VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DITA E FLAMURIT U FESTUA ME MADHËSHTI NË STATEN ISLAND, NY, NGA SHOQATA SHQIPTARO AMERIKANE "ANA E MALIT"

Nga KËZE KOZETA ZYLO


E Shtunë, 12.11.2010, 12:01pm (GMT1)

Shoqata Shqiptaro Amerikane "Ana e Malit" festoi me madhështi, më 28 Nëntor 2010, Ditën e Pavarësisë, në restorantin "Vanderbilt" në Staten Island, New York .

Qindra shqiptarë u mblodhën në këtë ditë të bukur festive, në ditën e shenjtë të Flamurit shqiptar!

Ngjyrat kuq e zi, në gjithë mjediset e këtij restoranti i kishin dhënë një pamje sa festive aq dhe patriotike, ishullit magjepsës, të quajtur Staten Island, në New York .

Ndërsa i shikoja tavolinat e zbukuruara me ngjyrat e Flamurit tonë, përballë dritareve dukej Oqeani Atllantik, në ujërat e qeta të të cilit reflektohej ngjyra e kuqe e Flamurit shqiptar në atë ditë aq të bukur festive, ku në mes tij vallëzonin bukuroshet oqeanike, veshur me kostumet me ngjyrat marramendëse të Arbërisë.

Ç'pamje e magjishme! Këtë magji ta jep Flamuri ynë, Flamuri shqiptar!

Në hyrje të restorantit pjesëmarrësve iu uronte mirëseardhjen z.Naser Çobaj, kryetar i shoqatës "Ana e Malit, i cili së bashku me kryesinë Nikë Palkola, Amir Shaba , Jonuz Osmani dhe Fatmir Kallaba kishin bërë një përgatitje serioze për ta festuar këtë ditë sa më ngrohtë dhe sa më mirë.

Programin e kanë prezantuar dy vajzat simpatike Maida Llolla dhe Medina Zaga.

Pasi është kënduar Hymni Shqiptar dhe ai amerikan, fjalën e përshëndetjes e ka mbajtur z.Naser Çobaj i cili ndërmjet të tjerash tha:

Shoqata "Ana e Malit" është mbledhur sonte me ju të festojë Ditën e Flamurit tonë Kombëtar, e cila tradicionalisht është bërë dhe darkë vjetore e shoqatës. Vetë gërshetimi i këtyre dy manifestimeve në një është shumë domethënës për vetë natyrën dhe qëllimin e egzistimit të kësaj shoqate.

Qellimi dhe objektivat e shoqatës janë të përqendruara në dy mjedise hapsinore, në diasporë dhe dheun e etërve tanë, të cilët lidhen ndërveti përmes natyrës shpirtërore dhe të asaj pronësore.

Sfida kryesore për të realizuar qëllimin tonë është ngritja e nje qendre kulturore.

Në fund të fjalimit z.Cobaj theksoi se kontributi ynë do të jetë i suksesshëm në se arrijmë dy objektiva, ate të ndalimit të shpërnguljes nga vendlindja, si edhe atë të ruajtjes së gjuhës sonë dhe krenarisë kombëtare, ashtu si e kanë ruajtur Arbëreshët në Itali për 600 vjet.

Pas fjalës përshëndetëse të kryetarit sallën e ka përfshirë një entuziazëm i shkëlqyer, kur vajzat dhe djemtë të veshur me kostume kombëtare kanë interpretuar vallen e "Anës së Malit", vallen e "Xhamadanit" dhe të "Rugovës" të përgatitura mjeshtërisht nga znj.Sulltane Gjeka.

Në këtë festë të Flamurit ka përshëndetur dhe z.Richard Lukaj i cili iu uroi të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Flamurit Shqiptar! Z.Lukaj ka kryer me sukses të shkëlqyer Universitetin në New York dhe renditet në Crane's list ndër 40 biznesmenët më të suksesshëm nën 40 vjeç. Përvec biznesit, kontributi i tij është i shquar dhe në komunitet.

Z.Lukaj ka qenë dhe president i organizatës lobiste shqiptare NAAC e cila është zëri i shqiptarëve në Washington , si dhe konsull nderi i Shqipërisë.

Ana e Malit ka mjaft personalitete të shquara të cilët po japin kontributin e duhur në çështjen Kombëtare. Kështu avokati i mirënjohur z.Sabri Gjoni kishte ardhur së bashku me familjen e tij, ku djali i tij i vogël ishte veshur me kostum kombëtar.

Në krah të familjes Gjoni ishte ulur z.Cafo Boga dhe z.Shkreli të cilët vazhdimisht marrin pjesë në këto aktivitete të rëndësishme të vendit tonë.

Poezia "Hymni i Flamurit" shkruar nga Fan S.Noli është recituar nga zonjusha Valbona Shabani, një poezi që pritet me dashuri të madhe në këto festa.

Ndërsa poezinë për "Gjuhën Shqype" shkruar nga Ndre Mjeda e ka interpretuar zonjusha Leyza Goleshi.

Me duartrokitje të nxehta është pritur dhe nxënësi i shkollës Shqipe në Staten Island , Arian Kallaba, i cili recitoi poezinë "Gjuha Jonë", të përgatitur enkas nga mësueset e kësaj shkolle.

Një interpretim të shkëlqyer të poezisë "Për ty Flamur" ka realizuar dhe nxënësja me origjinë nga Ana e Malit, Fitore Nika, e cila u përcoll me duartrokitje të stuhishme.

Një surprisë e bukur ishin dhe dhuratat e dërguara si nga botuesi i gazetës "Illyria" i cili iu fali 150 numra të gazetës, si dhe nga z.Sulejman Pali që kishte dërguar një shportë të bukur të mbushur plot, për znj.Sulltane Gjeka, mësuesen e valltarëve!

Pjesëmarrësit i kanë argëtuar këngëtarët, Ismet Aloshi, Vesel Pelinku, Lirije Dedvukaj, Sead Asllani, të drejtuar nga orkestrantët Amir Pelinku dhe Nazmi Islami.

Mbrëmja kaloi në një atmosferë tejet gazmore organizuar nga këshilli organizativ me zotërinjtë Kraja, Shabani, Nika, Kallaba, Sella dhe Osmani.

28 Nëntor, 2010

Staten Island, New York

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

KËZE KOZETA ZYLO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.