VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
DOM PJETËR POPAJ, FAMULLITAR I KISHËS "ZOJA E SHKODRËS" NË NEW YORK, NË 25 VJETORIN E MESHTARISË Nga TOMË MRIJAJ E Enjte, 11.25.2010, 09:51am (GMT1) Këshilli i Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" në Hartsdale, New York, së bashku me mijëra besmitarët e vet, pati të djelën në darkë nderin e veçantë që të organizojë një mbremje festive për famullitarin e meshtarin Dom Pjetër Popajt, duke i uruarë atij :"25 vjetorin e shugurimit prift, me dëshirat më të mira për shëndet e suksese në misionin e tij në shërbim të Zotit e anëtarëve të famullisë". Dom Pjetër Popaj, për 25 vjet me radhë, duke qenë meshtar dhe në krye të famullisë së Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" në Hartsdale, New York, ka dëshmuar se është një njeri i përkushtuar me zemër e shpirt në shërbim të Krishtit e të kombit. Ai sot është një figurë e respektuar në komunitetin tonë, dhe në gjithë botën shqiptare për bashkëpunimin që ka pasur dhe ka me përfaqësues të të gjitha besimeve fetare dhe me të gjithë bashkatdhetarët, pa marrë parasysh besimin dhe vendin nga janë. Ne jemi shumë krenarë me veprimtarinë e Dom Pjetër Popajt dhe e urojmë nga zemra që të ketë shëndet gjithmonë në shërbim të fesë e kombit. Dom Pjetër Ndoc Popaj, lindi në Shën Gjergj, më 10 qershor 1958, në një nga qendrat e hershme të krishtërimit ndër shqiptarë. Kisha katolike në vendlindjen e tij daton në shek. XIV. Ajo i është përkushtuar Shën Gjergjit dhe bën pjesë në Arqipeshkvinë Metropolitane të Tivarit, ku, i pari i saj ishte Primat i Serbisë. Më kujtohet si tani babai i Dom Pjetrit, një burrë i hijshëm nga pamja, elegant nga veshja dhe i mprehtë nga fjala. Një ditë, në oborrin e Kishës, më tha: "Është komunitet i madh e Dom Pjetri është i ri nga mosha, për t'i përballuar gjithë këtyre." "Z.Ndoc,- i thashë,- Dom Pjetri, është shumë i përgatitur për të përballuar punë edhe shumë më të mëdhaja." Ai më shihte në sy dhe dëgjonte me shumë kujdes. Mbas një pauze të vogël, shtoi: "Zoti të bekoftë! Me burra të ndershëm arrihet gjithçka". Në vendlindje Pjetri i vogël mori mësimet fillestare, kurse vitet e fundit të shkollës fillore i përfundoi në Ulqin. Më 1972, si shumë shqiptarë të tjerë, edhe familja e tij, nëna Lina e babai Ndoc, mori udhën e mërgimit për në SHBA. Për 12 muaj ata qëndruan në Itali, për përgatitjen e dokumenteve dhe në nëntor të vitit 1973, arritën në aeroportin J.F.K. Prindërit e regjistruan Pjetrin në "Joan of Ark" High School, në Manhattan e më pas në "Evander Childs" High School, në Bronx, New York. Tek i riu, zgjohet në brendësi të shpirtit thirrja e parë për t'iu përkushtuar Hyjit. Vitet kaluan e ai përfundoi studimet e larta në "Cathedral Preparatory Seminar", në Manhattan. Por etja për dije filozofike do të bënte që ai të rregjistrohej në "Cathedral College of the Immaculate Conception" në Douglastown, Yonkers, NY, ndërsa studimet teologjike t'i përfundonte me sukses "St Joseph's Seminary", në Dunwoodie, New York, në vitin 1985. I shuguruar si djakon, për 6 muaj shërbeu në Kishën "Saint Lucy't", në Bronx. Një muaj më pas, më 16 nëntor 1985, në Katedralën e Saint Patrick-ut, në Manhattan, NY, nga Shkëlqësia e Tij John Cardinal O'Connor, Arqipeshkëv Metropolit i New York-ut, u shugurua prifti i parë shqiptar në Amerikë, duke veshur petkat e meshtarit. Ky gëzim i përbashkët, u festua më 24 nëntor 1985, në "Imperial Manor", në Paramus, New Jersey nga bashkatdhetarët e meshtarët: Imzot Dr.Johseph J.Oroshi, bashkëvendasi Dom Rrok Mirdita (sot Arqipeshkëv Metropolit i Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Shkëlqësia e Tij, Imzot Rrok Mirdita), Monsinjor John Doherty, Vicar Episcopal, Father Hebert D'Argenio, nga Këshilli i Kishës, ku, kryetar darke ishte Tonin Mirakaj. Ishte kjo ditë, kur Dom Pjetër Popaj celebroi meshën e parë në Kishën Shqiptare në Bronx, ku morën pjesë 1014 persona. Më 17 maj, Cardinali i New York-ut, Eminenca e Tij Jonhn Connor, njoftoi emrimin e Dom Pjetër Popajt si ndihmësadministrator në Kishën "Saint Lucy's", Bronx, NY. Më 1 qershor 1989, prifti i ri celebroi meshën e parë si ndihmësfamullitar në Kishën Shqiptare "Zoja e Këshillit të Mirë".
TOM MRIJAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |