VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Prezantojmë nxënës të dalluar nga Kantoni Jura

Nga Nexhmije Mehmetaj, mësuese


E Shtunë, 05.23.2009, 03:56pm (GMT1)

Nxënësit që vijojnë mësimin në Shkollën shqipe në kantonin Jura janë kryesisht banorë të dy qyteteve më të mëdha: Nga qyteti Delémont janë 47 nxënës dhe në qytetin Porrentruy janë 12 nxënës.                                                                                                                                                                        

 

Mbi 25 nxënës detyrohen të udhëtojnë me vetura me prindërit e tyre gjerë në pikën më të afërt ku mbahet mësimi i gjuhës shqipe. Nxënësit e  rritur vijnë  vet në shkollën shqipe duke udhëtuar me autobus prej fshatrave tjera Muotier, Courroux, Courtetelle, Courrendlinde, Alle, Fontenes etj.                                                                                                                                                              

 

Në shkollën shqipe mësimin e vijojnë nxënës që udhëtojnë gjatë  në një drejtim 10 - 15 kilometra. Por dëshira dhe vullneti i fortë për ta shkruar dhe lexuar gjuhën e ëmbël shqipe s'i pengon as shiu, as bora, as vapa, kështu që këta nxënës ashtu siç shkëlqejnë në mësimet e shkollës zvicerane shkëlqejnë edhe në gjuhën dhe kulturën e atdheut. Për dëshirat, përpjekjet, sukseset, dashurinë ndaj atdheut dhe aktivitetin e tyre flasin  vetë ata. 

 

ÇKA DUA ...

 

 

Saranda Ferati, kl. IX . Lënda që më pëlqen më së shumti është kimia. Dua të bëhem mësuese. Kohën e lirë e kaloj duke lexuar. Prindërit e mi shpesh më shpjegojnë për vendin tim. Por edhe në shkollën shqipe mësojmë mjaftë. Edhe pse jetoj në Zvicër asnjëherë nuk jam prezantuar si zvicerane por gjithmonë me krenari them se jam shqiptare. Unë dua që atdheu im të jetë më i miri në botë. Të ketë pastërti, të ketë punë për të gjithë , shkolla për të gjithë fëmijët dhe që njerëzit të jenë të lumtur. Edhe pse vendi im është i varfër unë dua të kthehem e të jetoj atje. Të jetosh mes dy kulturave është shumë bukur e jo e vështirë. Është e bukur kur në gjuhën tonë të dashur mësojmë për historinë e popullit tonë, gjeografinë e vendit tonë, në ketë mënyrë nuk e harrojmë atdheun tonë. Porosisë të gjithë shqiptarët që jetojnë në mërgim të mos e harrojnë gjuhën shqipe dhe kulturën e vet, sepse asnjë vend nuk është si vendi ynë.

  

Lirije Berisha, kl. IX.  Më së shumti më pëlqen shqipja dhe gjermanishtja. Dua të bëhem ekonomiste. Në kohën e lirë e kaloj duke lexuar dhe e ndihmoj nënën. Ne shkojmë shpesh në Kosovë dhe kënaqemi shumë. Atje çdo gjë më pëlqen, njerëzit, toka, ajri... Këtu në Zvicër ne çdo mbrëmje të gjithë bashkë, prindërit, motrat dhe vëllezërit e  shikojmë televizorin në gjuhën shqipe. Mes dy kulturave nuk më duket vështirë por kënaqësi, flas dhe shkruaj dy gjuhë shqip dhe frëngjisht.  

 

Egzona Hamzaj, kl.IX. Lënda ime e preferuar është anglishtja. Dëshiroj të bëhem psikologe. Kohën e lirë e kaloj duke lexuar, bëj lojëra sportive, dëgjoj muzikë nga një herë edhe vizatoj. Me prindërit e mi shkojmë dy herë në vit në Kosovë. Oh sa mirë kur jem në shtëpinë tonë. Dëshira ime është që të zhvillohet më shumë ekonomia e Kosovës. Që Kosova të bëhet një vend për lakmi. Unë sapo të mbaroj studimet do të kthehem e t'i ndihmoj njerëzit atje. Në Zvicër jetoj mes dy kulturave. Shqip në familje dhe frëngjisht në shkollë. Kjo nuk më pengon fare. Kulturën e atdheut nuk e la anash, falë prindërve të mi, me të cilët flasim vetëm shqip, dhe shkollës shqipe e cila na mundëson që në gjuhën shqipe të lexojmë dhe të shkruajmë.. Të gjithëve dua të ju them mos ta harrojnë kurrë vendin  dhe kulturën e vet.

 

Fetije Berisha, kl.IX. Lëndën që e dua është biologjia, për ketë qëllim jam regjistruar në gjimnaz në shkencat natyrore. Pas studimeve dëshiroj të bëhem mjeke. Por gjithmonë mendja më thotë të kthehem në Kosovë. Kohën e lirë e kaloj duke lexuar, por dëgjoj edhe muzikë shqipe se më pëlqen tepër. Kur shkoj në atdhe gjëja e parë që më pëlqen është ambienti familjar, dasmat, ushqimet. Fatmirësisht prindërit tanë na çojnë shpesh atje. Dëshiroj që në Kosovë mos të shoh njerëz të varfër e të pa punë. Dua që njerëzit të jetojnë të lumtur. Jeta në mes dy kulturave më duket interesante. Mund të them se ka mjaft dallime mes kulturës shqipe dhe asaj zvicerane. Dëshiroj që Kosova të zhvillohet me ekonomi dhe të jetë e njëjtë me shtetet evropiane. Të ketë më shumë pastërti. Porosia ime për shqiptarët në mërgim është" Më mirë një dimër në atdhe se  sa njëqind pranvera në vend të huaj" këtë fjalë të urtë e kam mësuar në shkollën shqipe, unë vijë rregullisht që nga klasa e parë.

 

Ardiana Jasiqi, kl, IX.  Jam e lindur në Zvicër, jam e gëzuar se jam shqiptare. Malli më merr për atdheun tim. Në shkollën shqipe kanë ardhur edhe motrat e mia edhe unë vijë me dëshirë. Dua ta di dhe ta ruaj gjuhën shqipe sepse është e jona. Lënda që më pëlqen mua është biologjia. Ende nuk jam përcaktuar se cilin profesion do ta zgjedh. Me prindërit e mi flasim gjithmonë vetëm shqip. Gëzohem shumë kur shkojmë në Kosovë.

 

Donika Ramabaja , kl. IX. Unë dhe familja ime ka shumë vite qe jetojmë në kurbet, por gjithnjë malli më merr për Kosovën time të dashur. Atje shkojmë çdo verë, nganjëherë edhe pushimeve të dimrit. Shumë mirë më duket jeta në Kosovë, sidomos pasi që është shpallë Kosova Republikë. Por dua që Kosova të jetë e pastër dhe e zhvilluar si Zvicra. Kohën e lirë e kaloj duke ndihmuar nënën dhe duke lexuar. Në shkollën shqipe vijë rregullisht , përveç që di të shkruaj dhe të lexoj në gjuhën shqipe kemi mësuar edhe histori, për Ilirinë, Arbërinë, Shqipërinë, Kosovën e shumë të tjera.

 

 

Diana Ferati, kl,VIII. Më tepër më pëlqen lënda e fizikës. Dëshiroj të vazhdoj studimet në mjekësi. Në kohën e lirë kryesisht lexoj, por e ndihmoj edhe nënën, babin edhe motrat.  Mua më pëlqen të jem në vendin tim. Të rritem, të punoj dhe të jetoj në vendin tim. Qe dhjetë vite ne jetojmë në Zvicër vetëm një herë e kemi vizituar vendin tim, kjo në mungesë të dokumenteve. Edhe pse vendi im ka shumë të meta; papastërti, varfëri, ai prapë mbetet në zemrën time. Gjithmonë malli më merr për vendin tim për Kosovën Lindore. E ëndërroj sikur të isha rritur pranë gjyshit e gjyshes dhe dashuria e tyre do të më bënte më të  lumtur. Dëshiroj që paqja të jetë përgjithmonë në Kosovë. Unë jetoj në mërgim, por gjuhën dhe kulturën tonë nuk i harroj. Në shtëpi flasim shqip, shikojmë televizorin në gjuhën shqipe, shkoj rregullisht në shkollën shqipe. Dëshira ime është që të mbaroj studimet dhe të kthehem në vendin tim. Të jetoj e lirë dhe e lumtur në mesin e njerëzve të mi të cilët më mungojnë shumë. Ne kemi mësuar se "Njeriu mund të shëtisë botën por atdhe nuk gjen askund".

 

Blendor Hasanaj, kl. VII. Prej lëndëve që jemi duke i mësuar më pëlqen ajo e gjuhës shqipe. Dëshira ime është që kur të rritem të bëhem polic. Dëshira ime e dytë është mos të ketë ma kurrë luftë, të jetë përgjithmonë KOSOVA E LIRË, ashtu siç e ka thënë edhe Ibrahim Rugova. Dëshira ime e tretë është që në gjithë botën të ketë paqe.  Dëshira ime tjetër është të kthehem në Kosovë. Dua t' i shoh kushërinjtë e mi në Istog. Kohën e lirë lexoj dhe luaj futboll. Andaj përveç mësimeve mendoj të bëhem një sportist i mirë. Në shkollën shqipe vijë me qejf edhe pse e kemi larg vijë me autobus, nuk mungoj asnjëherë.

 

Nergjivane Ramabaja kl.VII. E pëlqej lëndën e gjuhës shqipe. Dëshiroj të bëhem police. Kosovën time e dua shumë dhe më pëlqen të jetoj në vendin tim. Atje i kam gjyshet dhe gjyshat e mi dhe më merr malli për ata. Kisha dëshiruar të kthehem në vendin tim . Unë ndryshe e paramendoj atdheun tim, pa korrupsion, pa varfëri, më shumë pastërti, dhe më shumë punë. Kohën e lirë e kaloj duke dëgjuar muzikë shqip, shëtis me shoqe, dhe rri me familje. Jeta në mes dy kulturave nuk më duket e vështirë sepse në shtëpi flasim shqip, shkoj në shkollën shqipe kurse në shkollë flasim frëngjisht. I di dy gjuhë shqip dhe frëngjisht.

 

Në foto : Ariana Perteshi Kl.VI

 

Ariana Perteshi kl.VI. Më së shumti më pëlqejnë lëndët, shqipja dhe frëngjishtja, por i dua edhe muzikën dhe fizikën. Gjatë kohës së lirë lexoj, e ndihmoj mamin, por më së shumti mësoj, nga një herë lexoj edhe shqip. Kemi disa libra shqip në shtëpi, gjyshi im m'i ka ble, ka qenë mësues në Kosovë. Kam dëshirë të bëhem avokate. Pasi që në mësime jam niveli A A A në frëngjisht, gjermanisht dhe matematikë. Kur shkoj në Kosovë gjithë çka më pëlqen: buka, ujë , pemët. I them babit mos të kthehemi  më në Zvicër. Ai më thotë: bija ime varfëri e madhe këtu në Kosovë, do të kthehem pak më vonë. Unë e paramendoi ndryshe atdheun tim. Pa njerëz të varfër dhe me shumë familje të lumtura. Por, kur të rritem e do ta mbaroj shkollën do të kthehem në atdheun tim. Kur shkoj në shkollën shqipe gëzohem shumë. Aty përveç se mësojmë si shkruhet dhe lexohet në shqip, kemi mundësi të vallëzojmë për festa, të recitojmë të këndojmë. Unë në të tria marrë pjesë. Për festë i veshi kostumet kombëtare që m'i ka punuar gjyshja ime në Kosovë, janë shumë të mira.

 

Zize Beqiri kl. VI. Më së shumti më pëlqen lënda e gjuhës shqipe dhe e frëngjishtes. Në kohën e lirë lexoj dhe shkruaj poezi. Atdheun tim e dua shumë. Ëndrra ime është të kthehem të jetoj atje në vendlindje ku do të jem më shumë e lumtur. Kur shkoj në Kërçovë kënaqem se e shoh familjen , shoqet, shokët e njerëz tjerë të afërt. Atdheun tim e paramendoj pa njerëz të varfër, fëmijët të jetojnë të lumtur. Dëshira ime është të bëhem gazetare. Jeta mes dy kulturave nuk më duket e vështirë. Unë di mirë shqip dhe frëngjisht.

 

Rinor Mehmetaj kl.VI. Më së shumti më pëlqen lënda e gjuhës shqipe. Unë e dua vendin tim. Kur shkoj atje çdo gjë më pëlqen. Edhe këtu në Zvicër është mirë, por më merr malli për gjyshen dhe gjyshin atje në Kosovë. Dëshira ime është të marrë nota të mira. Kohën e lirë e kaloj duke luajtur futboll, duke lexuar, duke shikuar televizorin. Në shtëpi flasim shqip, dhe në shkollën shqipe shkoj nga klasa e parë. Shumë mirë që i di dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht.

 

Nexhmije Mehmetaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.