VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Gjuha shqipe sa e mirë, sa e bukur sa e vlerë

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 06:23am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 

Gjuha shqipe sa e mirë, sa e bukur sa e vlerë


E Shtunë, 12.27.2008, 12:51pm (GMT+1)

Nga Nexhmie MEHMETAJ

 

Fundi i shekullit të kaluar dhe fillimi i shekullit tonë për arsye ekonomike dhe politike sollën valë të reja mërgimtarësh shqiptarë në botë. Kjo mërgatë që mëtonte të kthehej përsëri pasi të fitonte diçka, veproi dhe u njoh sidomos në Zvicër, Gjermani etj. Shpërngulja e shqiptarëve është rritur sidomos gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Aso kohe, grupe të mëdha shqiptarësh ia mësynë Zvicrës për të kërkuar strehë apo punë.                                                

Deri në vitet '90 vlerësohet se në Zvicër nuk kishte më shumë se 120 mijë shqiptarë, kurse sot mendohet se janë rreth 200 mijë shqiptarë.  Numri i madh i mërgimtarëve kanë përtëritur dhe shtuar dukshëm elementin shqiptar e gjuhën shqipe në Zvicër. Krahas kësaj shtrohet pyetja: a flitet, ku flitet, ç'qëndrim ka vet bashkësia që flet shqipen, me ç'status është shqipja në krahasim me gjuhët zyrtare të shtetit përkatës? Sipas vrojtimeve sociolinguistike në bashkësinë shqiptare në Zvicër gjuha shqipe është edhe pranë një gjuhe tjetër, duke qenë shqipja gjuhë e parë, kurse gjuha e huaj e dytë. P.sh.: shqip gjermanisht, shqip - frëngjisht etj. Së këtejmi rrjedh se ata që flasin shqip janë shqiptarë që e kanë shqipen gjuhë amtare. Gjuhën shqipe ata e mësojnë nga nënat e tyre dhe e flasin në shtëpi, në rrethe familjare. Porse ajo nuk është gjuhë e njohur nga shteti. Në ketë rast gjuha amtare quhet edhe gjuhë e zemrës. Krahas shqipes së folur, shqiptarët përdorin njërën prej gjuhëve zyrtare të shtetit përkatës.Gjuha zyrtare e shtetit është gjuha e bukës e cila zotëron në të gjitha rastet me karakter zyrtar, si gjuhë e administratës e shkollës, e mjeteve të komunikimit masiv.                                                                        

Statusi gjuhësor i shqipes në Zvicër, në diasporën shqiptare, shqipja është vetëm gjuhë e zemrës, gjuhë amtare e papërfillur dhe e panjohur zyrtarisht. Mbi të, për të gjithë shqipfolësit e Zvicrës, qëndron gjermanishtja, frëngjishtja etj. - folur dhe e shkruar, - të cilën çdonjëri duhet ta mësojë dhe ta ushtrojë në shkollë, në administratë e kudo. Me gjithë këtë ligjet demokratike të shtetit zviceran e lejojnë mësimin e gjuhës amtare dhe kulturën e atdheut. Kjo lehtësi ekziston kudo në Zvicër për të gjitha komunitetet - edhe për shqiptarët - duke ua lejuar mbajtjen e mësimit plotësues nëpër shkolla. Dhe shkolla e parë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe është hapur tetëmbëdhjetë vjet më parë në kantonin e Glarusit. Këtu fillon zgjimi dhe ndërgjegjësimi kombëtar për ne që sapo kishim ardhur në një atdhe të ri. Sot këtë traditë të bukur e ndjekin qindra nxënës. Po mijëra të tjerë?  Për të qenë më afër realitetit duhet të kuptojmë se janë me qindra e mijëra fëmijë shqiptarë, që po harrojnë përditë e më shumë gjuhën e tyre. Humbja e gjuhës shqipe tek fëmijët e mërgimtarëve - që në brezin e parë - është një humbje e madhe kombëtare. Fatkeqësisht, për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, gjuha shqipe po mbetet nën mëshirën e prindërve, të cilët në të shumtën e herëve janë me nivel të ulët arsimimi, prandaj nuk ia dinë rëndësinë e gjuhës amtare. Mbi zhvillimet e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër nuk pritet ndonjë porosi e vogël nga ambasada e Shqipërisë në Bernë, nuk pritet ndonjë udhëzim nga Ministria e Arsimit e Kosovës. E cila do t'i  udhëzonte prindërit se mësimi plotësues i gjuhës shqipe është i domosdoshëm për fëmijët e tyre dhe e vlen edhe mbështetja nga familja. Ministritë tona të arsimit janë shumë indiferente për  fëmijët jashtë atdheut.                                                                                                                                                                                                            

E  kemi vlerësuar dhe vlerësojmë përpilimin e Plan-programit për mësimin plotësues të shkollës shqipe si dhe seminaret për ngritje profesionale të mësueseve në diasporë nga MASHT e Kosovës. Nuk mjafton vetëm kjo ndërmarrje. Problemin e mësimdhënies në shqip do ta zbuste jashtë mase hartimi i teksteve shkollore të përshtatshme për mësimin plotësues. Në hapjen e klasave të reja do të ndikonte dukshëm edhe përzgjedhja e mësuesit për mësimdhënie që duhet të jetë me arsim të lartë të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Jemi të mendimit se duhet bërë më shumë për prindërit dhe komuniteti, që fëmijët shqiptarë të mos e harrojnë gjuhën e nënës. Me të gjitha mundësit tona duhet të bëjmë çmos që ta ruajmë gjuhën amtare, se koha që ikën është e humbur dhe shumë fëmijë do mbeten analfabetë në gjuhën shqipe. Në klasat shqipe, me gjithë problemet e vëna në dukje, ka edhe nxënës me kombësi të përziera që kanë dëshirë të mësojnë shqip. Andaj ju kujtoj prindërve që t' i dërgojnë fëmijët në orët e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, sepse pa shqipen ata do të jenë të huaj edhe në vendin e vet. 

Mësimi plotësues në gjuhën amtare është pjesë përbërëse e mësimit të zakonshëm. Gjuha amtare në mërgim përveç që është shenjë identiteti, ajo i ndihmon fëmijët dhe të rinjtë të zhvillojnë kompetencat e tyre në gjuhën e nënës. Ky zhvillim i gjuhës amtare ndihmon zhvillimin e gjuhës së dytë, frëngjishtes apo gjermanishtes etj. Ata zgjerojnë njohuritë e tyre mbi historinë, gjeografinë, festat, muzikën dhe traditat tona sa të lashta aq të bukura. Qëllimi dhe rëndësia e mësimit në gjuhën amtare është: Fëmijët fitojnë njohuri të mira të gjuhës amtare jo vetëm në të folur por edhe në të shkruar. Mësimi i gjuhës amtare i ndihmon nxënësit të jetojnë me sukses në të dy kulturat. Njohurit e mira të gjuhës amtare i ndihmon fëmijët që të mbajnë kontakte me familjen, të afërmit dhe me atdheun.

Është e domosdoshme që edhe shoqatat tjera shqiptare që veprojnë në Zvicër ta përkrahin mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe nuk është diçka private por ka të bëjë me një çështje që i përket gjithë kombit. Lë të bëhemi të gjithë misionarë të gjuhës shqipe. Le të ndihmojmë të gjithë së bashku që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën e bukur shqipe. Zëri i shqiptarëve në të dobi të kulturës sonë tingëllon fuqishëm po të jemi të bashkuar. Tani  Kosova është e pavarur dhe presim që mësimi plotësues i gjuhës shqipe në mërgim të marrë  kahe institucionale.

-                                                                                                                                                                                                                                                                                               

Autorja Nexhmije Mehmetaj është mësuese në Jura.


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo




 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]