VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Artur Tashko, ngjyrat e kubistit kthehen në "Zenit"

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 05:41pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
Artur Tashko, ngjyrat e kubistit kthehen në "Zenit"
E Martë, 04.21.2009, 07:33am (GMT+1)

Artur (Anastas) Tashko është piktori shqiptaro-amerikano-kolumbian i cili me gjithë dëshirën shumë të madhe, nuk e pa kurrë Shqipërinë. Vdiq larg atdheut, në Kolumbi, më 25 nëntor 1994, në moshën 93 vjeç. Karriera e tij artistike është me të vërtetë e pasur. Punoi fillimisht si flautist profesionist në Orkestrën Simfonike të Bostonit, më vonë kryeredaktor i gazetës shqip "Republika" sërish në Boston në vitet 1931-32, dhe më pas gjatë gjithë jetës, me ndërprerje të pjesëshme, vazhdoi karrierën si piktor profesionist në shumë vende të botës, ndër më kryesoret në Amerikë, Francë, Spanjë, Itali dhe 30 vjetët e fundit të jetës së tij, në Kolumbi. Arsyeja për këtë lëvizje tëndit në kontinentin latino-amerikan ishte martesa e tij e dytë me kolumbianen Rosa Tashko. Arturi është vëllai i nënës sime Tefta Tashko-Koços por dhe i Koços, Gaqos, Lekos dhe Katinës.

Arturi (i tillë u bë emri i tij artistik) nuk mundi vijë në Shqipëri për një mori arsyesh, fillimisht për hir të studimeve në Harvard, pastaj martesa e parë me amerikanen Elsa Tashko dhe ardhja në jetë e djalit, më pas karriera si piktor në Europë gjatë viteve 1930. Por kur dëshira për të parë Shqipërinë bëhej më e fortë, Lufta e Dytë Botërore e hodhi Arturin në krahun e aleatëve dhe si nënshtetas amerikan ai shërbeu si përkthyes i forcave ushtarake amerikane deri afër Shqipërisë, në Brindisi. Kjo bëri që ai të konsiderohej i padëshirueshëm për Shqipërinë e viteve të pas-Luftës, aq më tepër që piktura e tij paraqiste një vizion abstraksionist-konstruktivist, rrymë kjo jo e pëlqyeshme për ideologjinë e realizmit socialist.

Me keqardhje shënojmë se mosardhja nga Kolumbia e vajzës së Artur Tashkos, Ivonne Tashko, prania e së cilës e parashikuar për këtë ngjarje do të shoqërohej edhe me sjelljen e disa pikturave origjinale nga Kolumbia, bën që ekspozita të ndërtohet kryesisht me riprodhime të cilat nuk i qëndrojnë besnikërisht përmasave origjinale. Por nga ana tjetër, shënojmë me kënaqësi se vjen për këtë ngjarje nga New York-u djali i Anastas/Arturit, i cili mban të njëjtin emër të babait, Artur Tashko LeGacy. Ishte dëshira e madhe edhe e të birit të shikoj për herë të parë vendin e të atit të tij, Shqipërinë. Kështu, piktura origjinale e Tashkos e marrë nga Galeria e Arteve së Tiranës si dhe disa të tjera punime krejt të panjohura për të gjithë ne, që do të sillen posaçërisht për këtë ekspozitë nga i biri, mendoj se do ta thyejnë sado pak brengosjen tonë për mungesën e pikturave origjinale.

Arthur (Anastas) Tashko ishte piktor konstruktivist, ndoshta përfaqësuesi i fundit i kubizmit. Piktura e tij ndjek një sekuencë interesante të tri periudhave: kubizmin analitik, kalimin në semi-konstruktivizëm e më pas në konstruktivizmin abstrakt. Duke qenë abstraksioni forma estetike që Tashkoja përqafoi deri në fund, edhe në fillim të viteve 1995 ai konsiderohej piktori avant-guarde i njohur gjerësisht jo vetëm nga kritikët më në zë të artit por dhe publiku i gjerë. Ai njihej si artisti me personalitet të madh, ndjeshmëri e imagjinatë. Ekspozitat e tij, kudo që janë hapur, kanë qenë gjithmonë të suksesshme dhe piktura e tij është konsideruar si një nga më të mirat të prodhuara në dyzet vitet e fundit të shekullit XX. Teknika e përdorur nga Maestro Tashko ka qenë kryesisht vaj, e vendosur mbi kanavacë ose karton.

 

 

Gjykime mbi Artur Tashkon

 

Edward Lucie Smith

Idioma që zgjodhi Tashkoja ishte kubizmi jo kubizmi i Picasso-s apo i Braque, të cilët ishin shpikësit e këtij stili, por i Metzinger-it dhe Gleizes, teoricienët krye-kubistë që iu shmangën "rregullave" në emër të një stili të ri, të paraqitur më 1912 në librin e tyre "Du Cubisme". Një nga faktorët që mund ta ketë bërë Tashkon të ndjeshëm ndaj kësaj rryme ishte dhe përvoja e tij si muzikant klasik, madje përpara se Tashko-ja t'i drejtohej konstruktivizmit nga mesi i viteve 1970, ndjehet interesimi i tij i vazhdueshëm në idenë se arti vizual mund të shërbejë si ekuivalent optik për muzikën. Në veprën e tij gjenden një sërë subjektesh muzikorë, si "Kitaristi" (1952), "Pianistja" (1964), "Akord në Do mazhor" (1984) etj. Mjaft nga këto piktura duket të jenë të bazuara mbi parime muzikore që kanë të bëjnë me ndarjen apo kombinimin matematik. Ndihet tek Tashkoja edhe influenca e Vasili Kandinskit i cili nëpërmjet tekstit "Mbi spiritualen në art", paraqet krahasime të drejtpërdrejta midis arteve pamore dhe muzikës. Ngjashmëri gjenden edhe midis linjës latino-amerikane, veçanërisht të Joaquín Torres-García-s dhe asaj të Tashkos, jo vetëm në zhvendosjen nga kubizmi në konstruktivizëm, por dhe në tematikën (të dy kanë një afeksion të dukshëm për varkat dhe detin) si dhe metodat e konstruksionit piktoresk.

 

Javier Gill Marin

Veprat e hershme të Tashkos ishin në kërkim të kubizmit, duke e shkatërruar realitetin empirik për ta rindërtuar atë përmjet strukturave më të thella e thelbësore. Por kubizmi i tij përmbante nuanca ndjeshmërie e delikatese, ngjyre dhe drite, dashurie dhe emocione ndaj objekteve të pikturuara, të shoqëruara gjithmonë nga përzgjedhja e tij analitike. Pikturat e tij janë një celebrim martese midis diçkaje shumë mashkullore dhe një lloj shprehjeje më femërore, fuzion i intelektit dhe ndjeshmërisë, refleksionit dhe bukurisë.

Veprat e tij evokojnë jehona të cilat janë afër dhe larg në kohë, duke përfshirë ato të Léger, Matisse, Torres García dhe shumë ndjekësve e mbrojtësve të tjerë të parimeve kubiste. Tashko edhe pse i frymëzuar nga shpirti kubist, zgjidhjet formale të artit të tij përcaktoheshin gjithmonë nga qenia e tij. Ndoshta ishte dashuria e tij për muzikën ajo që bëri të mundur gjetjen e përbërësve së duhur sensual për pikturat e tij. Veprat e tij shfaqen si kompozime tingëlluese, shpesh duke ofruar një model vizual të ngjashëm me tingujt e valëzuar e magjepës të flautit. Pak nga pak, pikturat e tij nisin të ndërtohen në kontrapunkte kromatike, muzikë vizuale, ku veprojnë fusha energjie të strukturuara në sensin melodioz dhe harmonik.

 

Rosa Tashko

Gjenia dhe frymëzimi krijues i piktorit Arthur Tashko shfaqen në sekuencën origjinale të zhanrit që ndjek të gjithë veprën e tij: nga ngjyrat e pasura e të veçanta të një lirizmi evokativ e ëndërrimtar tek panoramat detare; sensi i ritmit në natyrat e qeta që mbart temat dhe variacionet mbi një sfond të baraspeshuar mirë; linjat elegante dhe të sofistikuara të siluetave të tij femërore, duke mbajtur e ruajtur për secilën nga këto një qëndrim gracioz por dhe një gjendje meditative deri në pafundësi; aftësia magjepsëse e trajtimit të kromatizmit në krijimet e tij abstrakte herë nëpërmjet një peneli të mprehët, të qartë, të vendosur e harmonioz, dhe herë falë aftësisë së tij imagjinative e të hollë, të qetë e të ndjeshme.

Duke qenë një kolorist i mrekullueshëm, falë fuqisë së ritmeve dhe saktësisë së kompozimeve, pikturat e Tashkos, qofshin këto intime apo të përmasave të mëdha murale mbartin gjithmonë fuqinë e një rrezatimi të kthjellët dhe të një poezie të ëmbël e të shndritshme. Nuhatja, dhuntia dhe personaliteti i fortë që Arthur Tashko na la pas si një trashëgimi artistike e shprehur përmes pikturave të tij, do të mbahet gjallë në kujtesën e përhershme të brezave të ardhshëm.

 

 

KRONOLOGJI E JETËS SË ANASTAS/ARTUR TASHKOS

 

Ne fund të shekullit XIX familja Athanas Tashko mërgon në Egjipt, Fajum.

1901 Anastasi (më vonë Arturi) u lind në Korçë.

1920 U dërgua në Vjenë, Austri, të studiojë gjermanisht dhe ndoqi shkollën e lartë në

gjuhën gjermane. Merr kontaktet e para me grupin artistik të Degës Vjeneze.

1923 Largohet për në SH.B.A. Vendoset në Boston (Massachusetts). Studion për

Drejtësi në universitetin Harvard.

1928 Martohet me Elsa Evans, aktoren e famshme amerikane, pjesëtare e grupit të Artit

Dramatik, të Teatrit Shakespeare të Bostonit.

1936 Pas përfundimit të studimeve për flaut në Konservatorin e Bostonit, të cilin e kishte filluar më 1932, Tashko u pranua në Orkestrën Simfonike të Bostonit që drejtohej aso kohe nga Sergei Kusevitski. Ai luante në flaut edhe në shtëpi i shoqëruar nga e shoqja që ishte edhe pianiste, ndërkaq që ishin bërë më një djalë që më 1933 i cili do të mbante emrin e babait, Artur.

1937 Tashko udhëton nëpër Europë ku u përfshi në lëvizjet artistike europiane të kohës. Njihet me Matisse në studion e tij në Nice dhe viziton një sërë studiosh të tjera italiane.

1938 Kthehet në SH.B.A. por jeta bashkëshortore përfundoi në divorc.

1943 Pas shpërthimit të Luftës më 1939, Tashko u caktua të punojë si korrespondent lufte për disa gazeta të Bostonit dhe si përkthyes në Casablanca, Afrikë e Veriut, më pas në Brindisi dhe Frankfurt deri në mbarim të Luftës në maj 1945. Perfeksionon tetë gjuhë: shqip, greqisht, arabisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht.

1946 Vendoset në Frankfurt. I përkushtohet pikturës. Udhëton shpesh në Paris për të njohur piktorët më në zë.

1947 Takohet me piktorin e famshëm kubist, Albert Gleizes, i cili e fton Tashkon të pikturojë me të në atelienë e tij në Marseille deri më 1949. I bashkohet një grupi piktorësh nga e gjithë Europa dhe Shtetet e Bashkuara.

1950 Merr pjesë së bashku me Picasso, Léger, Delaunay, Metzinger, Van-der Velden, Jean Arp dhe Winslow Eaves në një nga ekspozitat më mbresëlënëse që ishte paraqitur ndonjëherë në Europë, në Art-Club-in e Degës Vieneze, Vjenë.

1951 Vendoset në Firence për katër vjet. I kushtohet pikturës. Hap disa ekspozita personale në galerinë "Vigo". Dërgon pikturat nëpër galeritë e rëndësishme të SH.B.A., veçanërisht në Boston në galerinë "Margareth Brawn".

1954 Largohet për në Madrid. I bashkohet një grupi piktorësh spanjollë. Hap disa ekspozita personale. Një pjesë të kohës e përdor për përkthime për Marinën e SH.B.A. në Madrid.

1958 Martohet në Madrid me një pianiste kolumbiane, Rosa Alvarez.

1960 Hap disa ekspozita personale në galerinë "Abril". Udhëton me gruan e tij në Londër dhe Cambridge deri më 1963.

1963 Nisen për në Bogotá, Kolumbi. Qëndron në këtë vend për tridhjetë vitet e fundit të jetës së tij. I përkushtohet pikturës. Teknikën e të pikturuarit dhe dijenitë dhe eksperiencën e tij ua transmeton piktorëve të rinj dhe studentëve të arteve të bukura të Universitetit Kombëtar të Kolumbisë.

Falë modestisë së tij si artist, bën një jetë të heshtur e të qetë në vetminë e ateliesë së shtëpisë e tij. Nuk rend pas publicitetit apo famës, madje as nuk është i interesuar për ato që kanë të bëjnë me popullaritetin. Përpiqet të perfeksionojë krijimtarinë e tij artistike.

1970 Hap disa ekspozita personale në galerinë e Institutit Italian të Kulturës në Bogotá.

1975 Hap ekspozitë në Institutin "Göethe" të Kulturës në Bogotá.

1983 Ekspozon në galerinë "Tai-Chi" në Bogotá së bashku më një grup piktorësh të njohur kolumbianë, Jorge Riveros, Omar Rayo, Manuel Estrada.

1984 Hap ekspozitë personale në galerinë "Belarca" në Bogotá.

1988 Ekspozon me një grup piktorësh abstraksionistë kolumbianë në galerinë "Pluma" në Bogotá.

1989 Ekspozon individualisht dhe për herë të fundit në galerinë "Negret", një nga më të rëndësishmet në Kolumbi.

1994 Vdes më 13 janar në Bogotá, Kolumbi.

1994 Si homazh për veprën e maestro Tashkos në galerinë "Planetarium" më 16 nëntor u hap një ekspozitë e madhe retrospektive me 55 piktura në vaj organizuar nga e veja e tij, Rosa Tashko, si dhe nga përfaqësues të shquar të Institutit Kolumbian të Pikturës.
Eno Koço


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Prifti grek emigrantit të mitur : Je shqiptar dhe mysliman (04.20.2009)
Imigrantë (shqiptarë) në strukturat e policisë greke? (04.18.2009)
Geto për emigrantët në qendër të Athinës (04.16.2009)
Itali: Hapet rruga për punësimin e 80 mijë shtetasve nga vende joanëtare të BEsë (04.14.2009)
"The New York Times" Valeria Durollari dhe Ken Biberaj (04.11.2009)
"YU-go!", "Jugo" dhe "jugoviçët" (04.09.2009)
Kledi Kadiu tridhjetepesëvjeçar (04.05.2009)
Pakësimi i dërgesave nga emigracioni, prirje që tremb Bankën e Shqipërisë (03.31.2009)
Toni Osmani ka projekt edhe për një film në Kosovë (03.28.2009)
101 vjet nga mesha e parë shqipe (03.25.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]