bruksel, ku u theksua se janë 17.000 të rejat dhe të rinjtë atje që përfaqësojnë imazhin e tyre të vërtetë, me histori suksesi në të, emancipimin dhe bashkëjetesën e tyre normale. Ndaj, në Belgjikë, tani dhe në shtyp e media, krahas evidentimit të mungesave dhe sfidave madhore në këtë fushë, po bëhen të njohura fakte pozitive mbi integrimin e shumicës mbizotëruese të qytetarëve të thjeshtë, shumë prej të cilëve kanë arritur të zgjidhen në elitën politike, ekonomike dhe kulturore të vendit. Belgjika dhe sidomos Brukseli përbëjnë një ndër shembujt më pozitivë në këtë drejtim, ku bashkëjetojnë shtetas të 102 nacionaliteteve që flasin 64 gjuhë të ndryshme!

Në këtë galeri të pasur pozitiviteti kanë vendin e tyre të merituar edhe qindra e mijëra bashkatdhetarë shqiptarë të të gjitha moshave, profesioneve dhe prejardhjeve sociale. Me punë të palodhur dhe përpjekje të mëdha tërësisht me shpatullat e tyre, me vetëdisiplinë, organizim, vullnet, me kureshtje intelektuale si dhe mundësive që ofron sistemi i këtushëm politik dhe socio-ekonomik, ata kanë krijuar një model të trefishtë identiteti dhe qytetarie, si shqiptarë, belgë dhe evropianë. I gjen nëpër shkolla, universitete, kancelaritë qeveritare, institucionet më të rëndësishme euroatlantike, në komunitetet kulturore e të biznesit, në shtypin dhe median belge dhe gjetkë. Këtu po përmendim disa raste të spikatura, thjesht për të treguar se bëhet fjalë për një realitet të prekshëm nga kushdo.

Shembulli më domethënës është ai i deputetit të nderuar, Ahmet Gjanaj. Pas përfundimit të shkollës së lartë, krahas punës së përditshme, shumë vite më parë, Ahmeti themeloi Shoqatën Kulturore mbarëshqiptare ALBABEL dhe shkollën shqipe VATRA, aktivitetin e të cilave ka vite që e drejton me pasion dhe kompetencë.

ALBABEL dhe VATRA përfaqësojnë institucionet më prestigjioze arsimore dhe kulturore mbarëshqiptare në Belgjikë me stafe pedagogjike të përkushtuara dhe të specializuara, të cilët meritojnë më shumë se një shkrim të veçantë. Pasi shërbeu për shumë vite si Këshilltar në Komunën e Molenbekut në Bruksel, në zgjedhjet e 25 majit 2014, Ahmeti u zgjodh deputeti i parë shqiptar në Parlamentin e Rajonit të Brukselit, si përfaqësues i PS-së Valone. Veç respektit të mijëra bashkatdhetarëve, të cilëve ai u ndodhet njësoj pranë edhe tani si deputet, Ahmeti gëzon njohjen dhe vlerësimin e personaliteteve nga më të lartat dhe të shquarat të politikës belge në nivel federal. Luan Abedinaj, përfaqësues i denjë i komunitetit shqiptar erdhi në Namur këto 20 vitet e fundit. Pasi rinovoi nivelin e tij të kualifikimit dhe përvojës së punës në fronte të ndryshme, Luani ka kohë që është zyrtar drejtues në Konfederatën Federale të Sindikatave belge. Veç modestisë karakteristike, punës dhe ndihmës së palodhur që jep në zhvillimin e veprimtarive të shumta, Luani të nderon kudo, duke krijuar mbresa të veçanta me idetë dhe sugjerimet e tij, me mirësjelljen e veçantë, me emrin dhe arritjet e tij.

Këtu meriton të veçohet edhe gazetari dhe publicisti i njohur Gjovalin Kola. Me një përvojë mbi 20-vjeçare, Gjovalinin e sheh kudo, në promovime librash të bashkatdhetarëve të tij dhe të miqve belgë, në kumtesa të ndryshme, në edicione televizive, por edhe me krijimet e veta me vlera në fushën e letërsisë, në shqip dhe frëngjisht. Ai shquhet për urtësinë dhe depërtimin e thellë në thelbin e krijimeve të ndryshme. Kur flet për kulturën, artin dhe letërsinë tonë, nuk mund të mos përmendësh Shoqatën Kulturore “Konica”, me drejtuesin e saj të përkushtuar Gentian Metaj dhe Ligën e Shkrimtarëve, me një drejtuese të apasionuar pas letërsisë dhe përkthimit, Shqiponja Duro. Të dy këto shoqata organizojnë veprimtari të shumta edhe në institucionet e rëndësishme evropiane, promovime librash, bëjnë të ditura botimet e reja të letërsisë shqiptare etj.

Sa shumë mund të flitet dhe shkruhet për përfaqësuesen tonë më të suksesshme në institucionet universitare dhe akademike, Teuta Vodo; prej 5 vitesh ajo është e para dhe e vetmja asistente profesore në Universitetin e Lirë të Brukselit. Përshtypjet dhe imazhin e saj të vlerave të spikatura qytetare dhe intelektuale, Teuta i ka lënë edhe në Sapienza të Italisë dhe në Oksford, ku ka studiuar dhe është kualifikuar. Kjo vajzë aktive dhe patriote nga Divjaka e Lushnjes nuk mungon të shpreh idetë dhe shqetësimet e saj edhe në forume të tjera të njohura europiane. Të gjithë e ndjemë veten krenarë në ceremoninë e mbrojtjes prej saj të titullit “Doktore e shkencave politike” përpara një jurie prestigjioze ndërkombëtare në dhjetor të vitit të kaluar në këtë universitet të njohur. Teuta është edhe anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare Politike të Belgjikës dhe të SHBA-ve.

Ndërsa në Universitetin Ndërkombëtar privat të Brukselit, ke një ndjesi të veçantë kur kërkon të takosh bashkatdhetarin tonë, dekanin e atij fakulteti, Ramadan Gjanaj. Ai nuk rresht së punuari edhe për organizimin e veprimtarive me pjesëmarrje elitare kushtuar vendit tonë. Kohët e fundit ka themeluar Këshillin Shqiptaro-Evropian të Integrimit, duke synuar të mbledhë aty “ajkën” tonë intelektuale. Ndër ardhësit më të hershëm në Bruksel dhe personalitet i spikatur në fushën e arsimit është Ali Islamaj, drejtor i shkollës së mesme të Kuzhinë–Hotelerisë “Coovi” me 1200 nxënës në Bruksel. Megjithëse i ka dhe gëzon “të gjitha të mirat”, si qytetar ai sërish nuk është i qetë. Kërkon të bëjë më shumë për vendin e vet, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të shkollave flamande profesionale të Brukselit, mikun e vendit tonë, Jacky Goris ai shkoi në Tiranë në shtatorin e kaluar, ku nënshkruan Kartën e Binjakëzimit me Shkollën tonë të Turizmit. Të flet me shumë dëshirë për grupin e parë të nxënësve nga Tirana që do të vinë si mysafirë në muajin mars në shkollën që ai drejton. Ndërkohë, të tregon me doza humori, se disa kolegë të vet janë bërë “xhelozë”, ndaj po prenotojnë qysh tani biletat për të vizituar me grupe nxënësish vendin tonë në javët e ardhshme. Një model i rrallë polivlerash janë padyshim dy motrat nga Kavaja, Arjola dhe Dorina Cani, të ardhura këtu si adoleshente në këto 15 vitet e fundit, me besim dhe pozitivizëm karakteristik, ato mbaruan studimet në universitetin e mirënjohur katolik të Leuvenit dhe kualifikimet postuniversitare me rezultatet më të larta të mundshme. Arjola është ekonomiste e lartë në administratën qendrore të një shoqërie sigurimesh. Falë karakterit, profesionalizmit dhe natyrës sociale, duket se perspektivat e promovimit të saj janë të afërta. Motra e saj, Dorina, muajt e fundit punoi si ndihmëse e ambasadorit tonë në NATO. Pas testeve, provimeve dhe praktikave të njohura dhe strikte, tani së fundi ajo ka filluar punën si specialiste në stafin ndërkombëtar të Agjencisë së Komunikimit dhe Informimit të NATO-s në Monsë.

Në këto linja kanë përparuar në fare pak vite dhe dy motrat binjake nga Ballshi, Armela dhe Arjola Filaj. Pas kapërcimit të shumë vështirësive dhe përfundimit të shkollës së lartë, Arjola krijoi profilin e saj në detyra të ndryshme dhe tashmë është specialiste në një firmë të njohur. Kurse Armela, pasi punoi si ndihmëse e drejtorit të përgjithshëm të kompanisë shumëkombëshe “Ladbrokes”, lider botëror në fushën e vet, është e përfshirë në projekte të rëndësishme të asaj kompanie, duke u promovuar edhe si menaxhere. Shumë bashkatdhetarë të tjerë po i shfaqin aftësitë e tyre në fushën e biznesit. Kështu, Vasil Capeqi është mjaft aktiv, si bashkëpunëtor i një sërë firmash të njohura valone që kanë shprehur interesin për investime në vendin tonë. Vasilin e sheh vazhdimisht nëpër forume të ndryshme biznesi edhe të vendeve të tjera të rajonit tonë.

Po ashtu, Albert Hoxha, me përpjekje të palodhura ka krijuar biznesin e vet në fushën e interioreve dhe shërbimeve, të kërkuara e të vlerësuara edhe nga institucione të larta belge. Alberti është dhe familjar i mirë dhe qytetar social, duke dhënë ndihmën e duke shfaqur solidaritetin e vet sa herë që i kërkohet. Duke ardhur te zonjat tona bashkatdhetare, një ndër shembujt më të veçantë e jep Silva Reka, e ardhur para 20 vitesh, edhe pse me shkollë të lartë për gjuhë të huaja, duke kapërcyer me vullnet të hekurt pengesat dhe vështirësitë e shumta e të njohura, si bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar, ajo përfundoi edhe një shkollë tjetër për administrim biznesi. Ka kohë që është menaxhere e vlerësuar në kompaninë e njohur amerikane ESCO. Silva është dhe një ndër ato bashkatdhetare që rasti e solli ta lidhin jetën e tyre me intelektualë dhe qytetarë të nderuar belgë.

Në një dokumentar shqiptar mbi martesat belgo-shqiptare ishte befasim i bukur të dëgjoje se si bashkëshorti i saj, por dhe të tjerë flisnin aq rrjedhshëm shqipen, duke evokuar traditat dhe zakonet tona më të mira. Në mbyllje të kësaj historie të pasur dhe reale të pozitivizmit shqiptar, le të përmendim më të renë në këtë fushë, Ermelinda Hajdari. Ashtu si shoqet e saj të lartpërmendura, e ardhur këtu në 10 vitet e fundit, pas kualifikimit me rezultate të shkëlqyera dhe promovimeve të rastit, ajo punon si menaxhere marketingu në kompaninë e njohur ‘SIM Belgium’, firmë e specializuar për ngritjen, nxitjen dhe zhvillimin e strategjive të biznesit për firmat e reja ose problematike.

Kolegët dhe eprorët e veçojnë Ermelindën për përkushtimin dhe aftësitë e saj të veçanta në fushën e hartimit të projekteve, marketingut, vetëdijes kulturore, shpirtit krijues, etj. Dhe lista vazhdon. Në fakt, të gjithë ndihemi krenarë kur dëgjojnë shokët, shoqet dhe shefat e bashkatdhetarëve të lartpërmendur dhe të shumë të tjerëve që vendi nuk na e lejon t’i përmendim të gjithë t’i vlerësojnë ata edhe në publik si shembuj për t’u ndjekur. Madje, në disa drejtime, duke përfshirë dhe komunikimin gjuhësor, mund të thuhet pa e tepruar se ua kalojnë dhe vetë belgëve! Ashtu siç është përmendur dhe në librin “Diplomacia për të gjithë” veç të tjerash, prania dhe pozitiviteti i këtyre “diplomatëve të shquar qytetarë, publikë dhe të kulturës” është vlerë cilësore e shtuar në suksesin e veprimtarive të shumta të përfaqësive tona diplomatike, të komunitetit shqiptar si dhe për imazhin të vendit tonë.
JORGJI KOTE


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DRIANT ZENELI - 'KUR ËNDRRAT BËHEN DOMOSDOSHMËRI' Trilogjia e Zenelit titullohet “Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri” (2009-2014) dhe do të hapet në datën 18 shkurt (02.12.2015)
IKJET LEGALE - ËNDRRAT E REALIZUARA (02.08.2015)
U MBAJT MBLEDHJA E KËSHILLIT DREJTUES TË VATRËS (02.02.2015)
KOSOVA ENDE NUK E KA REGJISTRUAR DIASPORËN E SAJ (01.29.2015)
PARATË E DIASPORËS 'SHPËTIM' PËR TË RINJTË NË KOSOVË (01.25.2015)
ENDRIT SADIKU 19 VJEÇ - KANDIDON PËR PARLAMENTIN E KANTONIT BASELLAND (01.24.2015)
DOKTOROJNË NË ETH TË ZYRIHUT DHE MOTIVOJNË TË RINJTË SHQIPTARË PËR STUDIME (01.23.2015)
PËRSËRI SHOQATA E PËLLUMBAXHINJVE 'KRAHBARDHI' NË DÜREN KISHTE FESTËFotoreportazh nga AGIM GASHI (01.19.2015)
ZVICËR - BESNIK EMINI NGA TUPALLA E MEDVEGJËS DIPLOMON SI EKSPERT FEDERAL I PRODHIMIT (01.18.2015)
VLONJATJA KANDIDATE PËR PARLAMENTIN GREK - JAM ZËRI I SHQIPTARËVE (01.18.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Shkurt 2020  
D H M M E P S
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
 

 
VOAL
[Shko lart]