VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Vështrim sociolinguistik për emrat e përveçëm të fëmijëve shqiptarë në diasporë   Nga Nexhmije Mehmetaj, mësuese në Jura-Zvicër


E Shtunë, 04.25.2009, 03:26pm (GMT1)

                                             

 

Çfarë thonë emrat e fëmijëve tanë për identitetin dhe historinë Kosovës?

 

Në këtë trajtesë do të sjellim disa shqyrtime sociolinguistike me të dhëna nga fusha e emrave të përveçëm. Çdo popull i qytetëruar ka emrat vetjak me karakteristikat e tij . Është e njohur se numri më i madh i emrave të njerëzve te çdo gjuhe janë kryesisht emra të kuptueshëm, me domethënie të drejtpërdrejtë apo simbolike. Ata, në njëfarë mënyre, mund të jenë tregim për të kaluarën apo rrëfim për të sotmen për prindërit që i pagëzojnë fëmijët. Si shenjë e parë e njeriut  emri bëhet shenjë e ndërgjegjes shoqërore dhe historike të tij. Ai është, ashtu, dëshmi e identitetit të tij si krijesë natyre dhe dëshmi e identitetit të tij si qenie historike. Përmes emrave brezat e të gjallëve, shpesh, i kujtojnë të parët e tyre më pak a më shumë të njohur. Roli i këtillë, ta quajmë historik kulturor, i emrave te njerëzve te disa popujve me qytetërim të lartë, ta zëmë te zviceranët, është aq i theksuar saqë fëmijëve u ngarkohen pas emri i gjyshit, e i pasardhësve të tjerë në vijën e babait dhe në vijën e nënës. Në kushte të tilla shoqërore dhe kulturore emri i fëmijës bëhet një si biografi e familjes. Përveç si bartës të kujtesës historike, emrat e njerëzve mund të jenë bartës të qëndrimit të pagëzuesve të tyre ndaj natyrës, ndaj jetës dhe ndaj vlerave të ndryshme jetësore. Në të gjitha rastet, ndërkaq, emrat e njerëzve rrëfejnë për gëzimet dhe shqetësimet e prindërve, për shpresat dhe dëshirat e tyre që pasardhësit t'u bëhen të këtillë apo të atillë: të mirë, të fortë, të aftë, të zgjuar, krenar, të ndershëm, të famshëm, të dashur.                                                     

 

Ashtu përmes emrave vetjak, si edhe përmes njohjes së gjuhës dhe historisë,  popujt e tregojnë identitetin e tyre kulturor. Duke  e treguar identitetin kulturor ata e tregojnë edhe identitetin kombëtar. Emri i zgjedhur lirisht është kusht që njeriu të jetë ai që është, që të përputhet plotësisht me veten e tij.                                                                                                                                                              Si mësuese e letërsisë shqipe, që e njeh, vetvetiu, edhe historinë shoqërore dhe politike të popullit të vet jam përpjekur të analizoj në vija të përgjithshme praktikat e zgjedhjes së emrave të fëmijëve tanë për gjatë periudhës 1980 2009 duke mbledhur të dhëna përfaqësuese për vitet 1980-81, 1990-91, 2000-2001, 2002-2009. Të dhënat janë marrë nga ditari i nxënësve të cilët vijuan, dhe vijojnë  shkollën e mësimit plotësuese të gjuhës shqipe në kantonin Jura Zvicër.  Për të analizuar kam marrë numrin e përgjithshëm të 400 nxënësve. Gjeografia prej nga rrjedhin nxënësit e mi janë:  të lindur në Kosovë 182, të lindur në Zvicër 179, të lindur në viset shqiptare të Maqedonisë 20, në Kosovën Lindore 16, në Gjermani 1, në Libi 1.  Për të lehtësuar këtë ndërmarrje emrat  janë të ndarë në gjashtë  kategori kryesore. Emra me burim shqiptar 293, emra me prejardhje fetare: myslimane 38 dhe katolike 12 por që shqipja i ka pranuar, emra me prejardhje ilire 22, emra me burim nga vendbanimet dhe lumenjtë e Shqipërisë 23,  emra të huaj 8 dhe emra që s'kanë kuptim 4.                                                                                                                                   

Siç shihet në grupin e parë emrat e nxënësve bartin kuptime gjuhësore të sajuar mbi bazën e fjalëve shqipe, emra që kanë asociacione të kërkesave për liri dhe të drejta të tjera,  të historisë dhe të kulturës, por nuk kanë munguar edhe emra të shpendëve, të maleve, të bimëve, të shtazëve dukurive të ndryshme të natyrës apo edhe kuptime abstrakte. Kështu, për shembull, kemi emrat e bukur Afrime, Arbnore, Arbenita, Arlinda, Afërdita, Besa, Besfort, Blerim, Bujar, Blerta, Besart, Bardha, Bujar,  Rreze, Rudina, Dafina, Mimoza, Shpend, Shqiponjë, Kreshnike, Petrit, Luan, Leutrim,  Lulie, Herolinda Trojttona, e të tjera, ata padyshim, shfaqin dëshirat që fëmijët e tyre të shquhen me cilësi, virtyte, vlera të atyre krijesave, dukurive, kuptimeve me emrat e të cilave i kanë pagëzuar.                                                      

Dhe më tutje prindërit i pagëzuan fëmijët e tyre: Lirije, Liridon, Liridona, Lirifiton, Jetëlira, Lirak, në njërën anë, ata e tregojnë kuptimin e lartë të fjalës liri në jetën e tyre, që mund të zbërthehet me shprehjen kërkojmë të jetojmë të lirë e të lumtur në liri.                                                                                                                                  Është e nevojshme të thuhet se emrat Durim, Durime, Duresa, përbëjnë 0,3 % të numrit të përgjithshëm të nxënësve. Kjo fjalë lidhet me përpjekjet e shqiptarëve për ta ruajtur durimin përballë agresorit shekullor serb. Me qëllim që ta vazhdojë sundimin e Kosovës, Serbia kishte përdor edhe urinë! Duke i qitur punëtorët shqiptarë nga puna, nga shëndetësia dhe arsimi. Me qëllim që populli të humb durimin. Por populli shqiptar as një herë në historinë e tij  nuk e ka humbur durimin. Shikuar historikisht shqiptarët kurrë nuk janë pajtuar me nënshtrimin dhe me shtypjen që u ka bërë pushtuesi.                                                                                               Përkushtimi i shqiptarëve ndaj truallit të vet, pesha e rëndë e dhunës së drejtpërdrejtë nga pushtuesit serbë ua ka larguar  krejtësisht dëshirën për të pasur emra turk, arab apo sllav. Ashtu që në Kosovë ishte një dukuri tepër domethënëse që emrat e fëmijëve janë përcaktuar nga problematika e qëndresës shqiptare ndaj regjimit serb.  Nxënësit e lindur gjatë viteve 1980 -1981 mbajnë emra vendbanimesh apo lumenjsh të Shqipërisë si:, Atikë, Artë, Albulenë, Antigonë, Berat, Drilon, Elbasan, Korab, Sarandë, Shkodran,Rinas,Vjosa, Shkumbin, Erzen,Valbonë, Vlorë etj. dashuria ndaj shtetit amë bëhet më e qartë kur kemi parasysh se shqiptarët e Kosovës nuk përdorin toponime gjeografike kosovare për fëmijët e tyre. Një dukuri e tillë nuk ka ndodhur në Shqipëri sipas studiuesit Ermal Hasimja " Mungesa e nevojës së identifikimit nacionalist ka bërë, përkundrazi, që në Shqipëri të mos jenë përdorur emra toponimesh kosovare, gjë që përgënjeshtron qartë tezën e prirjeve nacionaliste të enverizmit."  Krahas emrave të lartpërmendur kem edhe shumë emra të tjerë me mbështetje ideore të caktuar, që lidhet kryesisht me ngjarje historike. Kryesisht i gjejmë këta emra: Ilirian, Teutë, Agron, Genc, Alban, Albanë, etj.                                                                                                                                                                                                                                                         

Në grupin e dytë si shenjë e vazhdimësisë ilire prindërit u kanë vënë fëmijëve  emra të fiseve ilire apo kuptime historike. Të pranueshëm dhe të dashur për shumë kënd, e këtu hynë: Alban, Altin, Bardhyl,  Erion, Ergon, Etrit, Dardan, Dardane, Liburn , Labeate, Labinot, Taulant,Agron,Genti,etj.                                                                                                                                                                   Në grupin e tretë kam grupuar emrat fetar, të cilët të bëjnë të kujtosh se krahas emrave të hershem shqiptar si: Bore, Bali, Bute, Halë, etj në periudha të ndryshme, do të pranoheshin emra njerëzish me burim nga besimi katolik, Tunë, Nikollë, Olivera, Gjergj,  etj  më vonë emra njerëzish me origjinë arabë dhe turq si: Nuredin, Zekerja, Shermine,Jaser, Sadat etj. të mbështetur në ideologjinë fetare të besimit mysliman që u përhap aq shumë ndër ne nga sundimi i gjatë turk. Një rast të veçantë emër me ndikim prej të ty besimeve, Gjergjelez . Emrat e njerëzve në vendin tonë kanë shkuar për herë në një përpjekje midis ruajtjes dhe prurjeve të jashtme nga Perëndimi dhe Lindja që pastaj janë bërë pronë e gjuhës shqipe.                                                                                                                                                                            Po të krahasojmë kategorinë e viteve '80-81 në listën e emrave  viteve 90-91 shqiptarët gjithnjë e më rrallë i emërtojnë fëmijët e tyre me emra fetar. Është e vërtetë, jemi popull me tri fe, por përkushtimi ndaj atdheut ka zënë vend qendror në qytetërimin tonë.                                   

Te një numër i nxënësve emrat nuk kanë kuptim fare, nuk përmbajnë asnjë domethënie të tillë janë psh. Durresa, Mone, Nole, Lentor etj. Këta emra janë po aq të veçantë sa dhe të zhveshur nga kuptimi qëllimor individual. Disa raste  emrat janë të shkruar jo sipas mënyrës drejtshkrimore si :  Shkumbin është i shkruar Shkumbim, Shpëtim-Shpejtim, Mërgim- Mergim etj,.                                                                                         

Emra të huaj, ardhja e shqiptarëve në vend të huaj i ka nxitur prindërit që fëmijët t'i pagëzojnë me emra të huaj. Pranimi i emrave të huaj, mjerisht është bërë edhe me dëshirë sidomos tek prindërit e rinj duke u larguar nga identiteti shqiptar dhe duke i pagëzuar fëmijët me emra të aktorëve dhe këngëtarëve të huaja. Kjo dukuri ndodh edhe në raste kur prindërit e nxënësve janë të dy nacionaliteteve, shqiptar dhe zviceran por edhe vetëm shqiptar. Të tillë mund t'i numërojmë: Teo, Xhenifer, Xhesika, Dilan, Klea, Alisa, Vanesa etj,. Emri më i shpeshtë tek familjet me prindër të përzier, baballarë shqiptarë e nëna zvicerane e gjen emrin Alban i cili padyshim që rrjedh nga shquarsia e shën Albanit.                                                     

Në qoftë se të gjithë këta emra lexohen bashkërisht dhe mandej, krahasohen ndërmjet veti do të shihet se janë përshkruar prej qëllimesh të ndryshme: për zanafillën e popullit shqiptar; Ilir, Ilirian, Ilire, për historinë mesjetare; Arbër, Arben, Arbana, Arbëresha, Arbënore, Arbënor, për luftërat shumëvjeçare kundër sunduesve osmanë; Shqiptar, Shqipërim, Shqipe, Shqiponjë, për lëvizjet e popullit në kohë dhe në hapësirë, për Rilindjen Kombëtare; nxënës me emra : Asdren, FaNol, Rilindje etj. për Lidhjen e Prizrenit, emri Frashër, për historinë më të re, për përkatësinë fetare, për letërsinë e kohës së Rilindjes, për krijimin e gjuhës letrare, për dialektet e gjuhës shqipe, kem dy format e emrit : Hanë dhe Hënë,  për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare dhe shoqërore të popullit shqiptar e të tjera.

Praktikat e përdorimit të emrave të përveçëm, mund të shikohen si dirigjim i kujtesës sonë historike dhe kulturore shqiptare. Duke analizuar emrat vetjak  kuptojmë çështje të rëndësishme që janë të lidhur mes veti.  Në ta shprehet njohja e popullit, e kohës, e kulturës, e ngjarjeve dhe e figurave historike. Ndër ne, gjithë një, ruajtja e identitetit dhe e gjuhës shqipe si pjesë e shfaqjes themelore e saj, ka shkuar krahas së ardhmes si e dobishme përmes të rejash që i shkon përshtat së mirës së kombit e të kulturës kombëtare shqiptare.

Përmbajtja e emrave përmban një pikësynim të trefishtë: Duke filluar nga akti i parë  i tragjedisë së Kosovës kur më 1912 kjo pjesë e Shqipërisë iu këput vendit amë për t'iu dhënë shtetit të sapo krijuar jugosllav. Copëtimi i vendit të lashtë Ilirik, një ndër më të vjetrit e kontinentit, u nda, u pre si me sëpatë. Faktit të qëndresës së popullit shqiptar të Kosovës për të ruajtur identitetin kombëtar përmes gjuhës shqipe duke mos e lënë të zhdukët pra janë shpallur me ngulm popull dhe gjuhë e ruajtur. Përballë tyre shqiptarët e mërguar në botën e huaj, me qindra e mijëra, drama jonë historike qëndron në mërgimet tona. Një zor i madh, shekullor i ka shtrënguar gjithmonë shqiptarët të marrin udhën e mërgimit. Mund të thuhet se sot në dhe të huaj jetojnë disa milionë shqiptarë me shqipen si gjuhë dhe shqiptarët si përfaqësues të një kombi i gjejmë duke u "tretur" në katër anët e botës. Studimi ynë rreth përmbajtjeve të emrave të fëmijëve të lindur në atdhe ashtu edhe në diasporën shqiptare shquan si një mrekulli emërtimi i tyre me fjalë të bukura të shqipes.                                                   

Nga analiza e emrave janë të dukshme disa konstatime:                                                                           

Shkelja e të drejtave dhe lirive njerëzore është ishte bërë kob në jetën e popullit shqiptar, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi, dhe Kosovën Lindore. Si pasojë do të shpallën të pa dëshiruar një varg nga të emrave shqip. Sado që kanë kaluar kaq shumë vite shquan si një mrekulli ruajtja e identitet kombëtar. Shpeshtësia e emrave të kategorisë së huaj dhe fetar dobësohet me kalimin e viteve për të arritur në minimum gjatë viteve 1990, periudhë që përputhet me shtrëngimin e regjimit serb dhe komunist. Gjatë periudhës dhjetë vjeçare "˜80 gjerë në vitet '90 ndër ne u vunë shumë emra atdhetar që lidheshin me ngjarjet e vitit 1981 kur shqiptarët u ngritën në demonstrata për të kërkuar republikë si: Edona, Kosovë,  Republikë, Kosovare, Kushtrim, Flamur, Luftëtar etj. Më pas kemi emra  tjerë me një mbështetje ideore të caktuar që lidhet kryesisht me luftën çlirimtare e udhën e më tejshme të bërjes së shtetit të Kosovës. Nga fillimi i viteve '90 deri në '99, do të mbahen mend si vitet më të rënda në historinë e tij të re. Kemi emrat  mbizotërues si: Armelinda,  Atdhe, Durim, Trim,  Fitore, Lirim, çlirimtar, Jetlira, Herolinda, etj. 

Courgenay, 15 prill, 2009                                                                                                                           

 

 

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.